Shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë toponime shqip për vendbanimet

October 5, 2011   | Shtypi / Mediji

Foto Montazhe

Podgoricë, 5 tetor – Klubi i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi i ka adresuar kryekuvendarit malazias, Ranko Krivokapiq, katër amendamente lidhur me draftin e Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi që kanë të bëjnë me definimin e përdorimit të toponimeve shqip në mjediset autoktone shqiptare, Ulqin, Tivar, Malësi, Plavë dhe Rozhajë.

Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, thotë për KosovaLive se Kushtetuta e Malit të Zi përcakton komunën si formë themelore të qeverisjes lokale dhe mbi këto baza vlerësojmë se të ashtuquajturat “Komuna urbane” nuk sigurojnë të drejtën dhe mundësinë e popullatës vendore, as pushteteve të atyre niveleve të miratojnë dhe realizojnë vendime, masa të nevojave të tyre të planifikimit.

“Në këtë ndërlidhje vlerësojmë se Malësia, me qendër në Tuz, i plotëson të gjitha kushtet që të jetë komunë edhe në këtë frymë vendbanimet e saj nuk mund të jenë në kuadër të një pjese përbërëse të territorit të kryeqytetit, Podgoricës”, thotë Bardhi.

Ai shton se me Kushtetutën e Malit të Zi thuhet se e drejta në qeverisjes vendore përfshin të drejtën e qytetarëve dhe të organeve të qeverisjes vendore që të rregullojë e menaxhojë me disa veprimtari publike mbi bazat e përgjegjësisë së vet dhe në interesin e popullatës lokale.

Klubi i deputetëve të partive parlamentare opozitare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, të cilin e përbëjnë Mehmet Bardhi, Genci Nimanbegu dhe Vasel Sinishtaj, në arsyetimin e amendamenteve të deponuara thuhet se “Drafti i Ligjit mbi organizimin territorial të Malit të Zi nuk sjellë decentralizimin e dëshiruar, por as kushtet për një zhvillim më të hovshëm të komunës së Malësisë, e kjo imponon nevojën e themelimit të komunës së plotë të Malësisë“.

KOHA NET

1