KNSH në MZ,organizoi Simpoziumin shkencor ndërkombëtar në Ulqin – Video

October 3, 2011   | Kulturë / Kultura

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi organizoi të dielën Simpoziumin shkencor ndërkombëtar me temë “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar”

Kontribut për studimet dhe kulturën shqiptare

Studiues nga të gjitha trevat shqiptare kanë marrë pjesë të dielën në Simpoziumin shkencor ndërkombëtar të organizuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, me temë “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar”, që u mbajt në hotelin “Mediteran” në Ulqin. Kryetari i KNSH-së Tahir Tahiri, në fjalën përshëndetëse ka thënë se është një privilegj që ky simpozium mbahet në Ulqin, “në këtë qytet sa madhështor me bukuritë dhe resurset e veta, aq edhe krenar me lashtësinë e tij”. Ai ka falënderuar studiuesit pjesëmarrës për ndihmesën e tyre për kultuën kombëtare. “Jemi të nderuar që kemi rastin të dëgjojmë kumtesa shkencore nga studiuesit më të spikatur të letërsisë dhe fushës së identitetit kombëtar shqiptar”, ka thënë Tahiri. Kryetari i Këshillit organizues të Simpoziumit, mr. Ismail Doda, ka thënë se ky është tubimi i parë shkencor në Malin e Zi që i kushtohet folklorit shqiptar, përkatësisht letërsisë gojore dhe si i tillë i pari mbarëkombëtar me temën bosht “Letërsia gojore dhe identiteti kombëtar shqiptar”. Sipas tij, “ndërprerja e mbajtjes së Seminarit Ndërkombëtar ‘Shkodra ndër shekuj’ pas vitit 2005, shkaktoi zbrazëti në këtë lëmi”. Doda ka theksuar se me kompetencë shkencore dhe përkushtim në këtë simpozium shtrohen dhe shqyrtohen dukuri shumëdimensionale rreth një teme dhe qëllimi të përbashkët. “Jemi një komb, kemi një kulturë, një histori, një letërsi dhe çdo element të përbashkët për identitetin tonë kombëtar. Ky është edhe pikësynimi i qartë i organizimit dhe mbajtjes së këtij simpoziumi shkencor ndërkombëtar”, ka vijuar ai. Të gjithë studiuesit pjesëmarrës e kanë vlerësuar rëndësinë e organizimit të simpoziumit për studimet dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Prof. Dr. Miaser Dibra, drejtoreshë e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ka thënë se Instituti mbështet organizimin e këtij simpoziumi, sepse siç ka thënë ajo, “është detyra jonë, objektivi ynë, puna jonë e përditshme për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar, për ta studiuar atë, për ta parë në raport me vendet e tjera të Ballkanit, të rajonit dhe të botës”. Sipas saj, tema e simpoziumit është me shumë interes. “Populli shqiptar e mbron identitetin e tij vetë kudo që është. Është krenar për prejardhjen e vet, është krenar për emrin shqiptar, kudo ku ai jeton. Kufijtë gjeopolitikë nuk janë të rëndësishëm dhe janë të vonshëm në raport me vjetërsinë mijëravjeçare që kemi ne si popull këtu. Në këtë kuptim, ne mbrojmë njëri tjetrin, studiojmë për të dhe jemi një etni e unifikuar shpirtërisht dhe kemi një identitet të përbashkët”, ka thënë Dibra. Prof. dr. Enver Mehmeti nga Universiteti i Prishtinës ka vlerësuar me shumë rëndësi rrethanat e reja të krijuara të cilat mundësojnë që studiuesit nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia të tubohen dhe të punojnë të papenguar në afirmimin e mëtutjeshëm dhe avancimin e studimeve albanologjike. “Rrethanat e reja demokratike që po krijohen në rajon na mbushin me shpresë se në të ardhmen do të krijohen mundësi dhe kushte edhe më të mira për studime në fushat albanologjike”, ka theksuar ai. Për prof. dr. Zeqirja Nezirin nga Universiteti i Shkupit, Ulqini dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi kanë një traditë të lashtë në kulturën shqiptare dhe kanë qenë pjesë përbërëse të qëndresës shqiptare në historinë shekullore kundër të gjithë pushtuesve. Këto të gjitha, sipas tij, janë trajtuar në këngët epike. “Ulqini me krahinat përreth janë ato vatra që kanë ruajtur traditën e këndimit epik dhe ndër vatrat kryesore të traditës shqiptare, me të cilën ne krenohemi sot që kemi një këndim të lashtë, jemi ndër popujt e vetëm të popujve të Ballkanit që kemi ruajtur dhe kemi trashëguar në aspektin oral, pa e kodifikuar këndimin epik, nëpërmjet rapsodëve dhe këngëtarëve tanë”, tha ai. Në simpozium janë prezantuar 18 kumtesa që trajtojnë probleme të ndryshme të rolit dhe kontributit të letërsisë gojore në identitetin kombëtar shqiptar, të cilat pritet që në të ardhmen të botohen në një publikim të posaçëm.

I. Kallaba
Koha Javore
PËR TE SHIKUAR ME TEPER FOTOGRAFIA  NGA TAHIR TAHIRI FACEBOOK


YouTube Preview Image