Partia Demokratike & RROSH dhe diaspora Shqiptaro-Amerikane përkrahin protestën në Tuz

December 28, 2011   | Rajoni / Region

Në Tuz me 28 dhjetor, në ora 14, nën organizimin e Forumit Demokratik për Integrim do të organizohet  një protestë për shkak të pakënaqësisë me gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të shqiptareve në Mal të Zi.
Nga faktorët politik shqiptarë që veprojnë në Mal të Zi shumica mbështesin arsyet e protestës dhe vet protestën. Kështu, deputetet Mehmet Bardhi dhe Genci Nimanbegu mbështesin arsyet e protestës kurse aktivistët politik nga Malësia Nikollë Camaj dhe Smail Çunmulaj do të jenë prezent edhe vetë në protestë. E vetmja mosmbështetje vjen nga kryetari i kuvendit të komunës urbane të Tuzit Fadil Kajoshaj nga radhët e UDSH duke deklaruar se protestat nuk do i sjellin asgjë të mire shqiptarëve.  Kryetari i komunës urbane të Tuzit, Nikollë Gegaj nga radhët e DPS (PDS) nuk u shpreh në lidhje me organizimin e kësaj proteste.
Publikisht, Partia Demokratike, partia më e re shqiptare në Mal të Zi dhe disa subjekte të Diasporës Shqiptaro-Amerikane përkrahin këtë protestë.  /Ulqini-Online/ /Malesia.Org/Lajme nga Ulqini/

YouTube Preview Image

Rrjeti i Organizatave Shqiptare, duke ndjekur me vëmendje situatën e kohëve të fundit në Mal të Zi, lëshon këtë komunikatë për të shprehur shqetësimin për gjendjen e për të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet, sidomos pas njoftimit për nismën e qeverisë së Malit të Zi që synon të miratojë një ligj që ia heq shqiptarëve të drejtën për të përdorur flamurin kombëtar.
RrOSh e konsideron këtë projektligj si një provokim ndaj shqiptarëve, e si një prapakthim në politika të represionit. Të njoftuar me aktivitetet e shqiptarëve të Malit të Zi kundër kësaj iniciative, RrOSh përmes kësaj komunikate mbështet qëndrimin dhe organizimin e Forumit Demokratik për Integrim (FDI).

RrOSh mbështet protestën që FDI organizon në datën 28 dhjetor, protestë që synon ruajtjen e dinjitetit të gjithë shqiptarëve, e që në të njëjtën kohë synon përmirësimin e qeverisjes në Tuz e në Malësi të Madhe. Nisma e shqiptarëve për të patur një komunë të veçantë në Malësi të Madhe është një nismë konstruktive që merr në konsideratë nevojat e komunitetit shqiptar për të ruajtur e për të zhvilluar kulturën dhe ekonominë e tyre, si dhe për të mbrojtur tokën e tyre nga plaçkitjet e shpronësimet, në të gjitha trevat ku historikisht ata kanë banuar.

RrOSh i fton të gjithë shqiptarët e Malësisë t’i bashkangjiten protestës së FDI në 28 dhjetor në Tuz, pasi çdo ndryshim e çdo përmirësim në gjendjen e tyre në shtetin e Malit të Zi do të mund të vijë vetëm nëpërmjet angazhimit të tyre në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar. Përmes organizimit në aksion populli shqiptar ka qenë në gjendje të mbrojë të drejtat e veta, e sa herë që ka përfunduar i çorganizuar e i fjetur, këto të drejta i janë shkelur e i janë tkurrur. Pra veç ngritja e zërit prej gjithë popullit, konsistenca e këmbëngulja në realizimin e këtyre të drejtave do ta vendosë para përgjegjësisë jo vetëm qeverinë dhe parlamentin e Malit të Zi, por edhe qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat gjithashtu duhet të jenë më aktive në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve të Malësisë së Madhe e të trevave të tjera në Mal të Zi.

(Rrjeti i Organizatave Shqiptare është një forum i organizatave shoqërore shqiptare nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi, Lugina e Preshevës për të bashkërenduar përpjekjet për një jetë sa më të mirë dhe me dinjitet të shqiptarëve kudo ku janë).

2