Port Milena sot – Imazhi i pakëndshëm

November 27, 2011   | Opinione

Enver Mollabeqiri – Eno
Duke shëtitur trotuareve të Plazhit të Shtojit në Ulqin dhe duke iu afruar urës së vjetër mbi Port Milenë, të zë frymën era e rëndë e mbeturinave që kanë vërshuar këtë pjesë dikur piktoreske, me shtëpiza të vogla peshkatarësh dhe me kalimerat karakteristike. Tani gjithçka ka ndryshuar. Shtëpizat dhe kalimerat janë të rrënuara dhe krejt peizazhi është një pellg i ndyrë, i mbushur me mbeturina, me pak apo aspak gjallesa. Krejt kjo ndodh në zemër të Plazhit të Shtojit, në qendrën turistike të Ulqinit. Pak është të themi që kjo është me të vërtetë një bombë ekologjike. Është më tepër se kaq. Është një fatkeqësi e cila e ka katandisur fillimin e Plazhit të Shtojit në një vend sa të këndshëm për t’u rrezitur dhe për t’u larë në njërën anë, aq edhe të papërshtatshëm dhe jokomod në aspektin ekologjik për të kaluar pushimet, në anën tjetër. Këtë e bën era e pakëndshme e cila përhapet në tërë këtë pjesë të Ulqinit, deri në breg të detit. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme çfarë mund të bëjë papërgjegjshmëria, mosinteresimi dhe mosndërmarrja e aksioneve adekuate për sanimin e këtij problemi shumë të madh, jo vetëm ekologjik, por edhe ekzistencial për këtë pjesë të Ulqinit, e pse jo edhe të krejt Ulqinit.

Papërgjegjshmëria njerëzore ka bërë që vite me radhë të derdhen dhe të hidhen mbeturinat në këtë pjesë dikur aq piktoreske të Plazhit të Shtojit. Mosinteresimi dhe joshja për vjeljen sa më të madhe të mjeteve financiare ka krijuar kushtet që kjo të ndodhë buzë nesh, sikur kjo pjesë e Ulqinit të ishte një pjesë e humbur e Afrikës lindore. Mosndërmarrja e aksioneve adekuate për pengimin apo për sanimin e kësaj gjendjeje, ka bërë që kjo të zgjasë tepër gjatë dhe të mbërrijë në këtë shkallë siç është sot, kur duhet ndërmarrë veprime më radikale, me mjete shumë më të mëdha financiare dhe medoemos me veprime më të dhunshme për të gjithë ne. Kjo duhet bërë dhe nuk duhet pritur asnjë çast, pasi që ka të bëjë me të ardhmen ekologjike dhe shëndetin publik të banorëve të Ulqinit dhe me të sotmen dhe të ardhmen turistike të Plazhit të Shtojit dhe të Ulqinit. Imazhet që shihen sot aty janë me siguri jo të bukura dhe të pakëndshme për secilin nga vizitorët e shumtë të Ulqinit. Por, duhet thënë që ata nuk janë vetëm thjesht vizitorë të Ulqinit apo vetëm turistë, por ata janë dashamirës dhe adhurues të Ulqinit, të cilët përkundër këtyre imazheve, e duan dhe e kanë në zemër Ulqinin. Ata përkundër mospërfilljes dhe javashllëkut tonë, vijnë vit për vit në Ulqin për të shijuar diellin e zjarrtë, detin e pastër dhe bregdetin e mahnitshëm të Ulqinit. Andaj, për shkak të tyre, për shkak të Ulqinit dhe vetes, duhet të ndërmerren veprime serioze për t’u pastruar Port Milena dhe të largohet njëherë e përgjithmonë era e pakëndshme nga fillimi i Plazhit të Shtojit. Këtë ia kemi borxh adhuruesve të shumtë të Ulqinit, brezave të ardhshëm dhe ardhmërisë së Ulqinit, si destinacionit më të preferuar turistik vite me radhë.

Koha Javore
YouTube Preview Image