Kalaja e Ulqinit dhe sfidat aktuale

September 15, 2011   | Opinione

Gurët që kërkojnë respect
Nga Enver Mollabeqiri – Eno
Nën diellin përvëlues të gushtit qëndron hijerëndë Kalaja e Ulqinit, me bedenat e vet mijëravjeçarë dhe me ndërtesat e lashta nga guri, të cilat ende janë aty, duke sfiduar dhëmbin e kohës dhe papërgjegjshmërinë dhe mosinteresimin njerëzor. Në këtë kala-qytet, i cili paraqet dhe shpreh lashtësinë dhe traditën më të shkëlqyer qytetare dhe kulturën shekullore, po ndërtohet pa mend dhe pa rend, duke shkelur principet elementare historike, arkeologjike, kulturore, arkitektonike dhe urbanistike. Nuk është vështirë të konstatojmë që njeriu është keqbërësi më i madh dhe më i rrezikshëm në rruzullin tokësor. Në vend që të ruajmë dhe të kultivojmë traditat shekullore të ndërtimit të cilat janë të domosdoshme dhe karakteristike për këso objektesh impresivë, të lashtë dhe monumentalë, ne nuk ndërtojmë, por me këso ndërtimesh shkatërrojmë edhe atë pak çfarë ka mbetur nga tradita e lashtë arkitektonike e Kalasë së Ulqinit. Me këtë nuk shkatërrojmë vetëm historinë dhe traditën e njeriut të sotëm, por edhe traditën dhe kulturën ilire, greke, romake, të Duklës, Arbërisë, Venedikut, atë turke, e deri në ditët e sotme. Të gjitha këto kultura dhe civilizime të lashta kanë ndërtuar dhe rindërtuar, edhe pse dikush mund të thotë se, për shembull, kanë ndërtuar kishë në vendin e kultit pagan apo xhami në vend të kishës. Por ky nuk është shkatërrim, por ndërtim dhe rindërtim i vendit të kultit, kushtuar Perëndisë. Kanë ndërtuar shtëpi të Zotit, vendin e lutjeve dhe të shpresës njerëzore. Andaj njeriu i sotëm duhet të ndalet një çast dhe të mendojë mirë, çfarë është duke i bërë vetes, traditës, kulturës dhe ekzistencës së vet. Ne jemi fajtorët kryesorë për këtë gjendje të Kalasë së Ulqinit. Ne nuk duhet të lejojmë të ndërtohet pa vend dhe pa plan rregullues të përshtatshëm me arkitekturën dhe kulturën ndërtimore që e karakterizon këtë kala të lashtë shekullore. Këtu duhet të angazhohen edhe institucionet shtetërore më seriozisht. Duhet ndjerë “dora” e shtetit për këtë problematikë, pasi që ajo së bashku me angazhimin dhe përkushtimin më serioz të vetë banorëve të Kalasë së Ulqinit dhe të gjithë banorëve të Ulqinit, mund të japë rezultate të kënaqshme në këtë drejtim. Pra, duhet vetë ne banorët e Ulqinit të ndërgjegjësohemi për vlerat e pamohueshme kolosale historike, kulturore dhe arkitektonike të Kalasë dhe të gjithë së bashku, të ndihmuar nga strukturat shtetërore, të krijojmë kushtet që edhe kjo kala e lashtë të përfshihet në programet dhe mbrojtjen e UNESCO-s dhe të arrijmë të vjelim fondet përkatëse për ruajtjen dhe restaurimin e saj. Po ashtu duhet bërë punë më serioze që muzeumi në Kala të punojë rregullisht, si dhe që të gjitha objektet e lashta muzeale origjinale, të cilat i përkasin muzeumit dhe Ulqinit, t’i kthehen këtij muzeumi, të sistemohen dhe të vendosen në vende adekuate dhe të përshtatshme për këso objektesh të vjetër mijëvjeçarë. Kjo mund të bëhet me përkushtimin dhe përpjekjen e të gjithëve. Dhe duhet bërë sa më parë, pasi që koha e shkatërron të pambrojturin. Këtë duhet bërë për shkak të vetes, të brezave të ardhshëm, për shkak të historisë, kulturës dhe të sotmes, si dhe të ardhmes turistike të Ulqinit dhe të Malit të Zi.

Koha Javore
YouTube Preview Image