Rezarta Shkurta përgatit surprizën e radhës, “Si droga jam”

September 4, 2011   | Lajmet / Vijesti

Kishim dëgjuar krahasime lloj-lloj nga goja e këngëtarëve tona, si p.sh.: jam si lule, jam si frut, jam si bombë etj, por Rezarta Shkurta nuk ka rënë pre e këtyre klisheve të stërdëgjuara e të stërkonsumuara. Me një shije të holla artistike, ajo nuk nxitoi për të bërë klipin e zakonshëm të verës me rroba banjo e me jaht, por e mori gjithçka me nge, deri kur të bindej se po bënte gjënë e duhur.

Pas suksesit të këngëve “Budallaçkë e vogël” dhe “Dua të iki larg”, në duet me Vedat Ademin, duhej menduar gjatë për të sjellë një krijim të mirë. Dhe ja ku vjen kënga më e re e ritmeve r&b, me titullin superprovokues “Jam si droga”. Mësojmë që tekstin e këngës e ka bërë Big Basta, ndërsa muzikën Darko Dimitrov. Pritet që së shpejti të realizohet edhe një klip, ku idetë origjinale dhe avangard të Rezartës do të veshin artistikisht fabulën e këngës.
Të krahasosh veten me drogën, me diçka të ndaluar, duket një ide shumë e guximshme, por edhe një farë thyerje tabush. Prandaj dhe ne u bëmë kuriozë për të mësuar më shumë rreth këtij projekti. Kur e pyetëm Rezin se çfarë mendimi ka për njerëzit që konsumojnë drogë dhe a e sheh këtë si një ves, ajo u përgjigj “Më kujtuat një barcoletë që e tregonin për Fatos Nanon. Thuhet se atij iu afrua një lypsar dhe i kërkoi para, duke iu përbetuar se ato para i donte vetëm për të ushqyer familjen e tij, sepse nuk përdorte as drogë, as alkool, as duhan, nuk luante bixhoz dhe nuk shkonte me femra. Në atë moment Fatosi kthehet nga shoqëruesi i tij dhe i thotë: “A e shikon se si përfundon një njeri pa vese?”. Këtë e rrëfeva thjesht për humor, sepse kuptohet besoj se fjala drogë në këngë është thjesht një metaforë, nuk kemi të bëjmë me ndonjë spot pro konsumimit të lëndëve narkotike dhe nuk do ta bëja kurrë, sepse jam pro jetës. Por ama askush nuk mund ta mohojë se femrat janë trullosëse po aq sa drogat, por për fat nuk kanë efekte anësore (qesh). Mendova të sjell një këngë ritmike pas dy baladave dhe shpresoj të pëlqehet”, përfundon ajo.

Duke parë me kujdes tekstin e këngës, ka disa vargje që thonë kështu: “Ki besim dhe unë nuk do të ndaloj/Lëre mendjen hapur sikur për pak/Unë e di ty të tundojnë skandalet”. Duke pasur parasysh konfliktin e disa muajve më parë me këngëtaren Rozana Radi, u bëmë kurioz të mësojmë nëse ka ndonjë varg me “spec”, që shërben si mesazh për këtë të fundit, por Rezi kundërshton: “Po ta lexoni tekstin e plotë, ajo këngë i kushtohet një djali dhe mesazhi është fare i qartë, kështu që mos krijoni iluzione kot”.

Panorama Plus

YouTube Preview Image

1