IN MEMORIAM: Dr Beni, një jetë humanisti e shuar para kohe

January 3, 2012   | Anketë / Anketa

Dashuria për jetën dhe fëmijët, sinqeriteti dhe mënyra e veçantë e komunikimit dhe humanizmi e bënë Dr. Arbenin një figurë të dashur  e të respektuar tek fëmijët dhe prindërit e tyre. Autoriteti i tij bindës, profili  human dhe shpirtërisht i pasur, filozofia e tij e jetës, kultura e gjërë, personaliteti i tij imponues, duke ushtruar një përshtypje të thellë hapën një brazdë gjurmëlënëse ndikimi në ndërgjegjen e të gjithë kolegëve që e njohën  dhe me të cilët punoi.

Shkruar nga Gjekë  Gjonaj

Dhimbje e lot
Ditë  e kobshme ishte  3 janari i vitit 2009 për familjen  e Abdullah Kurtit, me prejardhje nga Sukubina në Anë të Malit  e cila jeton  në Ulqin. Në moshën 29 vjeçare,  u shua para kohe jeta e djalit të tyre, Dr. Arbenit. Lajm rrënqethës, por edhe mjaft prekës për të gjithë. U nda përgjithmonë nga jeta në lulen e rinisë fëmija dhe gëzimi i parë i familjes Kurti. Kjo ndodhi   në kohën kur  babai Abdullahi e nëna  Meleqe, me profesion  arsimtarë,  motra  Ardita,  profesoreshë e gjuhës angleze dhe vëllai Florini, stomatolog,  prisnin  që Dr. Arbeni  të martohej, të krijojë familje, të shijojë dashurinë prindërore dhe të kënaqeshin bashkërisht më fëmijët e tij, ashtu siç   kënaqej   djali dhe vëllai  i tyre tashmë i ndjerë me pacientët e vegjël pa dallim se të kujt ishin dhe nga ishin. Por fati i hidhur   deshi që për një çast lotët e gëzimit të kësaj familje  të shndërrohen në lot pikëllimi.

Kush ishte Dr. Arben Kurti?
Lindi më  2 korrik 1979 në Tivar. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Ulqin me sukses shembullor. Për  Dr. Arbenin  shkolla e mesme  nuk ishte mjaft. Ai deshi talentin e tij ta rrumbullakësoi me një shkollim sipëror. Zgjodhi  Universitetin e Tiranës,  ku me sukses të lartë, në vitin 2003, i përfundoi studimet  pranë Fakultetit të Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme. Në Shtëpinë  e Shëndetit në Ulqin vjen  menjëherë pas diplomimit dhe fillon punën në praktikën e obliguar gjashtëmujore, kurse pjesën tjetër të stazhit mjekësor e mbaron në Spitalin Rajonal të Tivarit, ku dhe merr vendimin si punëtor i përhershëm.Gjatë punës së tij në këtë spital vërehet nga udhëheqësia si  mjek me  kualitete të veçanta dhe i ndahet specializimi  i Pediatrisë. Vazhdon punën në repartin për sëmundjet  e fëmijëve në Tivar nën  mentoritetin e Dr.Rexhep Spuzhës. Qëllimi i tij madhor ishte që në këtë mënyrë të jetë urë  lidhëse ndërmjet  pacientëve dhe  institucioneve shëndetësore të Tivarit dhe Ulqinit. Ka shërbyer edhe në Qendrën Klinike të Podgoricës dhe të Beogradit. Ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Ulqin në vitin e fundit të specializimit të tij në Beograd. Dr. Arben  Kurti ishte dhe mbetet për  familjen time një figurë me vlerë si njeri në radhë të parë e pastaj si mjek. Dua  ta falënderoj me gjithë zemër doktor  Benin me këtë shkrim përkujtimor për kujdesin që i  ka dhuruar djalit tonë të vetëm Rajmondit, në kohën kur kurohej në spitalin e Tivarit. Rrinte me orë të tëra  i shqetësuar pranë djalit tonë dhe përmes telefonit na jepte informacione të njëpasnjëshme për shëndetin e tij,  duke u bërë në këtë mënyrë miku ynë familjar. Mjeku i ri i apasionuar mbi të gjitha ishte  një person që gëzonte admirimin dhe dashurinë jo vetëm të familjes sime  por të gjithë pacientëve të tij. Krahas përkujdesjes së sinqertë për shëndetin e pacientëve ( fëmijëve)  gjente kohë të bisedonte me ta. Dashuria për jetën dhe fëmijët, sinqeriteti dhe mënyra e veçantë e komunikimit e bënë Dr. Arbenin një nga figurat më të dashura e të respektuara të fëmijëve dhe të prindërve të tyre. Ishte mjaft fleksibël, person që hyri padiktueshëm në zemra njerëzish dhe krijoi shoqëri. Ishte njeri gojëmbël, i thjeshtë, gazmor dhe një mjek  i shkëlqyer. Puna dhe vetëm puna ishte frymëzimi kryesor i jetës së tij. Përkushtimi ndaj punës, pasioni i rrallë për profesionin dhe dashuria e madhe për fëmijët  e bënë atë një mjek të dashur e të preferuar. Nga duart e tij u vizituan dhe u kuruan  me qindra pacientë – fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Dhe pothuajse të gjithëve u dha më shumë jetë, më shumë gaz e  buzëqeshje. Spikati sidomos ne lidhjet qe krijonte  me  fëmijët dhe në qëndrimin pa kurrëfarë distance që mbante me kolegët, me infermierët, madje edhe me sanitarët.

Dr. Arbeni në  kujtimet e kolegëve
Zemra e madhe e këtij  mjeku të ri  tërhoqi admirimin e të  gjithë atyre që e njohën. Autoriteti i tij bindës, profili  human dhe shpirtërisht i pasur, filozofia e tij e jetës, kultura e gjerë, personaliteti i tij imponues, duke ushtruar një përshtypje të thellë hapën një brazdë gjurmëlënëse ndikimi në ndërgjegjen e të gjithë kolegëve që e njohën  dhe me të cilët punoi. Në mbledhjen përkujtimore të organizuar  nga Spitali i Tivarit dhe Shtëpia e Shëndetit në Ulqin, më 3 janar 2009 , Dr. Rexhep Spuzha , në mes tjerash  tha:  ” Dr.Beni ka pasur dashuri të madhe  për pediatrinë. Fëmijët e kanë dashur shumë. Kur  ishte në mesin e tyre, ata  gjithmonë e prisnin me  buzëqeshje”. Edhe drejtori i Spitalit të Tivarit Dr. Zoran Sërzentiq gjatë fjalimit, në mes tjerash, u shpreh: ”Dr. Beni ka qenë një kuadër me perspektivë të madhe. Unë në Benin  kam parë  kryeshefin e ardhshëm të pediatrisë në spitalin tonë”. Ndërsa drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Prim. Dr. Gani Karamanaga, ndër të tjera theksoi : “Të bëhesh mjek nuk është aspak e lehtë, shkollimi është i vështirë dhe i gjatë. Familja e prof. Abdullah Kurtit me mundësi materiale të kufizuara, ka bërë shumë për shkollimin dhe edukimin e  fëmijëve të tyre. Humbja e Dr. Arben Abdullah Kurtit, është e pazëvendësueshme për shëndetësinë e rajonit  Tivar-Ulqin, një dhembje e madhe, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të gjithë popullatën tonë”.

Besimtar i devotshëm
Dr. Arben Kurti krahas punës si mjek shquhet edhe si besimtar i devotshëm. Në  moshën 24- vjeçare kreu një prej obligimeve fetare-Haxhin . Mori pjesë në realizimin e librit ”Udhëtim i shkurtër nëpër qenien njerëzore” me temën: ”Kumtesë  mbi disa çështje të përkufizimit të embrionit në Kur`an”, botuar në Tiranë në prill të vitit 2003.Promovimi i këtij libri u bë edhe në Ulqin, në sallën e madhe të Kuvendit Komunal,  në simpoziumin mjekësor me të njëjtin titull, ku morën pjesë, prijës fetar, mjekë, specialistë nga Ulqini, Shkodra dhe Tirana si dhe qytetarë të shumtë të Ulqinit, që u organizua nga Bashkësia Islame e Ulqinit dhe Shoqata Mjeko-Sociale “Horizontet e dijes” nga Tirana. Kjo e fundit u themelua  me iniciativën e Dr. Arben Kurtit, me qëllim bashkimin e studentëve nga të gjitha trojet shqiptare që studionin në Tiranë.

Lamtumira e fundit
Më  4 janar 2009  Ulqini u nda nga një intelektual fisnik, nga një mjek i ri me shumë perspektivë. Në shtëpinë e Abdullah Kurtit heshtje e rëndë. Përmallim ky që të djeg në shpirt, që ta zë frymën dhe të bën të pyesësh: Si qëndrojnë prindërit e ngratë? Por në raste të vështira verifikohen burrat. Turma njerëzish  atë ditë vaji e mallëngjimi  ua shtrijnë dorën e ngushëllimit familjarëve. Prindërit e Dr. Arbenit mundohen të bëjnë gajret, ndërsa në fytyrat e vëllait dhe motrës vërehen lotët e pikëllimit e të dhimbjes. E kuptoj dhimbjen e tyre, nga që edhe unë bëjë pjesë në grupin e atyre prindërve që përcollën në amshim fëmiun e vet të parë. Le të prehet në paqe shpirti i mjekut e humanistit të ri Arben Kurti. I paharruar qoftë emri i tij. E paharruar qoftë vepra e tij prej  intelektuali.

YouTube Preview Image

 

14