Kodi zgjedhor dhe shqiptarët

September 24, 2011   | Opinione

Foto: F.Gjokaj

Nga Sabri SALAJ
Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi me shumicë votash miratuan Kodin e ri zgjedhor. Votimi u bë pas debateve që u zhvilluan në Parlamentin e Malit të Zi në mes të opozitës dhe pozitës. Për miratimin e projektligjit të propozuar duheshin një shumicë prej 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Një ndër shtatë kushtet që Bashkimi Evropian për të hapur negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi ishte edhe miratimi i këtij kodi, por me kusht që kjo të arrihet pas një konsensuesi të gjerë në mes të partive politike. Kodi zgjedhor u miratua pikërisht me konsensus të shumicës parlamentare, por pa subjektet politike shqiptare. Subjektet politike shqiptare votuan me largimin nga salla e parlamentit me arsyen se nuk ishte marrë parasysh amandamenti i propozuar nga ana e tyre. Në amandamentin e tyre partitë shqiptare kërkuan që shqiptarëve t’u garantohen pesë mandate njëlloj si edhe më parë. Të drejtën për të pasur pesë mandate në Parlamentin e Malit të Zi deputetët shqiptarë e mbrojtën edhe gjatë debateve duke potencuar se kjo ishte më përfaqësuese për shqiptarët në Mal të Zi , duke përmendur dhe faktin se subjektet politike shqiptare ishin faktor vendimtar në pavarësinë e shtetit të Malit të Zi.
Por, pavarësisht të gjitha këtyre shumica parlamentare miratoi Kodin e ri zgjedhor dhe vendosi që shqiptarët në Mal të Zi do përfaqësohen në Parlamentin e Malit të Zi dhe do bëhen parti parlamentare atëherë kur të kalojnë pragun zgjedhor i cili me ligjin e ri zgjedhor është 3%. Partitë politike shqiptare shprehen pakënaqësitë e tyre duke argumentuar se kjo bie ndesh me parimet demokratike ku kemi të bëjmë me diskriminimin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe mohimin e drejtave të fituara.
Të jesh parti parlamentare, deputet do të thotë të përfaqësosh interesat e popullit tënd në atë parlament, të miratosh ligje që garantojnë dhe hapin perspektivë e të drejta të njerëzve , kulturave dhe platformave që përfaqësojnë duke u bazuar në rrethanat dhe fuqinë që kanë në atë parlament. Kështu përfaqësimi në radhë të parë është përgjegjësi shumë e madhe dhe për ketë të largosh përgjegjësitë politike nga vetja dhe t’i adresosh popullit të vet vetëm e vetëm për interesa personale e karierizma do të thotë të punosh kundër popullit të vet.
Në rastin tonë deputetët që përfaqësojnë shqiptarët në Malin e Zi duhet ta dinë e që tani do të duhet të thuhej se duhej ta kishin ditur se politika kurorëzohet me marrëveshje politike e jo më folklore politike. Bërja e politikës me finalizimin e marrëveshjeve politike shkon në dobi të shqiptarëve, kurse retorika e patriotizmit shterp shkon në dëm të shqiptarëve. Dija duhet të jetë imperative që një praktikë e tillë të realizohet. Shqiptarët në Mal të Zi janë kontribuuesit më të mëdhenj të pavarësisë dhe stabilitetit politik në Mal të Zi, dhe një qasje e tillë duhet të vazhdohet, sepse shembuj të tillë shqiptarët kanë dhënë në të gjithë rajonin. Por, ndjekja e një rruge të tillë s’do të thotë se shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre duhet të lejojnë politika diskriminuese.
Por a kishte një marrëveshje politike apo juridike në mes të subjekteve politike shqiptare dhe atyre nacionale malazeze në pavarësimin e Malit të Zi?
Jo. E them këtë, sepse deputetët shqiptarë nuk përmendin ndonjë marrëveshje rreth kësaj problematike.doshta siç duket interesat personale , karierizmat e shumë të tjera ishin më primare sesa interesat e shqiptarëve, përfshi këtu edhe propagandën politike. Derisa shteti i Malit të Zi vazhdon në konsolidimin dhe demokratizimin e tij subjektet politike shqiptare vazhdojnë hutinë që sjellë vazhdimisht dhe përçarjen dhe çdo herë më propagandën e tillë se pushteti qendror na i paska fajet duke mos marrë përsipër ato përgjegjësi që ne kemi mundësi t’i përmbushim.
Kjo ndodhi edhe me Kodin e ri zgjedhor ku përsëri akuzojnë e bërtasin sikur ka ndodhur diçka tragjike, diçka e cila ishte e papritur për ne. Në politikë nuk ka asgjë të papritur apo rastësi, çdo gjë projektohet me anë të një strategji nëse ke qëllime se ku do të arrish. Bërja e politikës nga subjektet politike shqiptare në këtë formë pa një strategji dhe një synim se ku do të arrijmë, dhe më e keqja vazhdimi i përçarjes politike në mes veti do na largojë jo vetëm nga Parlamenti i Malit të Zi, por edhe prej përfaqësimeve tjera.
Por a ka një zgjidhje dhe cila do ishte më e mira e mundshme?
Në radhë të parë duhet bashkëpunim, unifikim dhe koordinim i të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe hartimi i platformave politike për ardhmërinë e shqiptarëve në Mal të Zi. Pastaj e gjithë kjo nuk mund të arrihet pa kuadro dhe njohës të fushave që lidhen më këto problematika. Prandaj bashkëpunimi dhe koordinimi me specialistë të fushave është i domosdoshëm, në mënyrë që në një të ardhme të kemi qëllime të qarta dhe të plotësojmë jo vetëm skenën politike të Malit të Zi, por edhe të jemi faktorë dhe kontribuues kryesor në demokratizimin e Malit të Zi dhe në perspektivën e ardhshme drejtë Bashkimit Evropian.
Në fund duhet të theksoj se miratimi i Kodit të ri zgjedhor i cili parasheh një përqindje prej 3% që subjektet politike të bëhen parti parlamentare do të thotë bashkim i të gjitha subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët, gjithashtu hapjen e një përspektive të re të të bërit politikë ku me një vizion të qartë dhe një vullnet të mirë kësaj liste mund dhe duhet t’i bashkohen edhe subjekte tjera politike jo shqiptare. Po kështu në përfaqësim dhe në stafe profesionale duhet të përfshihen grupmoshat duke pasur si kriter gjithmonë përgatitjen profesionale. Bashkëpunimi , koordinimi dhe unifikimi i të bërit politik është formë e popujve të civilizuar dhe e vendeve demokratike.
Krejt në fund duhet të citoj mendimin e një politikani i cili thotë: “civilizimi arsimon , kultura edukon, i pari kërkon mësim e dyta meditim. Shkollimi ynë ndërton vetëm civilizimin tonë dhe vetë ai nuk kontribuon kulturën tonë”.

(Autori është jurist i diplomuar dhe kandidat për master në programin Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci)

KOHA JAVORE