Nikollë Camaj Seanca XII, 16. 12. 2012

December 22, 2011   | Ngjarjet - Events

Nikollë Camaj

Seanca XII, 16. 12. 2012

Të nderuar këshilltarë, të nderuar përfaqësues të medies dhe ju qytetarë, nëse keni rastin të na shikoni, të nderuar propozues dhe nënshkrues të këtij akti,

Fjala hyrëse e kryetarit, përsëri vetëm në gjuhën malazeze, së paku pa na përshëndet në atë gjuhë që e ka mësua së pari, e që bajagi mirë e ka di si nxënës, në gjuhën që ia garanton edhe kushtetuta edhe ligji, madje janë shpenzuar sa para për të pasur mundësitë e përkthimit simultan, jo vetëm se fyen pjesën më të mirë të përfaqësuesve të Malësisë, por edhe dëshmon se po pranon çdo shantazh që vjen, qoftë nga kryeqyteti, qoftë nga partneri boshnjak.

Flasim sot për Planin financiar për vitin 2012 dhe ajo që vërehet që në fillim është shkëputja totale nga realiteti i atyre që e propozojnë, qofshin ata propozuesit nominal këtu, qofshin ata propozuesit e vërtetë atje në Podgoricë. A thua se zotërinjtë mendojnë se kemi harruar çka ishte këtu para dy javësh kur aprovuat rebalancin për vitin aktual i cili u zbrit 66%, e sot keni guximin të propozoni rritje drastike, mbi 200%, edhe pse buxheti i Podgoricës, në krahasim me të sivjetmin pëson rënie.

Pyes të zotin e kësaj shtëpi, se si ka mundësi, që pas rebalancimit, në këtë mënyrë të balancojë mjetet financiare të Malësisë dhe të dalë me një buxhet apo plan financiar, i cili është pra për tre herë më i madh sesa ai i fundit. Meqenëse i zoti i kësaj shtëpi nuk është këtu, por në rrugën Njegosheva në Podgoricë, atëherë pyetëm se ku është logjika e marionetave të tij këtu, që të dalin me këto shifra të cilat përsëri hellin mjegull në sytë e qytetarëve tonë. Pyes veten dhe ju të nderuar këshilltarë se çka ka ndryshua në terren apo në të cilat të ardhura ka hasur i zoti i shtëpisë që buxhetin e KU të Tuzit ta trefishojë.

Shifrat e këtilla janë mjet për të manipuluar duke shfrytëzuar panjohurit dhe injorancën e qytetarëve që ju besuan votën, por edhe për ju zotërinj të UDSH-së, që në fillim të planifikohet shifër e konsiderueshme, kurse në fund të vitit të vihet në shifra të balancuara, si para pak ditësh. Pse ua bëni këta qytetarëve tuaj, votuesve tuaj? A thua ata meritojnë këtë degradim apo i mbani për të paditur, që mund tua shitni edhe kungullin për shalqi.

Merrni stenogramet dhe shihni çka keni folur kur ishit opozitë. Madje edhe kur bëtë aprovimin e llogarisë përfundimtare, për të parën herë pasi që morët pushtetin. Do të shihni kur te planifikojmë ne, na thuhej atëherë! Mos të ishte e dhimbshme dhe e turpshme do të ishte qesharake. Tentativa e këtillë që popullit të vet t’i qitet pluhur sysh vjen sot pra nga ata që kur ishin opozitë flitnin për miliona, për projekte, për pragje që kurrë nuk do t’i kalonin, për realizime, e sot pranojnë çdo gjë që u servilet nga Podgorica, vetëm të mos ua luhatin karriget e rrogat e majme.

Filluat me flamurin boshnjak, me sekretaren qe nuk di asnjë fjalë shqip dhe që sipas ligjit, nuk i plotëson kushtet, vazhdoni me përjashtime joligjore nga puna, e vini deri te zbritja e planit financiar deri në masë degraduese për Malësinë.

E sot na propozoni përsëri 1700.000 evra vetëm për ujësjellës, në fakt pas intervenimeve, 2000.000…….thua se sivjet nuk do te ketë krizë financiare, edhe pse një gjë e tillë paralajmërohet në krejt Malin e Zi. Propozuat 100.000 evra për rrugën për Triesh, e ulet ne 50.000. Shumë kjo, tepër qesharake…çka mund të bëhet me to?! Në të njëjtën kohë propozuat 200.00 evra për edhe një urë në Dinoshë, prej të cilës hoqët dorë për të ndërtuar një shtëpi rinie, po ashtu në Dinoshë. Natyrisht se objektet e tilla janë të nevojshme, por nuk mund të jenë prioritet karshi tregut të gjelbër, karshi ujit për zonat malore, karshi funeralit e varrezave…. Përndryshe vlen të përkujtojmë se kemi një shtëpi kulture në Tuz, edhe një ne Sukruq, e fort mirë e dimë se sa shfrytëzohen… Kjo dëshmon se kush i cakton prioritetet tona dhe sa mendoni ju për to!

Zotërinj, vazhdoni me një matematikë të çuditshme. 40.000 evra planifikohen për këshilltarë. 21 këshilltarë nga 110 eura në muaj, për 12 muaj janë 27720 evra, e jo 40.000. Kujt ia doni tepricën. A thua në çdo drejtim KU duhet të shërbejë për të larë para?

Për parkun para komunës edhe 10.000 evra. Për cilin park more?….

Për punë me kontratë, kulturë sport, shoqatave sportive, klube e manifestime sportive, tentuat të rritni shumën në 70.000 evra, në kohën kur këshilltarin për sport e leni pa punë, e qitni punët….por edhe atë shumë pranuat ta ulni në 10.000, edhe pse kam pasur të dhëna se UDSH nuk do të heq dorë nga kjo shumë.

E gjithë kjo, jo vetëm se flet për ju, por dëshmon, për te saten here, se komuna urbane nuk është zgjedhje që premton zhvillim, apo që përgatitë kushte për komunë të plotë…për referendum as qe flitet ma.

Me një milion euro në vit, në sa do të bie edhe ky në fund të vitit 2012, as nuk munde të flitet për zhvillim, e aq më pak për trasim të rrugës drejt komunës së plotë. Por për ju komuna e plotë është një propagandë ashtu siç janë edhe këto shifra që sot i paraqitni. Flisni për investime për të cilat as projekti ideor nuk është kryer, planifikohen shifra të paarsyeshme e të gjitha këto për qellim fryrjesh.

Nuk ka praktik kombëtare as ndërkombëtare që buxheti të shoh rritje kaq të madhe Ekzistojnë parametrat të cilat diktojnë se sa dhe si munde të rritet një buxhet apo plan financiar, ai duhet të jetë gradual dhe me një dinamik të planifikuar mirë, mbështetur mbi të ardhurat reale, të cilat edhe për Podgoricën edhe për krejt Malin e Zi, sivjet janë zvogëluar… Apo sivjet do të jenë dorë-shlirë ndaj nesh…po, ashtu siç na kanë mësua..

Kamë shpresuar, por me ju as shpresë nuk ka, se do t’i dilni në rrugë fenomenit që edhe ne vet e kemi përjetuar sa ishim në pushtet, që mjetet të mos planifikohen, balancohen e ribalancohen gjetiu, pra në Njegosheva, por këtu.

Me këtë shifër të trefishuar nuk jeni duke i bërë doni favor kësaj trevë, por jeni duke kryer një disfavor, sepse një ditë, e ju asaj ditë nuk i frikoheni, dikush duhet të përgjigjet për këtë që po bëni. Këtu më së mirit flasin shifrat, por jo edhe ju vetë sepse përgjegjësia këtu i është hedhur kurbanit Nikollë e Fadil, por këto dy kurbane as si dhimbsen kujë, as si mbështet, as si përkrahë kush më.

Gjatë këtij viti keni pas një sukses dhe dua të ju “përgëzojë” që keni arritur të boshnjakizoni administratën, dhe të përjashtoni gjuhën shqipe nga përdorimi i përditshëm. Ju dje përjashtuat flamurin shqiptar nga manifestimi i vetëm qe bëni si komune. Aferim! E boshnjakëve urime ja keni arritur ata që s’kanë arritur të bëjnë shekuj administrim dhe okupim të shumëllojshëm. Unë kisha pas një urim për urimin e fund vitit… Ruaje zotë Malësinë nga ju, dhe faleminderit zotit nëse e ruan, kurse Planin miratojeni, besoj pa opozitën