Prishtina fiton turneun në Ulqin

January 23, 2012   | Sporti / Sport

Kampioni vjeshtor i Kosovës në futboll, Prishtina, ka fituar turneun e zhvilluar të dielën në Ulqin.

Kryeqytetasit këtyre ditëve janë duke zhvilluar përgatitjet në Ulqin, ndërkohë që sot ishin pjesë të turneut ndërkombëtar të mbajtur në këtë vend. Turneu është zhvilluar më sistem eliminimi më nga 45 minuta lojë.

Sulmuesi i Prishtinës, Enis Fetahu, ka bërë të ditur se Prishtina ka fituar kupën e këtij turneu. Ai nuk u paraqit në këtë turne për shkak se ende nuk është shëruar plotësisht nga lëndimi i pësuar kohë më parë.

Sipas Fetahut, skuadra e tij në gjysmëfinalen e këtij turneu mundi skuadrën nga Shqipëria, Lushnjën prej 2:0. Golat e fitores për “bardh-e-kaltrit” i shënuan Berat Ahmeti dhe Azem Ahmeti.

Ndërkaq në ndeshjen finale, Prishtina me golin e Ardian Kozhanit mundi Tomorin prej 1:0, duke e fituar këtë turne të karakterit ndërkombëtar.

Bota Sot