Besa Kokëdhima: Muzika dhe dashuria, në ditët më të mira

November 19, 2011   | Lajmet / Vijesti

“Botën do ndryshoja” është një nga këngët pretendente të festivalit “Kënga Magjike”, por nëse do të jetë ajo që do të marrë trofeun e këtij eventi, kjo mbetet për t’u parë sonte në mbrëmje. E sigurt është që nga repertori i saj me këngë hite, “Botën do ndryshoja”, është një nga të preferuarat e Besës, ndaj me shumë gjasa një klip do t’i bashkëngjitet së shpejti.

Besa-Kokedhima-New-Photo

Pavarësisht spekulimeve se kënga është e kopjuar- thashetheme të cilave këngëtarja nuk dëshiron t’u japë rëndësi; në fare pak kohë ajo shënoi një numër rekord klikimesh në Youtube, duke e bërë qartësisht një ndër pretendentet kryesore për çmimin e madh. E pyetur për pritshmëritë që ka për çmimin, (që rezulton nga mbledhja e pikëve me të cilat të vlerësojnë kolegët); Besa, këngëtarja që merr pjesë në gati çdo koncert me grupe rock në Shqipëri, thotë: “Më pëlqen të mos mendoj për këtë pjesë të them të drejtën…”

Besa, shumë urime për këngën “Botën do ndryshoja”. Që në fillim impakti ka qenë shumë i mirë, nuk di çfarë reagimesh ke marrë që të kanë impresionuar?

Faleminderit! Jam e lumtur që kënga është pritur me kaq entuziazëm nga fansat.

Sonte është finalja e madhe, si ndjehesh?

Shumë mirë, duke u përgatitur për performancën e radhës, pas asaj të mbrëmjes së dytë të gjysmëfinales. Në evente të tilla përmasave mendoj se çdo detaj ka rëndësinë e vet dhe duhet kuruar me kujdes.

Je shprehur se këtë këngë, të krijuar nga Pirro Çako dhe Darko Dimitrov, ia dedikon të dashurit tënd. E vërtetë është kjo dhe pse pikërisht këto vargje?

Në fakt, fillimisht Pirro kishte menduar një tjetër fabul për këngën. Sidoqoftë, nisur nga dëshira ime për të përcjellë këtë mesazh, ai e rishkroi poezinë frymëzuar ngushtësisht nga historia ime e dashurisë. Për këtë arsye kisha shumë dëshirë që për herë të parë në karrierën time të bëja një dedikim të tillë.

A do ta pasojë një klip këtë këngë?

Jam e papërgatitur momentalisht për t’ju përgjigjur kësaj pyetje Fjoralba. Pas festivalit do ta mendoj këtë çështje.

Tingëllon shpesh absurde kjo pyetje, por cila është kënga jote më e dashur?

Në fakt, mund t’ju tingëllojë e çuditshme, por unë nuk preferoj ta dëgjoj më një këngë timen pasi ajo është publikuar. Gjithë lidhjen emocionale me këngën e konsumoj kryesisht gjatë procesit të punës. Pas publikimit, pavarësisht se mban aromën time, kënga nuk më përket më mua, por bëhet e publikut. Sidoqoftë, do të veçoja “Engjëjt vrasin njëlloj” dhe “Botën do ndryshoja”.

Besa, vazhdimisht ti poston në Facebook këngë të kolegëve të tu, gjë që për hir të së vërtetës nuk ndodh me shumicën e këngëtarëve. Konkurrenca… Nuk keni frikë se u bëni tepër publicitet të tjerëve?

Aspak, përkundrazi, më pëlqen të evidentoj kontribute të çmuara për muzikën shqiptare të artistëve të ndryshëm ndër vite.

Meqenëse jemi në këtë linjë, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, ti ke marrë një lumë urimesh nga kolegët këngëtarë. Të ka ngrohur kjo gjë?

Sigurisht, është një vlerësim prej tyre, gjë që e çmoj shumë.

Je rikthyer si “uragan” duke “trembur” shumë artistë të tjerë pjesëmarrës. Çfarë pritshmërish ke për çmimin?

Më pëlqen të mos mendoj për këtë pjesë të them të drejtën …

Të ndalemi pak te një tjetër festival dhe ambicia që natyrshëm e shoqëron pjesëmarrjen në të. E kam fjalën për Festivalin e Këngës në RTSH. Sa të intrigon arena e Eurosong?

Për momentin jo veçanërisht.

Paralelisht me “Këngën Magjike” je angazhuar edhe me jurinë e “X Factor”. Si po shkojnë audicionet për këtë event dhe a mendon me të vërtetë se Shqipëria ka kaq shumë zëra, sa për t’u organizuar disa show të tillë?

Mendoj se ndoshta jemi një vend i vogël për të “furnizuar” me talente disa spektakle paralelisht, megjithatë më vjen shumë mirë që erdhi momenti edhe në Shqipëri të realizohen këto evente dinjitoze dhe promovuese për talentet shqiptare. Unë mendoj se “X Factor” do të jetë hit ndër show-t televiziv në Shqipëri.

Së fundmi, diçka nga dashuria jote… A është ajo në ditët më të mira, sikurse muzika që bën?

Ndjehem shumë fatlume që jam e përmbushur në këtë aspekt.

Si ka mundësi që u “shpëton” paparacëve, pasi shumë rrallë mund të të kemi parë në faqet rozë të shtypit?

Nuk para dal në fakt …

Fjoralba Shahaj
Gazeta Standard

YouTube Preview Image