Vargjet e ndërgjegjes kombëtare – Këngët epike popullore (II)

November 1, 2011   | Opinione

Prof. Dr. Bahri Brisku

Në një krijim epik tek Arbëreshët në Itali, këndohen trimëritë e patriotit Pjetër Shinit i cili në ato krijime simbolizon figurën e luftëtarit popullor, i cili në asnjë mënyrë nuk i dorëzoi armët. Luftonte me një guxim shumë të dalluar, prandaj si i tillë Pjetri kualifikohet si tmerr për armiqtë e shqiptarëve.

Lidhur me rezistencën e gjërë që ua bëri osmanllinjve Ali Pashë Tepelena, populli i ka ngrehur disa vlera artistike duke dëshmuar që Ali Pashai ngriti lartë identitetin e kombit të vet:

Moj Kalaja në breg të detit,
Karshillyk po i hjek dovletit
Moj kalaja në breg të gjolit,
Karshi po naj ban Stambollit.

Pastaj këndohet për rezistencën e popullit nëpër kulla dhe shtëpi. Në këngën Plot me gjak dirgjet Valbona, komentohet rezistenca aktive kundër Maxhar Pashës i cili iu ishte vërsulur për me e marrë Krasniqen:

Maxhar Pasha del në kodër,
Pyet: – Ku je moj Krasniqja e vogël?!

Krasniqja menjëherë iu përgjigj Maxhar Pashës:

S’jam e vogël, por jam sa deti,
Të kisha pasë Gashin me veti,
S’kishte ç’bante as krajl as mreti!

Gjeniu popullor me anë të këtyre vargjeve i fton popullin që të bashkohen sa më parë se ashtu të bashkuar nuk ka fuqi që do t’i thyente. Këngëtari popullor me të madhe derdhën helm kundra spiunëve dhe tradhtarëve të kombit të vet që për interesa të ngushta personale shesin idealet duke bashkëpunuar ngusht me Qeverinë Osmane.

Kreshnikët si Bec Patani, Çun Mula, Oso Kuka, Sinan Brisku etj., janë heronj kombëtarë që vazhdimisht mbrojtën me dinjitet identitetin kombëtar duke u flijuar për interesa të larta kombëtare. Në Shestan të Krajës këndohen shumë këngë që shtjellojnë guximin e krajanëve në mbrojtjen e tokave atërore:

O, kush e zuni luftën maj parë,
Sinan Brisku dhe Ali Hajdar.
O, del Sinani more Babaj vet
Po, Idrizi ku na ka mbet?!

Të influencuar në filozofinë islame, të bindur për vazhdimësinë e jetës edhe pas vdekjes – në parajsë, këngëtari i përgjigjet prindit:

O, nën nji shkam more nën nji gurë
Gjaku i Idrizit more digjet nur!

Dëshmia e identitetit shqiptar qartas pasqyrohet në shumë krijime si A ka Puka hyqymet; Binak Alija në streh të kërrshit; Njëqind turq i kam coptu; Na u nis Pushka në Kaçanik. Gjithashtu për rezistencën kombëtare të Idriz Seferit, janë krijuar një sasi e gjërë këngësh epike. Kryengritjet e shqiptarëve kishin vërshuar në një hapësirë të gjërë. Jehonë të madhe bëti kryengritja në Malësi të Madhe në vitin 1911 (mars – qershor) si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kjo qe një hap vendimtar për çlirimin definitiv të vendit tonë. Kryengritja e tillë ia tërhjek vëmendjen fuqive të mëdha të asaj kohe. Deri atëherë kisht shtete që nuk donin ta njihnin popullin shqiptar si komb të formuar. Në Stamboll shkruanin gazetat:

Këndon gazeta në Stamboll,
Nuk po bjen Kelmendi në dorë.

Vlera kundra shtypjes dhe shfrytëzimit vërshuan anë e mbanë Shqipërisë. Vargjet e tilla ngritnin imazhin dhe ndërgjegjen kombëtare si në vargjet në vijim:

Hot e Grudë o rod prej trimit,
Nuk jan topat e Ulqinit,
Por jan djelmt e Traboinit
Ku janë trimat kallxohet haku,
Në rrasa të fikut u derdh gjaku.

HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE FILLON ME VLERAT LIDHUR ME DETARI E KUSARI
Kërkimet e studiuesve tanë kanë vërtetuar që krijimet e para të vlerave shpirtërore artistike fillojnë me këngët epike që lidhen ngusht me jetën e bujshme të kusarëve tanë. Ky fakt me peshë të madhe vërtetohet në veprën “Historia e letërsisë shqipe” ku studiuesi i njohur Zihni Sako pohon se me krijimin epik lidhur me kusarin Haxhi Ali Ulqinakun , fillon epika jonë popullore. Ekzistojnë të dhëna që Haxhi Aliu ishte pronar i disa mjeteve lundruese dhe që kishte probleme me kusarët grekë, të cilët me të madhe plaçkitnin detarët, por klani i kusarëve të këtij ujku të detit ia pat dale në krye që t`I shtrojnë piratët grekë. Për merita të posaçme që i atribuoheshin këtij kusari, Sulltan Selimi e gradon pasha (admiral) që është grada më e lartë në veprimtarinë e detarisë. Pas sukseseve të mëdha që Haxhi Aliu pati në zhdukjen e pirater isë venedikase, greke, malteze etj. Porta e Lartë e emëroi mbret në Algjeri. Të dhënat dëshmojnë që ky bashkëpunonte ngusht me klanin detar të kusarit më të madh që njeh historia botërore nga radhët e shqiptarëve që është Ali Uruçi (Ulluç), i vetmi admiral nga koalicioni i Portës i cili në Luftën e Lepandos (1571) doli fitues.

Haxhi Ali Ulqinaku e kishte një skele afër Sazanit (ishull afër Vlorës) . Ndaj rapsodi vlonjat në kujtesën e tij ka ruajtur kujtimet lidhur me veprimtarinë e këtij kusari. “Kush e njeh Haxhi Alinë/ Ky në det kishte kufinë/ Haxhi Alia, kaçak i detit/ I doli zot tërë miletit/ Midis detit të Sezanit/ Luftoi Haxhi kapidani/ (O, vdiq Haxhija kapidani)./ Në shpellë xhind u ba Limani…”

Koha Javore