Kryeministri i Malit të Zi Igor Llukshiq priti Ismail Kadaren

October 28, 2011   | Kulturë / Kultura

Podgoricë, 28 tetor – Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, dhe kryeministri i Malit të Zi, Igor Lukshiq, janë pajtuar se vendet ballkanike duhet të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, në frymën parimeve të Unionit Evropian. Kjo, me qëllim që të shfrytëzohet potenciali që kanë njerëzit në Ballkan.

I pari i Qeverisë malazeze, ka pritur të enjten në një takim shkrimtarin me nam. “Dy gjuhë – një libër” – projekt kulturor ndërkombëtar i organizuar nga organizata joqeveritare “ProStory” nga Podgorica dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” nga Shkodra – është sebep i vizitës së Kadaresë në kryeqytetin malazias. Arsye kryesore ka qenë edhe promovimi i veprës së parë të Kadaresë të përkthyer në gjuhën malazeze.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Malit të Zi, kryeministri malazias ka mirëpritur vizitën e Kadaresë në Podgoricë dhe pjesëmarrjen e tij në projektin që afron dy popuj dhe dy kultura. Në takim ka qenë i pranishëm edhe ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave i Malit të Zi, Ferhat Dinosha.

Lukshiq ka potencuar marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe respektimin diversitetit kulturor.

“Ky takim është një porosi e mirë kontribut në respektimin midis popujve”, citohet të ketë thënë kryeministri Lukshiq.

Kadare ka thënë se i gëzohet faktit që Mali i Zi e Shqipëria kanë marrëdhënie të mira që, sipas tij, nuk është e lehtë në Ballkan.

Të enjten vonë, ai ka qenë mysafir librarinë e njohur të kryeqendrës malazeze, “Kerver” në Podgoricë në një mbrëmje letrare. Regjisori i njohur boshnjak, Dino Mustafiq, nga Sarajeva, i cili, sipas romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë ka vënë në skenë shfaqjen me të njëjtin emër në Teatrin Shqiptar në Shkup – ka folur për krijimtarinë e tij. Protagonist i debatit publik ka qenë edhe vetë Kadare kur është debatuar për përkthimet në Shqipëri e Mal të Zi.

Mbrëmjes letrare i ka paraprirë promovimi i veprës së parë të Kadaresë të përkthyer në gjuhën malazeze, “Kronikë në gur” që në gjuhën malazeze – përkthyer nga Smajl Smaka dhe Varja Gjukiq – mban titullin “Pad kamenog grada”.

Projekti “Dy gjuhë – një libër” menaxhohet nga delegacioni i bashkuar europian i Malit të Zi dhe Agjencia për Zhvillimin Rajonal në Shqipëri. Projekti ka si qëllim futjen e komunikimit të ri dhe afatgjatë në mes dy kulturave, përmirësimin e gjendjes kulturore, sociale dhe ekonomike në zonat kufitare.

KOHA NET

YouTube Preview Image