Shasi: Emrat e monumenteve si relikte të emërtimit të vendbanimeve

October 1, 2011   | Shoqëria / Društvo

Prof. dr. Iljaz Rexha
Të dhëna onomastike dhe demografike për Shasin dhe vendbanimet e nahijes së Bunës së Përtejme sipas defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI (2)
Siç dihet, kah fundi i shekullit XV në kuadër të Sanxhakut të Shkodrës u formua nahija e Bregut të Përtejmë apo e Anës së Malit, si njësi administrative osmane, ku në fillim ishin të regjistruara vetëm 20 vendbanime të kësaj ane, ndërsa në fund të shekullit XVI, pikërisht në vitin 1582, është formuar nahija   e re administrative, me emrin e modifikuar nahija e Bunës së Përtejme, ku tani për herë të parë ishin regjistruar edhe 40 vendbanime që më herët s’kishin qenë të përfshira në sistemin e timarit osman, e që gjithsej përbënin 60 vendbanime të hapësirës së Anës së Malit. Meqë jemi duke folur për monumentet e kultit dhe ato kulturo-historike të kësaj treve, sipas të dhënave onomastike që ofrojnë defterët, shihet qartë se emrat e këtyre monumenteve sakrale dhe të institucioneve religjioze janë ruajtur si relikte në format e toponimizura brenda emërtimit të vendbanimeve të cilat tanimë nuk ekzistojnë. Vendbanimi Shasi del të përmendet në burimet mesjetare me trajta të ndryshme të formave, si p. sh. Sfacium, Soacium, Soacia, Suazo, Sovaci, Shas dhe Svaç, ndërsa në defterë është regjistruar me formën turke Ifshas, me shkronjën protetike i për shkak të shqiptimit më të lehtë të natyrës së gjuhës turke. Si duket, fshati i tashëm, Shas – Fshas (formë turke) që është themeluar në mesjetën e vonë, e ka ruajtur dhe e ka trashëguar emrin e qytetit të Shasit antik dhe të mesjetës së hershme, i cili tani gjendet mbi Liqenin e Shasit. Ky fshat në vitin 1485 kishte vetëm dy shtëpi me dy kryefamiljarë: Martin Korona dhe Mika Armeni, ndërsa në vitin 1582 vendbanimi ishte rritur në 29 shtëpi, me 3 beqarë dhe 8 pronarë të çifligjeve. Prej kryefamiljarëve, 28 mbanin antroponimi tipike të krishterë tradicionale shqiptare, ndërsa 8 kryefamiljarë mbanin emra orientalë. Në mesin e këtyre kryefamiljarëve hasim edhe në dy priftërinj katolikë: Gika Don Preni dhe Dedë Donza, ku shihet se në këtë vendbanim mesjetar ka ekzistuar një monument kulti, si objekt fetar. Në pjesën e dytë të këtij punimi do t’i japim antroponimet dhe patronimet e të gjithë kryefamiljarëve, për çdo vendbanim, si zot shtëpie që i kanë shlyer detyrimet fiskale ndaj administratës osmane. Në afërsi të Shasit del i regjistruar vendbanimi me emrin Klishani, me formën e vjetër të protoshqipes, që semantikisht përputhet me formën e sotme kishë. Në këtë rast vendbanimi në fjalë e kishte ruajtur emrin e kishës së hershme. Si duket, ky vendbanim mesjetar ka të bëjë me Kleshnen -Klleznën e sotme në afërsi të Liqenit të Shasit. Ky fshat në vitin 1582 kishte 38 shtëpi, 6 beqarë, 4 pronarë me çifligje. Në mesin e kryefamiljarëve kemi dy priftërinj katolikë shqiptarë si Dom Prendi dhe Dom Gjoni. Antroponomia dhe patronimia e kryefamiljarëve në përgjithësi ishte e sferës latino-romane të traditës së krishterë shqiptare me forma të shqipes, 38 kryefamiljarë kishin emra kalendarikë të krishterë, ndërsa 4 kryefamiljarë mbanin emra të sferës islame orientale. Vendbanimi tjetër Shën Gjergji, që e kishte marrë emrin pikërisht sipas kishës që ekzistonte më heret me këtë emër, bënte pjesë në nahijen e Bunës së Përtejme dhe në vitin 1485 kishte tri shtëpi me tre kryefamiljarë me antroponimi të krishterë, ndërsa në vitin 1582 kishte 20 shtëpi me 26 kryefamiljarë. Antroponimia e këtij vendbanimi ishte krejtësisht e sferës latino-romane dhe tradicionale shqiptare. Në mesin e kryefamiljarëve kemi dy priftërinj katolikë Dom Nika dhe Dom Andre. Në këtë vendbanim ishte regjistruar vakëfi dhe pasuria e kishës së Shën Gjergjit dhe bashtina e Dom Andresë, por jo edhe kisha si institucion fetar, andaj nuk kemi të dhëna për kishën e sotme që ekziston në këtë vendbanim. Nëse kjo kishë është e hershme para osmane në Anë të Malit apo e kohës pas depërtimit osman, mbetet të verifikohet nga burimet e tjera arkivore. Vendbanimi Shën Todër në vitin 1485 kishte mbetur jashtë regjistrimit, ndërsa në defterin e vitit 1582 kishte 20 shtëpi, 5 beqarë e 4 pronarë me çifligje. Edhe këtu shihet se ka ekzistuar kisha e hershme meqë në këtë vendbanim hasim të regjistruara 3 mikrotoponime me emra të priftërinjve katolikë shqiptarë: bashtina Mark Dom Nika, bashtina Dom Minuka dhe bashtina Domina. Në afërsi ku sot ekziston xhamia, quhet një mikrotoponim me emrin Vendi i Kishës. Nga 25 kryefamiljarë me antroponimi tradicionale të krishterë shqiptare, vetëm 4 kryefamiljarë që kishin kaluar në islam mbanin atroponomi islamo-orientale. Vendbanimi Shën Koli ishte regjistruar edhe në regjistrin e kadastrës venedikase të vitit 1416-1417 me 12 shtepi, ndërsa në vitin 1485 ishte regjistruar se i takonte Shkodrës, por që ndodhej në anën e kufijve të kalasë së Ulqinit. Gjatë regjistrimit të vitit 1485, banorët e tij ishin në arratisje e sipër dhe kësaj radhe, ata fare nuk kishin ardhur për t’u regjistruar, andaj nuk figurojnë emrat e kryefamiljarëve për këtë vit. Sipas regjistrit kadastral osman të vitit 1582, Shën Koli i takonte nahijes së Bunës së Përtejme dhe kishte 32 shtëpi, 7 beqarë dhe 4 pronarë me çifligje. Nga këta kryefamiljarë 35 banorë kishin antroponimi të sferës latino-romane dhe tradicionale shqiptare, ndërsa 4 kryefamiljarë me çifligje mbanin antroponimi islamo-orientale. Në këtë vit nuk ishte regjistruar kisha e moçme me emrin Shën Koli si monument i kultit, emrin e të cilit e mbante e edhe sot e kësaj dite e mban ky fshat. Për kishën e tashme që sot ekziston në këtë vendbanim nuk kemi kurrfarë të dhënash se kur është ndërtuar, para ose pas depërtimit të osmanëve në Anë të Malit. Vendbanimi Shën Petra i takonte nahijes së Bunës së Përtejme. Më herët ishte i banuar, ndërsa në vitin 1582 ishte regjistruar si trollishtë e braktisur, e cila gjendej në afërsi të fshatit Muriqan, në posedim të Aliut dhe Mehmetit, bijve të Hasanit, në bazë të së drejtës së tapisë të lëshuar nga Kasem beu, me të ardhura vjetore 100 akçe. Edhe nga vet emri i këtij vendbanimi, shihet qartë se fshati ishte pagëzuar sipas monumentit të kultit fetar të krishterë që më herët ekzistonte. Në vendbanimin Ublik del i regjistruar mikrotoponimi apo bashtina me emrin Shen Andrea. Në Brajshë del i regjistruar prifti katolik shqiptar me emrin Don Gjoni, ku është ruajtur mikrotoponimi me emrin Vendi i Kishës. Në Zogaj i Madh ishte regjistruar prifti katolik shqiptar me emrin Dom Deda, në Goricë është regjistruar prifti katolik Dom Gjon Prokshi, në Bukmir i Vogël ishte regjistruar mikrotoponimi – bashtina me emrin e priftit katolik shqiptar Andre Domina, në zotërim të Jozef At Gjonit.

Koha Javore
YouTube Preview Image