Cafo beg Ulqini – Personalitet i ndritur i kombit

December 20, 2011   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Duke lexuar librin “Cafo Beg Ulqini”
Nga
Gjokë Dabaj 

Për Cafo beg Ulqinin pata dëgjuar qysh në fëmijërinë time të hershme. Daja im, Gjergj Mardjonaj, ishte kryeplak katundi dhe ai e përmendte shpesh emrin e Cafobegut në bisedat me të rriturit. Përmendej gjithmonë për mirë, madje shumë vite mbasi malazezët i kishin ripushtuar Tivarin dhe Ulqinin. Por tash që e lexova librin “Cafo Beg Ulqini” të z.Fahri Buçinca, u njoha, gjithanësisht dhe themelisht, me profilin e atij njeriu të madh. Gjëja e parë, që më vjen në mend, është kjo: Këtë libër duhet ta lexojnë të gjithë pushtetarët dhe politikanët shqiptarë kudo që ndodhen. Cafobeg Ulqini është model i një pushtetari nga më të ndritshmit që mund të përfytyrohet.
Cafobeg Ulqini është pushtetari, i cili vjen në pushtet me qëllimin e qartë për të ndihmuar qytetin dhe krahinën e vet TË ROBËRUAR. Do theksuar shumë kjo e vërtetë: Qyteti i Ulqinit dhe rrethinat e tija sundoheshin prej një shteti të huaj. Ai kërkoi të zgjidhet kryetar bashkie, jo për t’iu lajkatuar pushtuesvet, por për ta lehtësuar sa t’ish e mundur jetesën e bashkëkombësvet të vet në ata kushte robërie. Nëse nuk do të vinte ai në postin e kryetarit të bashkisë, aty do të vihej dikush tjetër. Ai dikush tjetër me siguri nuk do të punonte në të mirë të këtij populli, siç edhe ishte vërtetuar në këtë vend, jo në dhjetëvjetësha, por në shekuj pa mbarim. Është një mijë përqind e sigurtë që Cafi i ri do të dëshironte ta kish Ulqinin të lirë, por, deri sa, hë për hë, nuk mund të realizohej ajo dëshirë, gjëja më e mirë e mundshme ishte: Të shfrytëzohej legjislacioni i shtetit pushtues për të marrë në duart e veta të paktën aq pushtet sa mund të merrej. Një vizion të tillë pakkush mund ta ketë. Por, që t’i hyjë dikush konkretisht një të tillë pune, të tillë ka edhe më pak. Cafobegu ishte njeri i guximshëm. Ai i hyri asaj pune dhe e kreu atë punë pa njolla për 20 vjet e më shumë. E kreu atë punë për më se 20 vjet dhe, kur nuk mundi më të qëndrojë në pushtet, e vazhdoi jetën dhe e mbylli jetën, prapë pa njollë. Duke studiuar mbi mënyrën se si arriti të zgjidhet kryetar bashkie, mënyrën se si mundi të mbahet në atë post aq gjatë, karakterin shembullisht demokratik të qeverisjes së tij, dhe faktin se si u gjend i gatshëm për t’ua hequr sllavëvet atë qytet dhe ato treva që ata i kishin pushtuar 60 vjet më parë, para syvet tanë sa vjen e rritet shembëlltyra e tij. Shënimet që ai mban, në formë vargjesh, larg syvet të eprorëvet të vet të padëshirueshëm, e zbulojnë edhe më qartë qenien e tij domosdoshmërisht dualiste. E kjo është pa dyshim ana më e vështirë e një politikani, i cili platformën e vet të mirëfilltë është i detyruar ta mbajë sekret për vite me radhë. Jo vetëm sllavët, por edhe italianët e gjermanët, në shënimet e tij, ai i quan pushtues. I quan pushtues, ashtu siç janë, por duke i dalluar, sepse midis pushtuesvet ka edhe dallime. Duke e mbjatur postin e kryetarit të bashkisë edhe nën pushtetin italian, pushtet që, në rrethanat që u krijuan, e kërkoi vetë, madje me ngulm, pastaj duke u ngjitur deri në krye të qeverisë shqiptare, si anëtar i Regjencës, nën pushtetin gjerman, Cafobeg Ulqini, prapëseprapë, kurrsesi nuk mund të quhet kuisling.
Ai nuk është kuisling dhe këtë e dëshmon me punë, me një të atillë punë, e cila, vite më vonë, edhe vetë pushtetmbajtësit komunistë të Tiranës i çarmatos dhe i shtyn që të mos e dënojnë as përafërsisht siç kishin dënuar kundërshtarë të tjerë ku e ku më të vegjël se ai. Ai është thjeshtë një njeri, i cili, duke qenë në ato shkallë të pushtetit, mundohet t’i shërbejë sa më efektshëm vetëm kombit të vet. Vijnë, mbas të gjitha atyre përpjekjeve, kohët kur para shqiptarëvet të Ulqinit, Tivarit e më gjërë, mbyllen fatalisht të gjithë shtigjet. Cafobeg Ulqini nuk i humb as në të tilla rrethana logjikën dhe gjakftohtësinë. Nuk e humb shpresën. Nuk dorëzohet, por del në mal. I kalon 8 vjet në ilegalitet, duke rrëzikuar jetën e vet dhe jetën e krejt familjes, por nuk i shkel idealet prej të cilëvet kish qenë frymëzuar qysh prej vitevet të rinisë. Qëndrimi me armë në krah e në brez, në mungesë të një perspektive të qartë, jo 8 ditë, as 8 muaj, por fill 8 vjet, janë tashmë jo dëshmia e një patriotizmi të kulluar si pika e lotit, por dëshmia edhe e madhështisë së tij si personaliteti më i ndritur i kësaj pjese të Shqipërisë në shekullin XX. Për këtë ai e meriton një monument të madh mu në sheshin që hapet para Plazhit të Vogël, sa zbret prej pjesës së epërme të Ulqinit. Fakti që Cafobeg Ulqini pat fatin e keq të jetë pushtetar në rrethanat kur vendlindja e tij ishte e pushtuar dhe megjithatë të mos pushojë së vepruari si patriot, përkundrazi, të lulëzojë brenda da tij si patriotizmi, ashhtu edhe cilësitë e tjera brilante që duhet ta karakterizojnë çdo pushtetar (gjë që fatkeqësisht nuk ndodh shpesh), na çon te mendimi që ky libër, i cili e përshkruan me hollësi jetën e këtij njeriu të madh, duhet të gjendet mbi tavolinën e cilitdo pushtetar e politikan shqiptar.

Ky libër duhet të gjendet mbi tavolinën sidomos të atyre pushtetarëve e politikanëve shqiptarë, të cilët e ndërtojnë karrierën e vet jo në pjesë të pavarura të Shqipërisë, por në pjesët e varura, si edhe në diasporën tonë në të gjithë Globin. Psh. këtë libër duhet ta lexojnë dhe ta kenë si udhërrëfyes politikanët shqiptarë të Tivarit (natyrisht, edhe të Ulqinit), të Podgoricës, të Tuzit, të Plavës, të Medvegjës dhe të krejt Anamoravës, të Shkupit, të Ohrit, të Manastirit, të Follorinës, të Kosturit, të Janinës, të Pargës, të Prevezës. Në diasporë këtë libër duhet ta kenë mbi tavolinë dhe ta lexojnë sa herë që ta ndiejnë veten në udhëkryqe, pushtetarët dhe politikanët shqiptarë të Stambollit, të Izmirit, të Ankarasë dhe të gjithë shqiptarët e tjerë të cilët jetojnë në shtetin turk, në shtetin grek, në shtetin italian etj.etj. Vetëkuptohet, diaspora nuk do të synojë kurrfarë bashkimi territorial me Shqipërinë, por bashkimi shpirtëror gjithsesi është i domosdoshëm dhe shembullin më të mirë, kush mund t’ua japë pushtetarëvet dhe politikanëvet të atjeshëm më frymëzueshëm se Cafobeg Ulqini? Nisur nga kjo që thamë (dhe ne po shpresojmë të mos i themi kot këto gjëra), na del nevoja që ky libër duhet të përkthehet, përveçse në anglisht, edhe në turqisht, greqisht e sllavojugorisht. Të përkthehet në ato gjuhë dhe t’u dërgohet nga 1 ekzemplar të gjithë shtetarëve e politikanëve shqiptarë, ME ADRESË, në mënyrë që ata njerëz, të cilët po s’i bënë mirë, mund t’i bëjnë keq kombit të vet, të mund ta presin 100-vjetorin e Ditës së Flamurit me horizonte të reja. Nuk e ekzagjerojmë, në qoftë se themi që sot në Botë ekzistojnë e veprojnë me mijëra bashkiakë, partiakë apo parlamentarë (vendorë e qendrorë), të cilët kanë shumë nevojë për një libër me një të këtillë jetë brenda, siç është jeta e Cafobeg Ulqinit. Të gjithë ne kemi nevojë për të mësuar prej tij dhe për t’u frymëzuar prej tij.

Koha Javore

6