Udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit jep alarmin,Biblioteka s’mbahet gjallë me libra të falur

October 12, 2011   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit jep alarmin

Biblioteka s’mbahet gjallë me libra të falur

 (Lexuar me rastin e dhurimit të 500 librave,  Bibliotekës së Ulqinit nga shkrimtari Moikom Zeqo, më 4 tetor 2001)

         Ardita Rama, udhëheqëse e Bibliotekës së Ulqinit

Biblioteka nuk mund të mbahet gjallë me donacione. Ato janë shumë të çmuara, por biblioteka duhet të furnizohet vazhdimisht e në mënyrë të planifikuar jo vetëm me libra, por edhe me material tjetër bibliotekar.

Shkaku pse jemi mbledhur këtu është dorëzimi i një donacioni të librave Bibliotekës sonë nga ana e zotëri Moikom Zeqos. Janë rreth 500 libra në gjuhën shqipe nga biblioteka e tij personale të cilat menjëherë pas regjistrimit do t’i vendosim në raftet e Bibliotekës dhe shumë shpejt do të gjenden në duart e lexuesve. Unë e falënderoj zotëri Zeqon për këtë dhuratë të çmuar dhe në emër të të gjithë anëtarëve të Bibliotekës e të gjithë qytetarëve të Komunës së Ulqinit. Nuk është dhurata e parë e zotëri Zeqos për Ulqinin, sepse ai edhe një pjesë të veprimtarisë së tij ia kushtoi mu Ulqinit  e me këtë donacion e forcoi edhe më shumë lidhjen e tij me Ulqinin dhe qytetarët e tij.

Kjo dhuratë është e mirëseardhur për Bibliotekën tonë, pikë së pari duke ditur situatën e vështirë në të cilën gjendet ajo për vite me radhë. E harruar apo e lënë pas dore,  me qëllim, ky institucion kaq i rëndësishëm i kulturës viteve të fundit lufton me forcat e fundit për të mbijetuar. Si pasojë e  financimit të saj jo të rregullt, pothuaj të shkëputur me muaj të tërë, e lënë “në harresë” nga themeluesi, pra komuna e Ulqinit, ajo furnizohej shumë rrallë me botime të reja. Natyrisht, kjo e vështirëson shumë punën, por falë donacioneve nga institucione e individë, dashamirë të librit e të Ulqinit,  Biblioteka  deri diku ka arritur t’i përgjigjet nevojave të lexuesit.

Me këtë rast do të përmendi donacionin e bërë  ditë më parë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sektori i Bibliotekave i Republikës së Kosovës. Më 16 shtator, udhëheqësi i këtij Sektori, z. Ramadan Beshiri, i solli Bibliotekës  169 libra, 51 tituj.  Librat e dhuruara janë edhe botime profesionale nga fusha e bibliotekarisë, të cilat i kemi shumë të nevojshme për zhvillimin e mëtejmë të veprimtarisë bibliotekare në komunën tonë.

Botime kanë dhuruar edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës,  Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës,  biblioteka “Marin Barleti” nga Shkodra si dhe shumë donatorë të tjerë, në mesin e të cilëve janë:  Bashkësia Islame e Ulqinit, familja e dr. Ramiz Hafizit nga Shkodra, shoqatat Art Club dhe Plima, dr. Gani Karamanaga, prof. dr. Ruzhdi Ushaku, shkrimtari Hajro Ulqinaku, e shumë e shumë të tjerë të cilët qoftë edhe më një libër dhanë kontributin e tyre në pasurimin e fondit të librave të Bibliotekës. Faleminderit të gjithëve!

Mirëpo, biblioteka nuk mund të mbahet gjallë me donacione. Ato janë shumë të çmuara, por biblioteka duhet të furnizohet vazhdimisht e në mënyrë të planifikuar jo vetëm me libra, por edhe me material tjetër bibliotekar. Përkufizimi i bibliotekës si vend ku ruhen vetëm libra, kaherë është tejkaluar. Biblioteka sot paraqet një qendër të grumbullimit, përpunimit dhe dhënies në përdorim të të gjitha llojeve të informacioneve, të publikuara në çfarëdo lloj forme, duke filluar nga libri më i thjeshtë me ilustrime për fëmijë të vegjël e deri te materialet e specializuara shkencore e te informacioni i marrë përmes internetit. Bibliotekaria si shkencë mund të përkufizohet si organizim i njohurive njerëzore, me qëllim që këto të dhëna të vihen maksimalisht në dispozicion të përdoruesit të saj. Për të arritur këtë qëllim, Biblioteka e Ulqinit ka ende rrugë për të bërë.

E themeluar diku rreth vitit 1884, edhe pse ka mendime që është themeluar në vitin 1881, çka mbetet të hulumtohet, është ndër bibliotekat e para të themeluara në Malin e Zi. Me dy reparte të ndarë edhe fizikisht, repartin për të rritur dhe repartin për fëmijë, me dy salla të leximit, me fond mbi 65.000 libra, për fëmijë e për të rritur, fond të librave shkencorë, fond referal, fond të vendlindjes, fondin e periodikut, si dhe me skedarë alfabetikë sipas autorit dhe titullit në dy gjuhë, ajo shquhet ndër bibliotekat më të organizuara në rajon. Me rëndësi është të përmendet edhe fakti se është e vetmja bibliotekë shqipe në territorin e Malit të Zi, sepse fondi i bibliotekës është kryesisht në gjuhën shqipe dhe në atë malazeze, si dhe një pakicë në gjuhë të huaja. Ka një ekip profesional të të punësuarve, për çka mund t’i ketë lakmi çdo bibliotekë, pasi që të gjithë të punësuarit janë librarë dhe bibliotekarë të kualifikuar. Falë punës së tyre të palodhur, kujdesit, angazhimit të përbashkët e përgjegjësisë profesionale, biblioteka i bëri ballë stuhive të viteve të fundit. Vazhdimisht në Bibliotekë, përkundër gjendjes së vështirë materiale, janë organizuar  manifestime kulturore, përurime librash, mbrëmje letrare, takime me shkrimtarë të ndryshëm, gara të ndryshme letrare e të recituesve, është vazhduar me bashkëpunimin e mirë me bibliotekat e tjera, por edhe me institucione, shoqata të ndryshme e OJQ në vend e jashtë tij.

Për kontributin e dhënë në mëkëmbjen, ruajtjen, begatimin e ngritjen e nivelit organizativ e profesional të Bibliotekës, meriton të përmendim dhe të falënderojmë ish- mësuesin, punëtorin e drejtorin e Bibliotekës, z. Fadil Kromën, në pension si dhe znj. Meleqe Bardhin, bibliotekisten e parë profesionaliste. Me angazhimin e pakursyer të tyre, përveç të tjerave, është arritur që të bëhet shpëtimi i fondit të librave pas tërmetit katastrofal të 15 prillit 1979, që goditi edhe Ulqinin. Falë punë së tyre librat janë nxjerrë  nga rrënojat, shpëtuar nga shiu, janë vendosur të gjitha në thasë prej plasmasi dhe janë  ruajtur në hapësira të sigurta,  deri në ndërtimin e bibliotekës, godinës së sotme.

Unë besoj se para nesh kemi ditë më të mira dhe se do të arrijmë t’i mbërrijmë në hap bibliotekat e tjera, e pse jo edhe t’i tejkalojmë. Kemi bazën, kemi dijen, uroj të kemi edhe përkrahjen. Brenda këtyre mureve ruhet e kaluara jonë, e tashmja dhe e ardhmja!

Ardita Rama, udhëheqëse e Bibliotekës së Ulqinit

YouTube Preview Image
1