Noizy qellohet me shishe, nderhyn policia

December 2, 2011   | Lajmet / Vijesti

Lufta e fansave mes grupeve muzikore “rep” në Shqipëri duket se po kthehet në shqetësim për policinë, ku veç plagosjeve me armë, tashmë agresiviteti po kthehet edhe në skena publike.

I njohuri i muzikës ‘rep’, Noizy është qëlluar me bidonë në skenë, duke detyruar policinë që ta fusë në makinë e ta largojë nga turma. Kështu, Noizy u bë edhe një herë protagonist i radhës i incidenteve të vazhdueshme ku përfshihet, sidomos në konfliktet që ka me “Stressin”.

Repisti ka qenë dy net më parë duke kënduar në koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës në sheshin “Nënë Tereza” me rastin e festës së Pavarësisë, kur është qëlluar me bidonë uji në skenë.

Më herët, ai kishte pozuar edhe me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha e më tej nisi të interpretojë në skenë. Në atë kohë, një grup personash të rinj, që mendohet se janë mbështetës të këngëtarit tjetër “Stressi”, kanë nxjerrë disa bidonë uji, duke e goditur.

Noizy është përpjekur t’u shmanget duke improvizuar lëvizje kërcimi dhe fillimisht nuk është prekur nga bidonët që hidheshin nga turma. Më pas situata është rënduar, kështu që ka ndërhyrë policia, duke mos lejuar që ai të lëndohet. Burime nga policia thanë se tetë bidonë u hodhën në drejtim të repistit, por shtuan se asnjëra prej tyre nuk e kapi atë.

Por, uniformat blu kanë ndërhyrë në turmë, duke shoqëruar disa të dyshuar dhe duke ndaluar të tjerët të kryejnë gjeste të dhunshme. Pas përfundimit të këngëve, këngëtari u largua me makinë policie.

Për të shmangur vrullin e fansave të cilët vrapuan drejt këngëtarit, policia e shoqëroi atë me makinë disa metra larg grumbullit të njerëzve”, – thanë burime nga policia. Me gjithë shoqërimet e kryera, policia tha se nuk u identifikua asnjë nga personat që qëlloi Noizy-n, ndërsa ky i fundit nuk kreu denoncim.

Kjo nuk është hera e parë e përplasjeve mes grupeve të “repit” në Shqipëri. Madje, ato kanë sjellë edhe pasoja të rënda, ku persona të ndryshëm janë armatosur me armë dhe janë qëlluar. Përplasjet më të forta kanë ndodhur kur këngëtarët performonin në të njëjtën skenë.

Madje, policia shoqëroi para disa muajsh të dy këngëtarët, Noizy-n dhe “Stressin”, duke i pajtuar, me qëllim për të parandaluar ndonjë krim të rëndë

Gazeta SHQIP

YouTube Preview Image
1