Konferenca për Media e Gëzim Hajdinagës – 27.09.2011

September 27, 2011   | Lajmet / Vijesti, Ngjarjet - Events, Opinione

Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashur bashkëqytetarë, e dashura rini që  përherë më ke përkrahur e më ke bërë që të ndihem i ri, energjik dhe plot shpresë.
Sot janë bërë pesë vjet nga momenti kur ju të nderuar qytetarë në zgjedhjet e para e të lira më dhatë votëbesimin që të udhëheq Komunën e Ulqinit.
Në këto zgjedhje unë fitova bindshëm ndaj kandidatëve të tjerë, ndërkohë që  në raundin e dytë përsëri me ndihmën tuaj ku ishin të përfshira votat nga  tërë teritori ynë sigurova mbi 6300 vota, duke lënë anash prej mijera votash kandidatin tjetër që kish hyrë në garë.

E kam thënë dhe e përsëris vazhdimisht për mua kjo ka qenë nder, por dhe përgjegjësi e madhe. Jam përpjekur që të gjitha detyrat ti kryej me nder, besnikëri, paanëshmëri me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin. Mbetet në ju të vlerësoni punën time, të ekzekutivit dhe të arriturat, pse jo dhe mangësitë.

Ju të nderuar qytetarë, vlerësim keni dhënë gjatë zgjedhjeve, ku në mënyrë permanente partia Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe unë si bartës i listës  kemi siguruar përherë rritje. Rritja e votave në zgjedhjet e vitet 2006-2009 ka qenë në masë 85%.
Gjatë këtyre viteve punuam sëbashku dhe jetësuam premtimet e dhëna, falë kësaj pune të lodhshme e të mundimshme, sot Ulqini jovetëm sipas vlerësimit tonë është qytet i vlerave drejtë standarteve evropiane, ku harmonizohet zhvillimi i qendrueshëm me mrekullitë e natyrës, historinë, kulturën dhe njerëzit, qytet tërheqës për të jetuar, punuar e pritur miq e mysafirë.

Personalisht, asnjëherë nuk kam qenë i kënaqur gjithnjë kam kërkuar më  shumë, kjo nuk ka qenë aspak e lehtë, na është dashtur të ballafaqohemi me vështirësi shumë të mëdha, të natyrave të ndryshme, krizës por edhe grindje shtërpe dhe fajsime të paargumentuara nga ana e opozitës së cilës i ka penguar çdo gjë, çdo e arrirrë në qytet, por mbi të gjitha i kam penguar unë!

Edhe përkundër të gjithë kësaj në shumë lemi nisur nga e para ne ia dolëm mbanë të realizojmë pjesën më të madhe të premtimeve e këtë dhe me mbështetjen e madhe të Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga kryeministrit Shturanoviq, Gjukanoviq dhe kryeministri aktual Igor Llukshiq.

Për të folur për punët e bëra gjatë këtyre viteve duhet kohë por mjaft nga ta mund të vërehen, preken dhe të vlerësohen. Ne kemi investuar në akset rrugore në qytet dhe në fshatra.

Vetëm nëpërmes Drejtorisë për punë publike ne kemi asfaltuar  mbi 30  kilometra, asfaltime po bëhen edhe gjatë këtyre ditëve në lokalitetin Kodra, në Sukubinë dhe në 10 lokalitete të tjera. Po ashtu shuma të mëdha janë investuar në rikonstruksion trotuaresh.

Është vënë dorë në përmirësimin e infrastrukturës nëntoksore, po ashtu në  përmirësimin dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta, investime të konsiderueshme janë bërë në ndriçimin publik, nepërmes Drejtorisë për punë publike dhe nepërmjet investimeve që i kemi paraparë me buxhet.

Jemi munduar të prekim dhe të vemë dorë në çdo fushë!

Ia filluam nga urbanizmi ku gjendja nuk ka qenë aspak e volitshme, në këtë  segment mund të them lirisht se ia kemi nisur nga e para.

Si rezultat i punës tonë kemi aprovuar  planin general urbanistik , me një përfshirje 708 hektar i cili ishte plani i parë i aprovuar pas një periudhe shumë të gjatë.

Është aprovuar plani detal urbanistik për lokalitetin e Totoshit, si dhe ka përfunduar projekti urbanistik për Ranën i cili gjindet në ministrinë përkatëse për pëlqim.

Gjatë kësaj periudhe kemi përfunduar hartimin e 8 planeve urbansitike: Pinjesh 1 dhe 2, Rana, Meteriz 1, 2 dhe 3 si dhe Meraja 1 dhe 2.Të gjithë këto plane gjinden në Ministrinë përkatëse dhe presin aprovimin e saj.

Gjatë mandatit tone janë punuar shumë studime të lokacionit dy nga ta kanë të bëjnë me dy pompa benzine në Anë të Malit, dhe dy të tjera në funksion  të turizmit Liman 2 dhe Zogaj.

Njëherit rëndesi i kemi dhënë shtrirjes së qytetit si dhe zhvillimit të zonave rurale, në këtë drejtim kemi inicuar planin detal urbanistik për Fushën e Ulqinit dhe dy studime të lokacioneve për zonen e Shasit.

Pushteti ka krijuar kushte për vazhdimin e bulevardit Nënë Tereza nga Shtëpia e shëndetit deri në ndermarrjen komunale, si dhe paradispozitat për valorizimin turistik të Kruçit.

Ruajtja dhe valorizimi i trashëgimisë kulturore dhe historike ka qenë  preokupim permanent i ekzekutivit që kam drejtuar.

Jam ndjere krenar që ia dolëm mbanë të kalldremizojmë qendrën e qytetit, e sot të kemi Sheshin e ullirit të ndriçuar dhe të nxjerrim nga harresa krojet që datojnë shumë shekuj më parë. Me këtë edhe njëherë kemi vlerësuar që mbrojtja e trashegimisë kulturore paraqet një aspekt të shkëlqyer, për të cilin angazhohet ky qytet i lashtë.

Kur jemi tek trashegimia të theksojmë që ishim të parët që vumë një komunikim të shkëlqyer me krerët e besimeve fetare dhe i kemi dhënë  përkrahje përmanete dhe kemi bërë realitet kërkesat e tyre, veçmas ata në kthimin e pronës. Si rezultat i kësaj kemi drejtë përfundimit ndërtimin e Xhamisë së Marinerëve në Plazhin e vogel.

Të nderuar zonja dhe zotërinj, ne sot kemi rrugën kryesore të rregulluar, të asfaltuar, të ndriçuar, me trotuare moderne dhe pemë siç i ka hije një qyteti modern turistik. Për këtë kemi marrë vlerësime dhe konsiderata nga   institucionet relevante por edhe nga një numër i madh i mysafirëve dhe vizitorëve të Ulqinit.

Rana përherë ka qenë në fokusin tone. Ne ia dolëm mbanë të shmangim njëherë e përgjithmonë, objektet e llamarinës dhe objekte të tjerë që  rëndonin atë. Aksioni nuk ishte i lehtë, pati dhe qytetarë që u gjindën të prekur por pas përfundimit të punimeve në rrugë, trotuare, ndriçim dhe  rregullimin e hapësirave të gjelbërta, ishin ata të parët që na përgëzuan.

Rana është simbol i Ulqinit, andaj nuk u ndalëm me kaq, asaj gjatë kësaj vere iu shtua projekti i Kacemes, një investim i rëndë mbi 1milion euro, por që ia ka shtuar edhe më shumë hijeshinë jo vetëm kësaj pjesë të qytetit por edhe Kalasë. Monumentit mburojë të Ulqinit, ku ne ishim përsëri të parët që pas shumë vitesh pse jo dhe dekadash pastruam bedenat dhe vumë dorë në ndriçimin e saj dhe në rrjetin telefonik.

Gjatë këtyre viteve edhe përkundrejtë krizës globale përgatitëm me vëmendje të veçantë sezonat turistike e në këtë drejtim u arritën rezultate të lakmueshme . Sezonat e viteve të fundit sipas njohësve të kësaj dege,  vlerësohen si më të sukseshme në dy dekadat e fundit, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për sezonën e këtij viti e cila për fat të mirë ende vazhdon.

Ne kemi vënë dorë edhe në ndërrmarjet që finansohen nga buxheti, tani parku i zjarrëfikësave është krejtësisht ndryshe, janë siguruar dy automjete te reja e moderne, falë bashkëpunimit me diasporën u be e mundur dhe sigurimi i dy autoambulancave.

Angazhimi dhe zëri ynë është dëgjuar në takime ndërkombëtare, rajonale  dhe sot me kënaqësi mund të themi se Ulqini është shëndrruar në një qender të vlerësuar ku zhvillohen takime të rëndësishme.

Ne kemi qenë të angazhuar edhe në ththjen e fondeve të Bashkimit Evropian e me kënaqësi mund të konstatoj që projekti komunes do të marrë grantin  vlerë 230 mijë euro, mjete këto që do të përdoren për sforcimin e kapaciteteve pastruese të sipërmarrjes komunale, në rastin konkret blerjen e një kamioni për spastrimin e Plazhit të madh.

Mendoj se ndaj mendimin edhe me ju, se kemi realizuar një sërë aktivitetesh kulturore model edhe për qendra shumë më të mëdha se Ulqini. Gjatë tërë kësaj periudhe kemi pasur bashkëpunim dhe kemi financuar nepërmes konkurseve sektorin joqeveritar, kemi ndar bursa për studentë si dhe kemi përkrahur ekipe sportive, intelektual të fushave të ndryshme, shkolla dhe institucione të tjera.

Ashtu siç thashë lista e projekteve që kemi bërë është e gjatë por ju me të drejtë mund të pyeteni – A ka mundur më shumë të bëhet dhe a ka punë të tjera për tu bërë-  sigurisht që po! Në vazhdim do të veçoja disa projekte kapitale që kanë hyrë në fazën realizuese.

Ura mbi Port Milenë, një objekt ëndërr për shumë kend, një objekt fantazëm për një grup të opozites, një objekt që është etiketuar me lloj-lloj fjalësh, sot ajo është realitet. Është objekt me një kosto rreth 14 milion euro, që nga dita në ditë po hedh shtat.

Ujësjellësi rajonal është një projekt tjetër i rëndësishëm i cili pritet të vihet në funksion vitin e ardhëshëm.

Deponia sanitare është një tjetër investim i rëndësishëm, që do të japë zgjidhjen për deponimin e plehrave konformë standarteve.

Angazhim dhe kërkese permanente e jona ka qenë standartizimi dhe  zgjerimi i rrugës Ulqin-Sukubinë e në këtë drejtim kemi marrë jo vetëm premtime nga ana e Qeverisë, por edhe ka përfunduar elaborati për eksproprijim. Nevojë e kohës është qendra sportive në Plazhin e madh e për ndërtimin e këtij kompleksi që do të jetë veçmas ne funksion të të rinjve  kemi krijuar kushtet e duhura.

Të dashtur bashkëvendas,

Si përherë dua të jem deri në fund i sinqertë me ju! Tju them me sinqeritet të plotë këto projekte të nisura për të cilat jam munduar jo pak do të kisha dëshiruar ti shihja të përfunduara, ata që më njohin e dijne se qëllimi im është plotësimi  i nevojave të qytetarëve të mij.

Pikërisht në momentin kur ne ishim në përfundim të aktiviteteve ashtu siç ishim dakorduar me partnerët e koalicionit e ku sipas marrëveshjes me ta isha unë kandidat për kryetar të Komunës, katër nga ish këshilltarët e Unionit Demokratik të Shqiptarëve braktisën partinë dhe i bashkangjitën një shumice tjetër.

Nuk di sa ia vlen të merremi me ta, nuk gjejë fjalë dhe shprehi për ta, kanë qenë bashkëpunëtorët e mij prej vitesh. I kam nderuar dhe respektuar dhe të njejtën gje e kam ndjerë edhe tek ta, ndërkohë që realiteti dëshmon diçka ndryshe. Nuk e kam pritur!

Nuk dëshiroj të justifikohem, por ata dhe të gjithë anamalasit e dijnë fort mirë se çfarë angazhimi ka bërë koalicioni qeverisës, ekzekutivi dhe unë personalisht për Anën e Malit. Këtë e kemi patur obligim dhe besoj se atë e kemi kryer me nder. Por mbetet në nderin e tyre që të shihet se kush i ka shtyrë, çfarë qëllimesh kanë patur dhe përse ka ngjarë tërë kjo në momentin kur unë është dashtur të marr votëbesimin për mandatin e dytë. Këte do ta dëshmojë koha!

Të dashur motra dhe vëllezër,

Mendoj se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, ne nuk duhet të urejmë, nuk duhet të ndahemi.

Une dua të vazhdoj të jetoj në këtë qytet jo vetëm si një njeri që ka qenë në krye të kësaj komune, por si një qytetar i  ndershëm me qytetarinë që e karakterizon çdo ulqinak.

Besimi i bën gjërat të mundura, ndërsa dashuria të lehta.

Me një përshëndetje të përzemërt, falenderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur.

E përsëris atë që shpesh ia kam përsëritur edhe kundërshtarëve politik –

e rëndësishme është të punojmë sëbashku. Sepse vetëm bashkë do të bëjmë të mundur ndryshimin e madh për Ulqinin dhe se vetëm bashkë do të krenohemi për Ulqinin evropian.

Përsa më përket mua ju siguroj se pa marr parasysh në cilin pozicion do të jem, unë do të jem partner me pushtetin dhe me gjithë ata që të vetmin qëllim kanë përparimin e qytetit tonë

Faleminderit të nderuar qytetar për vëmendjen e treguar, faleminderit edhe  ju përfaqesues të medijeve!

Municipality of Ulcinj / Ulqin – Arsllan Hajdinaga

20