Niveli më i ulët i Liqenit të Shkodrës në 60 vjetët e fundit

September 8, 2011   | Shtypi / Mediji

Podgoricë, 8 shtator – Thatësirat e papara dhe nxehtësia tropikale, të cilat janë duke zotëruar tash dy muaj e më shumë, kanë ndikuar që niveli i liqenit të Shkodrës, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, aktualisht 7 metra më i ulët, thonë në Entin meteorologjik të Malit të Zi, bën të ditur KosovaLive.

Kryeshefi i Qendrës së analizës dhe parashikimit të motit, Branko Micev ka deklaruar të enjten se niveli i tanishëm i liqenit të Shkodrës është vetëm 12 cm, edhe është niveli më i ultë në gjashtë dekadat e fundit.

“Për më pak se një vit, janë evidencuar dy rekorde, dy nivele ekstreme. Oshilimet, brenda një kohe më të shkurtër se një vit, arrin në 7 metra. Në periudhën që lëmë pas, në Mal të Zi e sidomos në zonat gravituese me liqenin e Shkodrës, është regjistruar një deficit ekstrem i reshjeve”, thotë Micev, duke potencuar se në Nikshiq, qytet i njohur industrial, po shfrytëzohen ujërat ekonomike për nevojat e termocentralit.

Në 60 vjetët e fundit, ky është viti me deficitin më të madh të reshjeve. Kjo gjendje e ka kushtëzuar edhe nivelin më të ulët të sistemit të ujit në lumenj, liqene e sidomos në atë të Shkodrës, sqaron ky ekspert i hidrometeorologjisë.

Micev shton se, sipas të gjitha gjasave, Mali i Zi nën ndikimin e temperaturave tropikale do të jetë deri të hënën, më 12 shtator. Nga e hëna priten reshje të shiut dhe zbritje të temperaturës.

KOHA NET