Podgorica “arsyeton” skandalin me delegacionin kosovar

April 13, 2009   | Rajoni / Region

cefta_2009Autoritetet malazeze “arsyetuan” të premten faktin pse Kosova në takimin e CEFTA-s që u mbajt gjatë dy ditëve të kaluara në Podgoricë përfaqësohej nëpërmjet UNMIK-ut, gjë që shkaktoi braktisjen e takimit nga ana e përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesi i Ministrisë për zhvillim ekonomik të Qeverisë së Malit të Zi, Goran Scepanovic, tha se takimi i nën-komitetit të CEFTA-s është mbajtur konform marrëveshjes në fuqi.
“Ne i kemi propozuar delegacionit të Kosovës të kandidojë propozimin që në këtë pjesë të ndërrohet marrëveshja, e më pastaj të shohim a do të pranohet nga të pranishmit. Deri atëherë, ne edhe të gjithë ata që e përfaqësojnë marrëveshjen, janë të detyruar ta zbatojnë atë dokument, ashtu siç është, pa marrë parasysh e pëlqen dikush apo jo”, thotë Scepanovic.
Ai shton se “i kemi sqaruar delegacionit të Kosovës se Mali i Zi zbaton marrëveshjet, sikur të gjithë protokollet tjera ndërkombëtare, derisa nuk ndodh ndryshimi i tyre”, duke shtuar se “arsyetimin e Malit të Zi,si kryesues e kanë pranuar të gjithë përfaqësuesit e vendeve të tjera”.
Marrëveshjen, përveç Malit të Zi, e ka nënshkruar Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Moldavia, Serbia dhe UNMIK- në emër të Kosovës.
Scepanovic sqaron se pas përfundimit të takimit, edhe përfaqësuesi i UNMIK-ut ka thënë se është i habitur me reagimin e delegacionit të Kosovës.
Një delegacion i Ministrisë së Bujqësisë, braktisi punimit e nënkomitetit të CEFTA-s, i cili ishte mbledhur për të biseduar rreth bujqësisë në Podgoricë. Në kohën kur Kosova është përfshirë në këtë marrëveshje, shkaku i mungesës së statusit politik, është përfaqësuar nga UNMIK-u.

KosovaLive

YouTube Preview Image