Klubi i karatesë Ulqini shkëlqen në Gjilan

October 18, 2011   | Sporti / Sport

Të dielen, më 16 tetor 2011 në Gjilan të Kosovës u mbajt Turneu i 6-të ndërkombëtar i karatesë “Katana Open 2011”, në të cilin morën pjesë 34 klube me mbi 450 garues nga Shqipëria, Gjermania, Serbia, Maqedonia, Bosna e Hercegovina, Lugina e Preshevës, Kosova dhe nga Mali i Zi.

Turneu u organizua në një nivel të lartë nga klubi… vendas i karatesë “Dardania” dhe Federata e Karatesë së Kosovës, ndërsa konkurrenca ishte mjaft e fortë. Klubi i Karatesë “Ulqini” shkëlqeu në këtë turne ndërkombëtar duke arritur rezultate mjaft të mira, si në kata po ashtu dhe në luftëra. Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë me 22 garues, të cilët u kurorëzuan me gjithsej 31 medalje: 10 të arta, 12 të argjendta dhe 9 të bronzta. Të gjithë garuesit e këtij klubi që morën pjesë në turne u kurorëzuan me medalje, çka dëshmon për përgatitjen dhe nivelin e lartë të tyre. Nga KK “Ulqini” me medalje të arta u shpërblyen: Diellëza Rama, Rexhep Shaba, Teufik Shurdha, Behlul Peri, Antigona Rama, Hantije Ibroçi, Dardan Ceka, Mark Daboviq, Nderim Cuca dhe Jeton Luka.

Përveç këtyre medaljeve këta garues u kurorëzuan edhe me medalje të tjera. Me nga disa medalje të tjera u shpërblyen këta garues: Eliza Salihu, Izabella Ivanoviq, Edin Kraja, Venesa Nuhi, Sretena Gjuriq, Allmir Hajdari, Viktor Curoviq, Gabriell Bytyqi, Bledar Seferi, Ensar Marshiq dhe Nermin Suma.

Ishte ky një rezultat pak a shumë i pritur nga garuesit tanë, të cilët e dëshmuan që janë shumë mirë të përgatitur. Jemi të sigurtë që këto rezultate do t’i përsërisim edhe në të ardhmen, – shprehen të kënaqur udhëheqësit e këtij klubi dhe trajnerët pasi që ditë më parë edhe paralajmëruan që presin një sukses të mirë nga garuesit e tyre.

Trajnerët e KK “Ulqini” falënderojnë sponsorët që mundësuan pjesëmarrjen e klubit në Turneun “Katana Open 2011” – Final Trade dhe burektoren “Pelivan”, pastaj udhëheqësinë e Klubit – kryetarin e klubit zotëri Loro Nrekiqin, drejtorin e marketingut Skender Tahirin dhe trajnerin më të vjetër në komunën tonë, mësuesin tonë të karatesë Gjergj Daboviqin, të cilët në vazhdimësi po japin kontributin e tyre për zhvillimin e klubit dhe të sportit të karatesë në përgjithësi në komunën e Ulqinit e më gjerë. Ata falënderojnë po ashtu organizatorin Maliq Maliqi për mikpritjen e veçantë që i bëri ekipit të KK “Ulqini” në Gjilan.

Shërbimi informativ i Klubit të karatesë “Ulqini”