Integrimi i shqiptarëve në Mal të Zi është asmilim – Nga Cafo Boga

October 27, 2011   | Opinione

Quo vadis shqiptarët e Malit të Zi (13)
Shqiptarët në Malin e Zi nuk duan të integrohen dhe të asimilohen në kulturën e grupit etnik malazez; ata preferojnë të ruajnë identitetin e tyre kombëtar shqiptar, kulturën shqiptare dhe territorin e tyre në kufijtë e njohur mirë
Kriteri thelbësor për zgjidhjet me integrim është që shumica e gjerë e të dyja grupeve etnike që jetojnë në territorin në fjalë të jenë në favor të integrimit. Duke marrë rastin e Alsasës (një territor me popullsi gjermane në Francë), pakica e jashtme dëshironte të integrohej në shtetin-bujtës dhe shteti bujtës nuk e kundërshtoi idenë e integrimit me një grup tjetër etnik. Kjo do të thotë gjithashtu se segmentimi etnik ishte shumë i ulët dhe politikisht i parëndësishëm. Popullata në rajonin e Alsasës e konsideron veten si franceze dhe është pranuar si e tillë me disa veçanti rajonale lidhur me dialektin dhe ruajtjen e shkollës së saj konfesionale. Në përgjithësi numri i çështjeve të pazgjidhura që mund të etnicizoheshin ishte relativisht i ulët, shkalla e bashkëpunimit ndërmjet elitave rajonale dhe qendrore si dhe ndërmjet alsasianëve dhe francezëve nga pjesë të tjera të vendit ishte shumë e lartë.

Integrimit që çon në asimilim është qartazi i pazbatueshëm
Çarjet që ekzistojnë janë më shumë të bazuara në ideologjinë klasore apo fetare dhe nuk shihen si të natyrës etnike. Përsa i përket marrëdhënieve të Francës me Gjermaninë, nuk ka pasur asnjë përzierje me procesin e integrimit që nga viti 1945 dhe nuk ka pasur asnjë pretendim territori. Ripajtimi franko-gjerman dhe integrimi i Gjermanisë në aleancat europiane dhe transatlantike e kanë bërë këtë çështje pothuajse të parëndësishme, duke krijuar kështu përfitimet dhe kuadrin ndërkombëtar të nevojshme për jetëgjatësinë e zgjidhjes. Në përgjithësi, integrimi si një zgjidhje model për konfliktet etno-territoriale dhe ndërkufitare është rezultat i një traktati ndërmjet dy shteteve të përfshira që rregullon çështjen e sovranitetit dhe që nuk para bazohet në ndonjë marrëveshje formale mes palëve në konflikt. Në momentin që procesi i integrimit është përfunduar, normalisht është i pakthyeshëm, përveçse me anë të ndonjë politike të qëllimshme çasimilimi. Vetë natyra e integrimit bën që në harkun e një apo dy brezave, çështjet etnike në një situatë ideale nuk do të luajnë më rol në sferën publike, siç është e qartë sot në Alsasë.
Në rastin e konfliktit etno-territorial ndërmjet pakicës shqiptare dhe shumicës malazeze në Malin e Zi, modeli i integrimit që çon në asimilim është qartazi i pazbatueshëm. Shqiptarët në Malin e Zi nuk duan të integrohen dhe të asimilohen në kulturën e grupit etnik malazez; ata preferojnë të ruajnë identitetin e tyre kombëtar shqiptar, kulturën shqiptare dhe territorin e tyre në kufijtë e njohur mirë. Që nga dita kur këto troje shqiptare u bënë pjesë e Malit të Zi sovran në vitin 1880, qeveria malazeze ka zbatuar një strategji që ka pasur si synim ndryshimin e menjëhershëm demografik duke e populluar rajonin me malazezë etnikë. Princi Nikolla (më vonë i vetshpallur mbret) deklaroi se “duke sjellë malazezë në rajon, nga Mali i Mozhurit në Lumin Buna, rajoni do të bëhet malazez… Karakteri i theksuar shqiptar i rajonit do të dobësohet dhe në fund do të shuhet përfundimisht”. Në librin e tij, “Ulqini dhe politikat malazeze: 1881-1912”, magjistër Riza Rexha vë në pah strategjinë konkrete të qeverisë malazeze për të kolonizuar trojet e pushtuara shqiptare nëpërmjet arsimit dhe popullimit të rajonit me malazezë. Megjithatë, shqiptarët kundërshtuan me anë të mjeteve paqësore politikat e Mbretit Nikolla dhe regjimeve që pasuan, të cilat vazhduan përpjekjet për asimilimin e popullsisë shqiptare, ndërsa vazhduan t’i shtynin drejt emigrimit.

Konsociasioni
Palët në konflikt, në Tirolin e Jugut, (një territor me popullatë austriake në Itali) pranuan një marrëveshje me strukturë konsociasionale në vitin 1969 si zgjidhja më e mirë e mundshme. Besnikëritë e tepruara territoriale, një numër i vogël partish politike mes grupeve etnike gjermane dhe prania e përçarjeve të thella ishin të gjitha kushte apo faktorë thelbësore për arritjen e një zgjidhjeje konsociasionale dhe qendrueshmërinë e saj. Për më tepër, fakti që sovraniteti italian mbeti jashtë diskutimit ishte një tjetër kriter specifik që ndikoi në qendrueshmërinë e kësaj zgjidhjeje. Të gjitha çështjet e tjera të konfliktit u zgjidhën gradualisht brenda kuadrit institucional për të cilin ishte rënë dakord dhe pa përdorur dhunën. Mbi të gjitha, institucionet e përfshira ishin mjaftueshëm tolerante duke rehatuar ndryshime në strukturat e interesit të të dy grupeve etnike. Në përgjithësi, shumica brenda grupeve etnike ishte e kënaqur me natyrën e zgjidhjes së brendshme.
Interesat e përbashkëta territoriale dhe besnikëritë ekzistuese kundrejt institutioneve të krijuara sipas marrëveshjes ndihmuan në rritjen e vazhdueshme të bashkëpunimit ndërmjet dy grupeve etnike; si italianët në provincë, ashtu edhe institucionet e shtetit italian pranuan që jugtirolezët të merrnin pushtet. Segmentizimet e pranishme ndërmjet grupeve entike në fusha të përcaktuara qartë si arsimi, gjuha, feja apo çështje të tjera specifike komunitare (për dallim nga ato ndërkomunitare apo shtetërore) gjithashtu u pranuan. Më e rëndësishmja, marrëveshja kushtetore në Tirolin e Jugut siguroi një shpërndarje të drejtë të pushtetit politik mes dy grupeve.
Në trajtimin politik, Italia ka treguar gatishmëri për të njohur dhe respektuar dallimet në vend që t’i shtypë ato. Në planin e jashtëm, bashkëpunimi me Austrinë ka qenë ndihmës. Austria ka siguruar një konsensus të nivelit të lartë mes partive duke e aprovuar zgjidhjen duke qenë se ajo tashmë kishte hequr dorë nga pretendimi i saj territorial kundrejt Italisë në Marrëveshjen e Paqes të vitit 1986. Hyrja e Austrisë në Bashkimin Europian në 1995 ishte i fundit në serinë e hapave që ndërmori për t’u integruar me pjesën tjetër të Europës. Kjo krijoi kushte të favorshme në një kontekst ndërkombëtar për ruajtjen dhe qendrueshmërinë e zgjidhjes konsociasionale në Tirolin e Jugut.
Në parim, zgjidhjet konsociasionale mund të përmbysen dhe prandaj janë të një natyre më pak të përhershme, nëse palët e përfshira nuk arrijnë ta ruajnë. Kthimi pas varet edhe nga garancitë kushtetuese dhe legjislative të zgjidhjes konsociasionale. Kjo e bën modelin konsociasional një “modus vivendi” më tërheqës, sepse grupet etnike varen nga njëri-tjetri për qendrueshmërinë e zgjidhjes; gjithësesi ata ruajnë një pjesë të pushtetit në qeverisjen e punëve të tyre dhe në moslejimin e njërës palë për t’i imponuar kushte të papranueshme jetese palës tjetër. Kur palët në konflikt e kuptojnë se konsociasioni është një zgjidhje me përfitime të dyanshme, krijohet një situatë gati paradoksale: pikërisht mundësia për prishjen e zgjidhjes konsociasionale është ajo që e bën më të qendrueshme, sepse të dy palët tashmë kanë interes të vërtetë në ruajtjen e saj dhe si rrjedhim nuk lejojnë destabilizimin në vend dhe në rajon.
Shqiptarët në Malin e Zi duhet ta shqyrtojnë me kujdes modelin konsociasional si një platformë të mundshme për zgjidhjen e çështjeve të tyre etno-territoriale dhe ndërkufitare që kanë shkaktuar kaq shumë trazira në mbarë rajonin për më shumë se një shekull. Seksionet që vijojnë shqyrtojnë fakte dhe kushte ekzistuese lidhur me pakicën shqiptare në Malin e Zi dhe si mund të krahasohen ato me karakteristikat e përgjithshme të një zgjidhjeje etno-territoriale dhe ndërkufitare.
Karakteristika e parë është marrëveshja e sovranitetit. Duke qenë se konsociasioni është marrëveshje e brendshme, ajo nuk ngre çështjen e sovranitetit. Vetëm shtetet e njohura ndërkombëtarisht (si për shembull Shqipëria dhe Mali i Zi) mund të merren me këtë çështje. Përsa i përket strukturës, konsociasioni (si një marrëveshje e brendshme) nuk imponohet nga fuqi të jashtme, ndonëse mund të duhet të pranohet dhe aprovohet nga shteti amë, i cili shërben si roje e të drejtave të pakicës së saj në shtetin-bujtës. Për më tepër, prirja e konsociasionit kundrejt mospajtimeve etnike është që t’i respektojë dhe jo t’i eleminojë ato. Ky është një proces i kthyeshëm, nëse është e nevojshme.