NEKROLOG e një politike e cila do të shënohet në margjinën e historisë së qytetin tonë..

November 10, 2011   | Opinione

Në fillim të shtatorit kanë ndodhur ndërrime të mëdha në skenën politike të qytetit tonë. Të gjithat pa dyshim do të ndikojnë shumë në zhvillimin e qytetit në përgjithësi. Ndërrime në skenën politike të papritura, ndërrime që ndërruan në imazhin e Ulqinit, por edhe ato të cilat kanë kthyer shpresën te shumë qytetar të këtij qyteti në mes të Evropës. Befasia është, aq më tepër e madhe, duke ditur se partitë në pushtetin lokal për “Ulqinin Evropian” e kanë pasur të fituar edhe një mandat, natyrisht, si gjithmonë me manipulime të ndryshme. Është pritur që të vazhdojnë dhe ende edhe më shumë, me paaftësinë e tyre ta ulin qytetin tonë edhe më poshtë në shkallën e zhvillimit në përgjithësi… Natyrisht, si gjithmonë deri tash, më së pari duke pasur interesat personale, mbi ato të përgjithshme . Këto janë fakte të cilat i kanë treguar gjithmonë, posaçërisht, në punësimin e kuadrove të veta në vende për çka ato nuk kanë pasur as aftësi e as kualifikime.

Por, dua të them, se ky sihariq ndodhi edhe me ndihmën e Perëndisë. Dua të besoj, se edhe Perëndia më në fund i ka ndihmuar kësaj “perle” të Adriatikut, me resurse të rralla natyrore të cilat edhe nuk mund të hasen në brigjet tona… Por, qyteti ynë, është lënë shumë pas dore. Ne këtu, nëpër lokale në Ranën tonë, shpesh në diskutime të përditshme e kemi përsëritur një thënie të Muhammedit a.s. se “gjendjen e keni, ashtu siç e keni merituar”. Si duket ne duke ia dhënë votën këtij grupacioni të deri djeshëm me siguri e kemi merituar këtë gjendje. Mirëpo, qyteti ynë kaq i bukur, me siguri jo. Ne, të cilët kemi punuar dhe kemi jetuar në atë turizmin e lartë, deri në vitet e 90 -ta, jo pa krenari e kemi quajtur qytetin tonë“Ulqini florini”. Them se Perëndia na ka ndihmuar duke ua “sjell” , mendjen atyre 4 këshilltarëve, të cilët unë i kamë quajtur ” 4 Musketarët” e Ulqinit. Ndoshta është një krahasim i tepruar, por në politikën e tashme të qytetit tonë, ata pa dyshim e meritojnë këtë epitet , sepse “sjellja” tyre ka bërë një punë, një vepër të mirë, e cila meriton edhe të shënohet në analet e historikut të qytetit tonë, pas tmerrit të deritashëm.

Zotërinjtë e deri djeshëm, ata që një kohë të gjatë me ndihmën e qytetarëve, të cilët duke ua dhënë votën, të manipuluar në mënyra të ndryshme, e sollën Ulqinin në një shkallë jashtëzakonisht të ulët me kolaps në ekonomi, posaçërisht në turizëm. Besoj, emrat e tyre do të shënohen me shkronja të zeza në margjinat historike të qytetit tonë. E theksoj posaçërisht turizmin si degën kryesore të këtij qyteti bregdetar. Kanë lejuar dhe kanë participuar, që të rrënohen dhe të shiten hotelet, së bashku me objektet e tjera të turizmit. Mos të veprohet për mbrojtjen e tyre, pavarësisht se sa i madh ka qenë ndikimi i shtetit për këtë gjendje, nuk mund t’ u falet. Nuk mund t’u falet mos rezistenca dhe plogështia politike e tyre. Participimi dhe ngritja e dorës për të “Mirën detare”, formimi i Organizatës turistike, pas asaj të Pluzhinës , me kuadro që nuk e kanë ditur as shkronjën “T” të turizmit, nuk mund t’ u falet. Nënshkrimi për shkatërrimin e plotë të hotelit “Galeb”, simbolit të turizmit tonë, nuk mundë t’ua falë askush, por edhe shumë e shumë gjëra të tjera. Këto shpresoj, popullata shqiptare nuk do t’ua harrojë, as nuk do t’ua falin edhe gjeneratat të cilat do të vinë pas nesh, asnjëherë…

Dua ta përkujtoj opinionin në “tenderët” e ndryshëm, duke filluar nga Ada, Plazhi i Madh, kurse tenderi më i dhimbshëm ishte ai i Valdanosit… Ende edhe sot i gjithë qyteti është në tenderë të ndryshëm, përveç Kalasë, për të cilën tash nuk janë të intersuar “investitorët “ e huaj pasi që aty gjendemi edhe ne të gjallët, në trojet dhe me pronat tona. Ndoshta këta zotërinj kanë menduar se populli është aq naiv dhe nuk e kupton sepse ndërtohet ura në Portomilenë. Investime të tjera në Ulqin nuk ka pasur, pasi që Ulqini është një qytet pa plane urbanistike gjenerale. Shteti i Malit të Zi e ndërton Urën në Portomilenë veçmas që ta privatizojë Plazhin e Madh dhe Adën , me fjalë të tjera që ato t’i shes ndonjë miliarderi siç është Abramoviqi, a po ndonjë tjetrit. Kjo është e qartë, sepse këto potenciale janë të rralla dhe Republika dëshiron t’i privatizojë. Politika e shtetit të Malit të Zi, me institucionin e të “Mirës detare”, e ka bërë komunën tonë, një komunë kontinentale. Ju përkujtoj në shtrirjen e këtij institucioni të shtetit deri në 2800 metra në thellësi të Plazhit të Madh.

Për turizëm flas më përgjegjësi të plotë, sepse e njoh mirë këtë lëmë. Kam qenë, dhe ende jam një ndër njohësit më të mirë të turizmit në Mal të Zi. E përkujtoj opinionin se deri në vitet e 90-ta Ulqini ishte qendra turistike nr. 1 në nivelin e Malit të Zi, por edhe më gjerë. Dikur, ne jemi krahasuar me qytetin e Dubrovnikut, të them më mirë, ai krahasohej me ne. Sot Ulqini është në një gjendje të mjerueshme, pa hotele, me një akomodim privat, me një numër prej 100.000 shtretërish. Turizmi 50 ditësh më një kuantitet , pa hotele të kategorisë të lartë, nuk ju garanton një kualitet. Ne nuk jemi destinacion turistik për Tour – operatorë të njohur nga Perëndimi, dhe për të ne nuk jemi më destinacion turistik siç kemi qenë dikur, deri në vitet e 90-ta. Dhe për këtë vuajtja jonë është aq e madhe, duke parë se në çfarë gjendje është i yni qytet i bukur Ulqini, në këto kohët e tranzicionit. Partitë politike në pushtetin lokal të deritashëm, shqiptarë natyrisht, në mënyrën “vasale” ndaj pushtetit qendror, duke shikuar pak a shumë interesat e veta e jo ato të përgjithshme, kanë dhënë ndihmesa të mëdha për këtë gjendje.

Shteti i Malit të Zi me politikën injoruese ndaj nesh dhe ndaj qytetit tonë, me zgjedhjen dhe më favorizimin e tyre, ka bërë politikën e margjinalizimit të qytetit tonë. Ne si shqiptarë, këtë e kemi të qartë, pavarësisht se jemi ata, të cilët me votat tona e kemi bërë këtë shtet. Shumë shqiptarë kanë ardhur nga tërë bota për të votuar për Referendum më 21 Maj 2006. Nuk kemi pasur solucion dhe zgjedhje më të mirë, dhe për të e kemi dhënë votën duke u besuar edhe premtimeve të shumta nga pushtetarët e Malit të Zi të kohës. Edhe unë, autori i këtij teksti kam dhënë kontribut të madh me tekste për Referendum, dhe me pjesëmarrje në emisione të ndryshme në TV-të e Malit të Zi…

Dhe për këto arsye, këto ngjarje , do të thoja një “tërmet” në politikën e qytetit tonë, duhet të sjellin një freski, një lëvizje pozitive në zhvillimin e qytetit tonë në përgjithësi. Këto ngjarje janë edhe shpresë për të gjithë qytetarët që më në fund, Ulqini të ngritet si një “fenix”në qiellin e këtij shteti, për të cilin edhe ne kemi dhënë kontribut të madh. Besoj se, më këto ndërrime duhen të plotësohen edhe ëndrrat e të gjithë atyre të cilët kanë punuar dhe kanë jetuar në ato kohët e arta të turizmit, kur qyteti ynë shërbente shembull i një turizmit të lartë, një destinacion i njohur anembanë botës. Të them më mirë, një perlë, në të njëjtën paralele me Romën dhe Barcelonën, por edhe një perle në Mesdhe, ku janë gërshetuar kulturat e ndryshme, një pikë e Orientit në mes të Evropës.

Ndodhjet të tilla janë të rralla, por siç shihet në shembullin e qytetit tonë, ndodhin dhe për të, dua ta përmendi atë fjalinë e famshme të cilën e ka thënë G. Galilei, duke dalë prej sallës, pas gjykimit të Inkuizicionit ” sillet, sillet pra ” duke menduar në Planetin tonë, natyrisht. Pas tmerrit të dekadës së fundit në politikën dhe ekonomin e qytetin tonë, shumica e popullatës shpreson në një të ardhme më të mirë, sepse pa dyshim këto ndërrime duhet të jenë një lëvizje pozitive.

Natyrisht, të gjithë ne jemi të vetëdishjëm se askush nuk e ka “shkopin magjik”për të përmirësuar menjëherë gjendjen katastrofike në të cilët gjendet qyteti ynë, posaçërisht pas analizës e gjendjes financiare. Një tmerr i pakuptueshëm, duke i parë analizat e para. Mënyra se si, e ka realizuar dhe shpenzuar buxhetin pushteti vendor i mëparshëm, me Kryetarin e Komunës në krye, është për “Ginisin”, duke filluar prej mëditjeve dhe më gjerë…Besojmë se më vonë edhe më të dhëna të tjera do të krijohet një pasqyrë e qartë. Po ashtu besojmë se çdokush që ka keqpërdorur kompetencat, duhet të përgjigjet sipas dhe në mbështetje të ligjit. Dhe për këto të dhëna, të cilat pushtetarët e deritashëm kanë dashur t’i mshefin, kanë treguar qartë rezistencën e këtyre zotërinjve për lëshimin e kolltukëve sepse ato janë bërë shumë të rrshqitshme, frika për lëshimin e tyre ka qenë shumë e madhe, sepse ndoshta një ditë mund të rrshqitet edhe pak më larg ..

Paraqitja në TV Teuta në shtator e të dy liderëve të pushtetit për “Ulqinin Evropian” ka lënë një bindje te qytetarët , se interesat e tyre personale dhe ato partiake kanë qenë mbi ato të përgjithshmet. Vet fakti, se kanë ofruar edhe poste të larta atyre”Musketarëve” siç i kam quajtur unë, mjafton. Nuk kanë menduar shumë për vete, pasi që njëri është Ministër dhe i premtohet posti i një ambasadori, pasi që ka dhënë “kontribut” të madh për shtetin Malazias. Ka votuar për të “Mirën detare” e cila qytetin e Ulqinit e ka bërë qytet kontinental, sepse 57 përqind e të “Mirës detare” e Malit të Zi, është në Ulqin me një “Tsunami” biblik prej 2800 m. në brendi të Plazhit të Madh. Ministri dhe Ministria e Pakicave, u janë dhënë shqiptarëve, e veç pak për pakica tjera, sa për stolisje dhe dekor para Evropës.

Një numër i madh i banorëve nga Kalaja ua dha votën, por këta zotërinj i kanë dëshpëruar duke e lënë Kalanë pas dore, pa investime në infrastrukturë dhe në mirëmbajtjen e saj…Bile vite me radhë, në emër të Shoqatës “Miqtë e Kalasë” kam kërkuar ndihmë për botimin e kalendarit vjetor, si pushtetit vendor lokal, të cilin e kanë përbërë këta zotërinj, por edhe Ministrisë, nga të cilat radhë edhe nga ka qenë Ministri. As 100 Euro nuk na i kanë dhënë, e të mos flasim për planifikime në investime të infrastrukturës në Kala vite me radhë, por vetëm në letër, prej miliona eurosh. Athua se ne nuk e kemi ditur buxhetin e tyre. Ne e kemi ditur se ku dhe kujt i kanë dhënë dhe ku i kanë shpenzuar mjetet. Duke filluar nga OJQ të cilat i kanë drejtuar ata, apo të cilat kanë qenë në afërsinë e politikës së tyre, dhe të tjerët. Idenë tonë për radhitjen e Kalasë në mbrojtje të “UNESCO”-s, vite me radhë as nuk e kanë përmendur, pavarësisht se Kuvendi Komunal, e ka dhënë pëlqimin për të,por, kjo ide pa ndihmën dhe dëshirën e tyre, ka mbetur vetëm letër në sirtarët e kryekomunarëve.

Ne, si shoqatë e vërtetë joqeveritare , nuk kemi pasur rast, pavarësisht se si, dhe për çka kemi konkurruar. Këtë e kanë treguar qartë pas refuzimit të zgjedhjes sime legale, për Radio Ulqinin. Me Kala janë krenuar te delegacionet nga bota dhe nga vendi, pasi që Kalanë e kanë pasur në secilën zyre si stolisje, në foto të varur , si simbol i një kulture të jashtëzakonshme. Kaq u qe nevojitur atyre, veç ta kenë si imazh për lavd pranë mysafirëve dhe delegacioneve të ndryshme nga vendi dhe nga bota. Sa i kanë kushtuar revitalizimit të saj, shihet në secilin hap duke shëtitur në Kalanë tonë.

Edhe zotëria nga partia më e “madhe shqiptare” DPS e ka pasur vështirë të ndahet nga posti i kryetarit të Parlamentit lokal. Në emisionin e përmendur në TV Teuta edhe ai është lëvduar se ka dhënë ndihmesë të madhe në shkollimin e kuadrove të rinj nga qyteti ynë, dhe shumë gjëra të tjera. Sa e ka dhënë” kontributin “për zhvillimin e qytetit tonë, në turizëm edhe në ekonomi në përgjithësi, do ta vlerësojnë qytetarët e thjeshtë, por edhe ata të tjerët. Unë them se ndikimi i këtij personi ka qenë shumë i madh sepse që partia në të cilën ai ka qenë në krye ka vendosur dhe ende vendos se kush dhe ku do të vihet në krye, duke filluar nga drejtorët e shkollave me mandate të përhershme , e deri te postet të cilët i ka kontrolluar shteti. Vetëm ato, të radhëve të DPS kanë mund të jenë në krye. Edhe diçka tjetër, si drejtor i hotelit “Albatros” mbi dhjetë vite, është dashur ta dinë dhe ta mësojnë se Ulqini nuk është destinacion turistik, sepse partia e tij në pushtet e ka lënë Ulqinin pa hotele, e pa hotele nuk ka destinacion turistik. Të flitet për “Ulqinin Evropian” për destinacione turistike duhet të njihet pak turizmi, ndërsa kohë ka pasur ta mësojë. A është më e nevojshme të përkujtohet opinioni i gjerë se Ulqini nuk ka më hotele të cilët janë zhdukur , duke filluar nga ai më i famshmi “Galebi” për të cilin vuan tërë qyteti, posaçërisht ne të cilët jemi rritur me të. Ti përmendi dhe të flas për ata punëtorë të cilët kanë mbetur pa punë, ose sot shesin cigare në qoshqe e mos ti përmend ata të cilët gjenden në mërgim….Ata të cilët e kanë nënshkruar rrënimin e “Galebit” nuk mund të flejnë të qetë, sepse besoj se edhe në ëndërr i paraqitet simboli i qytetit tonë. .. Pastaj, vendosja e falimentimit në Rivierën e Ulqinit, shitja dhe privatizimi i pa parë në këto treva.

Një gjendje e tillë ka ndikuar shumë edhe në emigrimin e shumë banorëve nga këto treva. Ku është shkaku i kësaj gjendjeje te ne në Ulqin , nuk është vështirë të shihet. Partia në pushtet dhe politika e shtetit, për të cilin ne, mbi 85 përqind e kemi votuar, është pa dyshim përgjegjëse për këto. Tranzicion ka pasur edhe në Budvë , por në Budva sot ka mbi 93 hotele me mbi 3 yje, kurse tek ne 100 000 shtretër në akomodimin privat, me çmim te shtratit prej 5 deri në 10 euro. Këtu është dallimi në turizëm ndërmjet nesh, sepse shteti i Malit të Zi me ndihmën e juaj “vasale” zotërinj, Budvën e ka bërë destinacion turistik “metropol” i turizmit me një turizëm të lartë, kurse neve na solli vetëm kuantitetin, me çmime të ulëta, dhe me hamburger si ushqim kryesor.

Dhe për te shpreh çudi për reagimin e këtyre zotërinjve kaq të “dhimbshëm” për këto ngjarje. Njëri shkon në diplomaci, pasi që i ka “meritat” e mëdha për shtetin e Malit të Zi , kurse tjetri është deputet në Parlamentin e Malit të Zi, dhe dikur kur do të shpërblehet me pension Nacional për “merita” të mëdha. Edhe një fjali dëshiroj t’ua dedikoj këtyre zotërinjve. Se sa i kanë “meritat “ për punë në Parlamentit të Malit të Zi, pasi që janë deputetë dhe vendosin për popullin tonë, shihet edhe nga ngjarjet e fundit për gjuhën amtare. T’ua përkujtoj opinionin…”crnogorski – srpski, boshnjački, hrvatski..dhe ku është “albanski”? Sa keni luftuar për gjuhën tonë? Të ishit atdhetarë të vërtetë është dashur ta lëshoni fare Parlamentin, e jo vetëm të shkoni deri në korridor apo në bife të Parlamentit.

Dhe në fund, dua të besoj se pushteti i ri, pavarësisht nga shumë probleme me të cilat ballafaqohet për çdo ditë do të sjellë një politikë të re në zhvillimin e qytetit tonë në përgjithësi, posaçërisht në ekonomi dhe në turizëm. Besoj se nuk do ti përsërisin gabimet e pushtetit të deridjeshëm. Është e qartë se duhet të punësojnë kuadrot e veta edhe atyre të koalicionit me të cilin gjenden në pushtet, por e kam shpresën se ndërmjet tyre duhet t’i gjejnë ata që kanë edhe aftësi profesionale e jo vetëm me diploma. Duhen të formojnë një ekip të fortë i cili duhet t’i përballojë problemet e grumbulluara vite me radhë. Një shembull i thjeshtë, a mund të paramendohet se Barcelona mund të jetë ekipi më i mirë në futboll, pa kualitet…sikur t’i merrte dhe ti angazhonte lojtarët vetëm nga Katalonia , Barcelona dhe rrethina… E qartë është se duhet të zgjedhen ata më të mirët, dhe suksesi nuk do të mungojë.

Ulqin, Tetor 2011 Ismet KARAMANAGA

YouTube Preview Image
6