Lufta në det – Këngët epike popullore (III)

November 1, 2011   | Opinione

Prof. Dr. Bahri Brisku

Dëshmitë historike të traditave kulturore të rajoneve etnike të bregdetit hedhin dritë të bollshme që tregojnë dendur se ishin vazhdimisht të sulmuara dhe që gjendeshin nën zotërimin e pushtuesve të ndryshëm, por ndërkohë popullata vendase ruajti një autonomi të theksuar, duke u organizuar sipas situatave vetjake të tyre. Këto norma ligjore të ligjeve të vjetra popullore të mbajtura me këmbëngulje dhe me forcë u siguronin njëfarë vetëqeverisjeje të lirë.

Të gjitha këto attribute me peshë të madhe historike, shqiptarët bregdetar i gëzonin duke iu falënderuar detarisë dhe kusarisë së tyre, të cilët ishin kalitur duke u përplasur me armiq të ndryshëm të kusarisë.

Normat zakonore të kësaj popullate bregdetare, trimëria dhe mjeshtria e përsosur e detarisë e kanë tërhequr shpesh vëmendjen e udhëtarëve të huaj, si edhe të studiuesve të ndryshëm. Kështu, me interes të posaçëm shkencor janë shkrimet e A.Pertuzit e të Z. Valentinit, të cilët botuan studime të veçanta për doket dhe statuet ligjore të shqiptarëve në hapësirën bregdetare (XIV-XV). Ulqini ka pasur statutin e tij, i cili ishte një lloj kushtetute e qytetit të pavarur, duke farkuar edhe paranë e vet DULCINO… Këtu përmendet statuti që në vitin 1376. Popullata jetën e të mirat e përgjithshme materiale i siguronte nga detaria tregtare dhe kaçakët e detit – kusarët, të cilët ishin lob i veçantë i lundrimeve. Kusaria në qarqet shqiptare bregdetare kuptohet si grup detarësh trima, bëmirësa dhe pasanik. Këto atribute i gëzonin për faktin që këto ishin pararojë në kufirin detar, se përveç që sulmonin hajnat kusarë të vendeve tjera, vazhdimisht i rezistonin çdo armikut që synonte grabitjen e trojeve Arbërore. Në anën tjetër, pirateria dhe kusaria detare në vendet fqinje dhe më gjerë, konsiderohet si bandë dhe hajna që grabisin me dhunë. Ka edhe terma të tjera që varësisht nga vendi, kusaria detare kuptohet si lëvizje që në det bën çudira mbinatyrore dhe magjike.

KONTRIBUTI I KUSARËVE PËR MBROJTJEN E TËRËSISË TERRITORIAL
Gjatë zhvillimeve historike për mbrojtjen e integritetit territorial nga hordhitë e huaja okupuese, ndihma dhe sakrifica vetëmohuese e detarëve dhe kusarëve shqiptar (gjatë shekujsh) ka qenë mjaft e madhe. Kontributi i tyre në mbrojtjen dhe ruajtjen e qenësisë kombëtare ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në histori, por në të gjitha aspektet e krijimeve të vlerave artistike. Lufta e tyre e vazhdueshme që në kohërat e mugëta kundër romakëve, grekëve, bizantit, kryqëzatave, turqve, venedikasve, pansllavistëve etj., ka krijuar një imazh, ku kondensohen të gjitha vetitë njerëzore, duke i lartësuar në piedestalin më të lartë që i ngreh detarët në idol mbarëkombëtar shqiptar.

Pjetro Orseolo, mbreti (Dozhdi) i Venedikut (991-1008) qe i pari që donte ta imponojë dominimin detar të Venedikut. Qëllimisht krijoi festën simbolike “Martesa e Venedikut me detin”, e cila festohej në mënyrë pompoze. Me këtë ritual, dëshironin që të forcojë mitin e dominimit të tyre në regjionet detare, si dhunti e dhënë nga Zoti! Po për këtë bamuni ata sulmonin të gjithë detarët e kombeve të tjera përveç kusarëve shqiptarë, të cilët për venedikasit ishin “Çerdhe të pathyera”. Pas vdekjes së Skënderbeut (1468), përkundër faktit që osmanët në luftërat disavjeçare, arritën të pushtojnë shumë kështjella shqiptare, por në rajonet bregdetare, sidomos atje ku kusaria (bashkësitë e detarisë) ishin organizuar, pra falë kusarëve dhe detarëve shqiptarë, turqit nuk arritën që t`i okupojnë ato as pas 100 vjetësh (Ulqinin, Tivarin, Budvën etj.). Këto qytete shqiptare ishin edhe vendstrehime për detarët vendeve tjera. Kur turqit okupuan Durrësin, Ishmin dhe ndonjë kala tjetër, detarët e tyre dërguan shumë vendas të tyre në Ulqin e gjetiu. Kusarët shqiptarë romakët i quanin dominuesit e Adriatikut (princat detarë), valkierët e Adriatikut, të cilët pengonin politikën ekspansioniste të Romës dhe armiqve të tjerë të kohës. Në këtë mënyrë ruajtën gjuhën dhe tërësinë etnike.

Kusarët tanë, më 20 korrik 1699, në një përleshje zunë rob kusarin e njohur francez Danjel Initin së bashku me ekupazhin dhe anijet e tij. Për këtë fatkeqësi konsulli francez i Durrësit, lajmëron Luigjin XIV të Francës për këtë fatkeqësi, i cili pastaj intervenon te Porta për lirimin e kusarit të tyre, të cilin e kishin zënë rob kusarët ulqinakë pranë gjirit të Vlorës.

Në fund të prillit të vitit 1706, në Grykën e lumit Vjosa, është zhvilluar një luftë e ashpër në mes të katër anijeve të Perastit, që kishin ardhur të plaçkisin bregdetarët tanë. Detarët shqiptarë në këtë përleshje triumfojnë, duke zënë rob tri anije perastjane së bashku me kusarët e tyre në krye me kapitenët: Zana Mandiq, Kristofor Boloviq dhe Gjakomo Perlica me anijet e tyre. Me qëllim të revanshimit, nga Perasti niset me një anije kusarësh një grup nën komandën e Gjakovo Danijellit vjen në Ishëm, por në përleshjen te Porti i Durrësit zihet rob nga kusarët tanë. Kjo luftë është e shënuar në procesin e raportit mbajtur në Herceg Novi një muaj pas përleshjes të Grykës së Vjosës – pra më 19 maj 1706.

Koha Javore