Nazif Cungu zëvendëson Gëzim Hajdinagën!

August 23, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ulqin, 22 gusht 2011 – Partia Forca në Ulqin ka prezantuar shumicën e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, e cila i është dorëzuar shërbimit të Kuvendit me  iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, propozimi i kryetarit të ri të Kuvendit dhe iniciativa për shkarkimin e Gëzim Hajdinagës nga posti kryetarit te Komunës se Ulqinit.

Kryetari i ri i Komunës së Ulqinit sipas marrëveshjes së shumicës së re do të jetë Nazif Cungu. Nazif Cungu tha se ndihet i kënaqur që të prezantoj shumicën e re në Kuvendin Komunal të Ulqinit e formuar me qëllim të sinqertë ne bazë të respektit të ndërsjellët dhe vendosmërisë që Komuna e Ulqinit të fitoj një qeverisje profesionale, të përgjegjshme, të ndershme dhe efikase.

Kjo shumicë është e përbërë prej subjekteve dhe këshilltarëve në Kuvendin Komunal siç vijon: Forca e Re Demokratike me 11 këshilltarë, Dega e anës së Malit me 4 këshilltar, Partia Social-demokrate me dy këshilltarë dhe Lëvizjes qytetare Perspektiva me një këshilltar, pra gjithsejtë 18 këshilltarë.

“Jemi të vendosur që të formojmë një shumicë e cila do të përkushtohet me të gjitha fuqitë e veta që të krijoj kushte për fillimin e një epoke të re, epoke të mbarë në zhvillimin e Komunës sonë. Sigurisht që konsolidimi i gjendjes së rënd në komunën tonë, ku ka mungesë të madhe në investime, probleme në privatizimet e dështuara, papunësi të madhe, mungesë e planeve urbanistike, borxhe të mëdha dhe nevojë për konsolidimin e buxhetit, do të jenë sfidë e madhe e cila hap nevojë për punë të madhe, përkushtim profesional por kërkon edhe përkrahjen e të gjithë qytetarëve të Komunës sonë”, tha Nazif Cungu.

Ai tha se presin përkushtim tek të punësuarit në administratën lokale dhe nëpunësve në ndërmarrjet publike. Kjo shumicë do te jetë ne funksion të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim nga përkatësit politike.

”Ne do të jemi të hapur për bashkëpunim me subjektet tjera lokale dhe shtetërore. Do të kemi një Kuvend i cili do të jetë i përgjegjshëm, i cili do të sjell vendime në interes të popullsisë sonë. Nga dita e sotme do të nisim iniciativën për Kuvend të jashtëzakonshëm në të cilin do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit komunal dhe kryetari i ri Komunës”, tha Nazif Cungu.

Besim TOSKA
Kosova.info

26