KUMTESE, Thirrja e Kuvendit te Komunes

August 30, 2011   | Politika

Iniciativa e shumicës së re parlamentare për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit është dorëzuar sipas Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve. Kushtetuta përcakton se seancat e rregullta nuk mund të thirren në periudhën prej 01 gusht deri me 30 shtatorë, dhe pasi që seanca duhet të mbahet gjatë muajit shtatorë, ne kemi kërkuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

Kryetari i Kuvendit zotëri Shkrela ka premtuar publikisht se nuk do të bëjë kurrfarë obstruksioni dhe sapo të pranoj iniciativën me 17 nënshkrime do të thërras seancën e Kuvendit. Ne përkujtojmë se Iniciativën e kemi dorëzuar më 17 gusht 2011.

Sa i përket afatit të fundit për mbajtjen e kuvendit, lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Komunës, jemi të bindjes se shërbimi i komunës ka dhënë shpjegim të gabuar të akteve ligjore., sepse Ligji për vetëqeverisje lokale, në lidhje me afatet, i referohet Ligjit për zgjedhje të këshilltarëve dhe deputetëve. Neni 14 i këtij Ligji parasheh se zgjedhjet mbahen më së largëti 15 ditë pas skadimit të afatit zgjedhorë. Kjo do të thotë se data lidhet me skadimin e afatit zgjedhorë dhe jo me zgjatjen e mandatit të kryetarit. Pra, data e fundit për zgjedhjen e kryetarit të ri është 09 shatori, që del nga 15 ditë para 24 shtatorit , kur është mbajtur balotazhi për zgjedhjen e kryetarit të Ulqinit.

Ne gjithashtu jemi të mendimit se shërbimi komunal me rastin e dhënies së qëndrimit për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri nuk ka marr para sysh kushtin kryesorë për zgjedhjen dhe ushtrimin e këtij funksioni , e kjo është përkrahja e më së paku 17 këshilltarëve. Pra, nënshkrimet e 18 këshilltarëve janë më se të mjaftueshëm për aplikimin e nenit 32 të Rregullores së Kuvendit Komunal të Ulqinit, i cili parasheh mundësin që Kryetari mund të shtoj vetë kuvendit çështjen e mosbesimit ose eventualisht të jap dorëheqje.

Presim që zotëri Shkrela të dëshmojë kapacitetin vet demokratik, dhe sa më parë të thërras seancën e kuvendit, siç ka premtuar disa herë , aq më tepër, kur dimë se ai si politikan me përvojë është i vetëdijshëm se çdo zvarritje shkon në dëm të përmbushjes së funksioneve vitale të Kuvendit dhe ekzekutivit dhe krijimit të tensioneve të panevojshme politike.

Për bartësit e iniciativës,

Kryetari i klubit të Forcës

Xhaudet Cakuli