Dafina dhe Elvana i shpallin luftë njëra-tjetrës për milionat e koncerteve

December 25, 2011   | Zbavitje / Zabava

Lufta për ekskluzivitet në tregun muzikor, si dhe rivaliteti i egër mes artistëve është ajo pjesë që publiku nuk ka mundësinë ta shohë, pasi gjithçka ndodh në prapaskenë. Duket se këngëtaret e suksesshme nuk janë aq të lumtura sa duken, sidomos kur vjen puna për konkurrencë dhe për milionat e parave të koncerteve që mund t’ua rrëmbejë tjetra.

Dueli më i fundit i këngëtareve, që duan me çdo kusht të rrëzojnë njëra-tjetrën, është ai mes Elvana Gjatës dhe Dafina Zeqirit. “Lufta” e ashpër mes dy këngëtareve ka nisur këto ditë për shkak të popullaritetit dhe xhelozisë që këngëtaret kanë për njëra-tjetrën. Meqë tashmë Elvana është shumë e njohur  në Kosovë, Dafina pretendon të pushtojë tregun muzikor në Shqipëri, duke i dhënë ekskluzivitetin e klipeve të reja pikërisht në Tiranë dhe në asnjë televizion të Kosovës. Ndërkohë, si kundëpërgjigje Elvana përgatit një superklip të ri. Por kjo “luftë” për të dominuar në muzikë, shkon më shumë sesa kaq. Sidomos nga prishja e miqësisë së Dafinës me “Baba stars”, dy vajzat nuk takohen më, pasi çdo takim, qoftë edhe i rastësishëm, përfundon me sherr mes tyre.

Aq shumë urrehen me njëra-tjetrën, sa tashmë këtë punë ua kanë lënë në dorë fansave, të cilët në koncerte të ndryshme në Kosovë apo Shqipëri shfaqen me pankarta apo thirrje fyese kundër tyre. Gjithë problemi qëndron te koncertet, ambicies se cila prej tyre do të arrijë të “kapë” më shumë koncerte në vit, që për të dyja këngëtaret që e kanë një koncert (2 500 euro) përkthehet në miliona para. Ndërkohë që pas ndarjes nga Krenar Cokaj dhe ndërprerjes së bashkëpunimit e miqësisë me ish-menaxherin e saj dhe “Baba Stars”, duket se Dafina tashmë i ka të paktë miqtë artistë. Të shtunën e kaluar, këngëtarja promovoi albumin e saj të dytë,  me titull  “Just me” me 17 këngë, një prej të cilave kënga “Supernova”, që e ka realizuar klip. Në promovimin e klipit ishin vetëm Genc Prelvukaj, menaxheri Damir Jahic (Cekic), Big Basta, që është autori i tekstit “Supernova” dhe pjesës më të madhe të këngëve të albumit.

Elvana vs Dafina: Pas operacioneve plastike rrisin çmimin, 2500 euro për koncert
Të dyja e kanë perfeksionuar look-un duke u shfaqur gjithmonë e më shumë me forma dhe pothuaj të ngjashme në stilin e veshjeve e të flokëve. Dafina deklaroi në vjeshtë se kishte bërë ndërhyrje në gjoks pas kërkesave të fansave, ndërsa më parë ka bërë disa ndërhyrje në fytyrë. Elvana, edhe pse s’ka pohuar asgjë vetë në lidhje me ndërhyrjet plastike, gjithçka u vu re në koncertin e saj në Toronto disa javë më parë, ku ra në sy pamja e  transformuar, që la vend për hamendësime që ajo mund të kishte bërë ndërhyrje plastike në gjoks, buzë dhe mollëzat e fytyrës. Të dyja me stilin e Beyonce, ato duket se pas këtyre përmirësimeve në pamjen e tyre tashmë vlejnë më shumë. Të dyja kanë të njëjtin çmim dhe paga në koncerte nuk kalon shifrën prej 2.500 euro. Por mësojmë nga menaxherët e koncerteve se për shkak të konkurrencës së lartë, Dafina kishte ulur çmimin e saj në 2.000 euro, ndërsa për një tur koncertesh që përfshijnë 3-4 mbrëmje, ajo mund të paguhet me 6.000 (mijë) deri në 8.000 (mijë) euro. Ndërkohë që për festat e fundvitit duket se Elvana e lë pak pas Dafinën. Zbehjen e famës së Dafinës ajo e ka shfrytëzuar mirë, me disa koncerte në Kosovë dhe tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa Dafina në anën tjetër ka caktuar disa koncerte në axhendën e saj për festat e fundvitit, por që janë komentuar si koncerte të nivelit të ulët. “Lufta” e konkurrencës mes dy vajzave seksi është acaruar edhe në rrjetet sociale, luftë që zhvillohet mes fansave, të cilët komentojnë dhe votojnë të preferuarat e tyre nëpër sondazhe që realizohen pothuaj çdo ditë.

Dafinës i bie vlera në Kosovë pas ndarjes, favorizohet Elvana
Në fakt, synimi i Dafinës për të dominuar në tregun muzikor të Shqipërisë dhe për të dalë para Elvanës, u vu re me lançimin e klipit të saj të fundit të titulluar “My swag” (Hakmarrja ime) apo (Ryshfetet e mia). Ekskluzivitetin e këtij klipi e kishte vetëm “Super Sonic Tv”, televizion që gjithmonë ka pasur si ekskluzivitet Elvana Gjatën. Në këtë rast, qëllimi i Dafina Zeqirit, e cila u bë e famshme kohët e fundit, ka qenë që me lançimin e këtij klipi të rrëzojë popullaritetin e Elvana Gjatës në Shqipëri, për faktin se Elvana dominon tashmë në Kosovë. Madje, ky klip ende nuk ka filluar të transmetohet në asnjë televizion kosovar, sepse qëllimi i Dafinës ka qenë pushtimi i tregut shqiptar si fillim. Por kur filloi zhvlehtësimi i Dafinës në Kosovë? Një arsye ishte një gabim në menaxhim, ndërsa bashkë me menaxherin Drin Zatriqi kërkuan honorare nga mediat për të dalë në kopertina gazetash e revistash, gjë që rezultoi dështim për këngëtaren, pasi mediat nuk u pajtuan me këtë kusht. Ndërkohë, miq të afërt të këngëtares kanë treguar se Dafina ia ka frikën Elvanës, se mos ndoshta ajo fiton më shumë terren në muzikë, ndaj dhe po përdor të gjitha mënyrat për ta eklipsuar. Ndryshe ndodhi me disa këngëtare të tjera që ajo ka arritur t’i mposhtë. Thuhet madje se klipin e fundit Dafina ua kishte kushtuar pikërisht atyre, Elvanës, Tunës dhe Gentës, këngëtare këto më të kërkuarat e momentit, që ajo vetë i sheh si rivale. Ndërsa ky është moment i mirë për të rritur popullaritetin e Elvanës në Kosovë e diasporë, pasi tashmë ndodhet për koncert në Detroit (SHBA) bashkë me Flori Mumajesin.

PanoramaPlus

YouTube Preview Image