Xhemi Shehu: Në tavolinën e Vitit të Ri, përshesh dhe gjel deti

December 25, 2011   | Lajmet / Vijesti

Ajo është një prej vajzave më të bukura të ekranit. Është e dashur, e qeshur, e sinqertë dhe me shumë energji pozitive për të transmetuar. Të dielave vjen si mysafire speciale në shtëpitë tona, por këtë të shtunë kemi vendosur të ndryshojmë rolet.

Kemi shkuar ne në shtëpinë e saj. Jemi përpjekur të mësojmë detaje nga jeta e Xhemi Shehut brenda mureve të shtëpisë. Vërtet nuk do të sjellim foto nga hapësira e saj private sepse Xhemi dëshiron që ta ruajë të tillë deri në fund, ama përmes këtij rrëfimi do përpiqemi t’ju bëjmë të imagjinoni atmosferën në shtëpinë e prezantueses së njohur të ekraneve shqiptare. Si simbol të festave ka vendosur vetëm pemën e Krishtlindjeve, pasi për zbukurime të tjera s’ka nevojë. Vendin e tyre e plotësojnë më së miri lodrat shumëngjyrëshe të të birit, Martinit të vogël…
Cila është atmosfera në shtëpinë e Xhemit këtë prag festash?
Kjo në fakt është një nga periudhat më të bukura të vitit për mua. Më pëlqen të kaloj më tepër kohë në shtëpi e të eksperimentoj me ndonjë recetë të re që ta përdor për natën e 31 dhjetorit. Sigurisht që atmosfera është bërë më e ngrohtë se ditët e tjera, kjo edhe për shkak të miqve, me të cilët po kalojmë më tepër kohë mbrëmjeve.
2011 solli shumë gëzime në jetën tuaj…Çfarë emocionesh përcolli tek ju ndjesia e të qenit nënë për herë të parë?
Emocionet për të cilat më pyet janë krejt të papërshkrueshme me fjalë, e madje as nuk e dija që ekzistonte kjo lloj lumturie e pamatë deri në çastin që njoha Martinin. Javët e para të mëmësisë ishin aq sa të bukura edhe të vështira për shkak të mungesës së eksperiencës së mëparshme prindërore. Tani po shijoj çdo ditë e më shumë rritjen e tij, proces në të cilin kanë një meritë të padiskutueshme dy gjyshet.
Ku do t’i kaloni këto festa në praninë e Martinit të vogël dhe bashkëshortit tuaj?
Martini është ende i vogël për të udhëtuar larg, e për më tepër duke qenë se është edhe viti i parë i festave për të, menduam që ta kalojmë natën e ndërrimit të viteve në shtëpi. Ai tani sapo ka filluar të ambientohet me dhomën e tij, lodrat e veta e nuk do doja kurrë ta shkëpusja nga rehatia që ka krijuar natyrshëm.
Si e keni dekoruar shtëpinë, mund të tregojmë disa detaje?
Përveç pemës së Krishtlindjeve që këtë vit ma dekoroi gjithë shije Arbana, nuk ekziston asnjë lloj dekori tjetër. Janë mëse të mjaftueshme lodrat shumëngjyrëshe të Martinit që i gjen në çdo cep divani apo mobilie.
Po në tryezën festive, çfarë specialiteti do të serviret nga duart e Xhemit?
Unë i qëndroj gjithmonë besnike ushqimit tradicional që gatuhet zakonisht. Nuk do ta ndërroja me asgjë përsheshin dhe pilafin që gatuhen nga lëngu i gjelit të detit. Pyetja konsistonte nëse do ta gatuaja unë? Sigurisht…që jo. Kam dëshirë të ha gjëra të shijshme, të paktën për Vitin e Ri (qesh).
Çfarë dhuratash keni blerë? Martinit për shembull çfarë i keni zgjedhur?
Deri më sot kam blerë dhurata për miqtë dhe të afërmit që kanë pasur ditëlindjet këtë periudhë. Jam munduar të zgjedh me kujdes për gjithsecilin, në mënyrë që të mbeten të kënaqur. Martini po kënaqet për momentin me një tullumbace që ka të stampuar foton e një personazhi që quhet Beni. Lodër shumë ekonomike, por që e bën atë të hapë gojën kur i vjen luga rrotull (qesh).
Sa kohë ju merr djali nga përditshmëria?
Për aq kohë sa nuk kam angazhime në punë, i dedikohem tërësisht të voglit. Ditët me të janë të mbushura me të papritura, nga të cilat pavarësisht lodhjes unë dua të marr vetëm kënaqësinë e buzëqeshjeve të tij, lojërave shumë të thjeshta që atë e argëtojnë pafund, veprimeve të reja që mëson apo qoftë edhe daljen e një dhëmbi të ri.
Gëzoni një formë të shkëlqyer fizike. Si arritët t’i menaxhonit kilogramët pas shtatzënisë?
Në fakt jam ende 2 kilogramë mbi peshën time të mëparshme, por kjo nuk është se më krijon bezdi apo më kërkon ndonjë sakrificë që të heq dorë nga ushqimi. Po rikthehem në formën time dalëngadalë pa bërë asgjë të veçantë, plus që nuk kam as kohë edhe sikur të doja.
Si është Xhemi në rolin e zonjës së shtëpisë? Bëni punë? Gatuani?
Mirë do ishte të të përgjigjesha që gatuaj nga mëngjesi në darkë apo që po më bien thonjtë duke larë me dorë ngaqë kam merak t’i fus rrobat në lavatriçe se më prishen, por nuk do doja t’i hyja në hak personit që kujdeset për shtëpinë time 3 herë në javë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk gatuaj, përkundrazi e bëj me shumë qejf. Ama duhet ende të mësoj të gatuaj pa bërë aq shumë rrëmujë në kuzhinë.
Raportet tuaja me prindërit e Visit…
Kjo është një pyetje që kushdo do t’i përgjigjej pozitivisht e s’besoj se del ndonjë për të thënë të kundërtën. Për fat të mirë ky nuk është rasti im, pra nuk them që i kam të mira vetëm sepse kështu duhet. Kam vërtet raporte të shkëlqyera me ta.
Sa ka ndryshuar jeta juaj këtë vit dhe çfarë prisni nga 2012?
Jeta ime ka ndryshuar rrënjësisht këtë vit, madje më duket sikur ka rinisur me të tjera prioritete, të tjera kënaqësi e sigurisht dhe të tjera pritshmëri. Nga 2012 kërkoj vetëm shëndet të mirë për vete dhe për të gjithë të afërmit e mi, asgjë më shumë!
Njëkohësisht keni festuar dhe 10-vjetorin e “Top Channel”. Një rrugëtim i gjatë, por le të kujtojmë pak fillimet tuaja. Çfarë mund të na rrëfeni?
Kam filluar punë në “Top Channel” në moshën 20-vjeçare, bëhet fjalë për vitin 2003 e nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të qëndroja kaq gjatë në këtë perandori mediatike, absolutisht më e mira në vend. Kam kaluar krejt natyrshëm nga njëri program në tjetrin, me hapa të vegjël e gjithmonë duke menduar asokohe për secilin program se do të ishte i fundit ku do të angazhohesha. E në fakt ndodhte krejt e kundërta, kam pranuar me kënaqësi të madhe të gjithë formatet që më janë propozuar. Tani kanë kaluar thuajse 8 vjet që nga hera e parë e daljes sime në ekranin që më rriti profesionalisht, periudhë kjo që do ta mbaj mend gjithmonë edhe për etapat më të rëndësishme të jetës sime.
Dita më e bukur dhe ajo më e vështirë në ambientet e “Top Media”
Ditë të bukura ka thuajse gjithmonë në atë lloj ambienti. Të punosh me artistë dhe profesionistë të vërtetë, mbetet gjithmonë kënaqësi e veçantë. Momentet më të vështira, do të klasifikohen ato ditë kur jeta të përball me humbjen e beftë të dikujt që ke pasur shumë të afërt, e ndërkohë ekrani të kërkon detyrimisht që të jesh i qeshur e t’ia transmetosh këtë edhe publikut që po të ndjek.
Cili ka qenë kolegu me të cilin ruani raporte të shkëlqyera që nga fillimi e deri më sot?
Në përgjithësi kam raporte shumë të mira me të gjithë kolegët e mi të punës, madje shumë prej tyre do t’i konsideroja njëkohësisht edhe miq mjaft të mirë jashtë dyerve të televizionit. Përmend këtu Arbanën, Ledionin, Enon, Albanën, motrat Vjollca, Amin dhe Ermalin, që i kam shumë xhan. Kolegu më i mirë që unë kam pasur fatin e madh të punoj, e që sot më mungon shumë shumë, mbetet Adi Krasta.
Po projekti që ju ka shijuar më tepër?
“E diell” dhe “Portokalli”, janë dy formatet që dua më tepër.
Këtë sezon tek “E Diell” erdhët në një rol të rëndësishëm, ndonëse programi në tërësi kishte vend për përmirësime. Cilat janë surprizat që keni përgatitur për puntatën e “Krishtlindjeve”?
Unë tek “E Diell” kam qenë dhe jam vetëm moderatore. Vazhdimisht në punën time si prezantuese (në gjithë këto vite) jo gjithmonë kam qenë dakord me zgjedhjet autoriale, por ama kam respektuar punën e gjithsecilit dhe kam mbajtur pozicionin tim duke u përpjekur të jap maksimumin, cilido të ketë qenë formati. Sa i përket puntatës së ardhshme, ju ftoj vetëm të na ndiqni për të kaluar një të dielë ndryshe dhe plot argëtim. Do të të thoja ndonjë element surprizë, vetëm po të më tregoje kush është spiuni qe zbulon detajet e programit tonë, të cilat ndonjëherë i merrni të gabuara (qesh).
Pritshmëritë tuaja për sezonin e ardhshëm janë për të qëndruar në “E Diell”, apo për t’u zhvendosur në një tjetër produksion të “Top”-it?
Mua më kanë propozuar dhe programe të tjera, oferta për të cilat jam duke reflektuar. Duke parë e duke bërë.
Si përfundim na jepni një urim për të gjithë lexuesit.
Urimi shumë i përzemërt për të gjithë lexuesit e gazetës suaj është vetëm ky: Shëndet e sa më shumë punë për të gjithë!

Eraldo Reho Bluetooth

YouTube Preview Image