Vizita e Kryeministrit Berisha në Ulqin – Video

January 26, 2012   | Reportazh / Reportaža

Për ma shum Fotografi  kliko Komuna E Ulqinit Facebook

Vizita e Kryeministrit Berisha u përmbyll dje me një vizitë në Ulqin ku u prit dhe ku zhvillojë një takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit z. Nazif Cungu në ora 18:30.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Kryeministri Berisha u ndal pasditen e djeshme në Komunën e Ulqinit. Kryeministri Berisha u prit fillimisht nga kryetari i Komunës z. Nazif Cungu dhe më pas, zhvilloi një takim me përfaqësues e Komunës së Ulqinit.

Kryetari i komunës, së bashku me përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit, i uruan mirëseardhjen Kryeministri Berisha dhe u shprehën se vizita e tij në Ulqin është një respekt dhe nder i madh për të gjithë banorët.

Kryetari i Ulqinit Nazif Cungu shprehu kënaqësin e madhe që kryeministri shqiptar viziton qytetin e vjetër të Ulqinit.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i vlerësoi ata për kontributin e jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare, në të gjitha kohërat. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shprehu atyre mbështetje nga ana e Shqipërisë, në çdo përpjekje për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kombëtar, kulturor, si dhe në çdo përpjekje për një shkollim më të mirë për ta.

Shqipëria vlerëson progresin e ndjeshëm dhe real, që shqiptarët, me të drejtat dhe liritë e tyre minoritare e njerëzore, që kanë bërë në Malin e Zi. Vlerëson dialogun konstant, konstruktiv, që ato kanë me qeverinë dhe forcat e tjera politike të këtij vendi. Ne kemi bindje të përbashkët se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë dhe do të bëhen gjithnjë e më shumë një model i shkëlqyer bashkëpunimi dhe miqësie në rajonin tonë.

Kryeministri Berisha në fjalën e tij para gazetareve falenderoi mikpritësit për pritjen vëllazërore që ja bëri kryetari i Ulqinit z.Nazif Cungu.

Kryeministri Berisha zhvillon një vizitë në Ulqin

Gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në Mal të Zi, kryeministri Berisha vizitoi Ulqinin ku u prit nga kryetari i Komunës z. Nazif Cungu.

Për të pritur dhe përshëndetur kryeministrin Berisha kishin dalë edhe shumë qytetarë të Ulqinit. Në përfundim të takimit të zhvilluar në ambientet e komunës së Ulqinit, ku kryeministri pati rastin të shkëmbejë mendime me drejtues të komunës dhe përfaqësues politik në këshillin e kësaj komune, ai dhe kryetari i komunës zoti Cungu dhanë nga një prononcim për mediat. Takimi në qytetin e Ulqinit përfundoi me një vizitë të kryeministrit në qendrën e qytetit dhe në Kalanë e lashtë të tij.

Në prononcimin për mediat Kryetari Cungu u shpreh:

“Sot pata kënaqësinë dhe nderin e veçantë që të mirëpres kryeministrin e Shqipërisë në shtëpinë tonë qytetin shekullor. Dy dekada më parë ka qenë e paimagjinueshme që kufiri, i cili gjendet pak kilometër prej këtu do të shndërrohej në formalitet si sot, do të mund të komunikojmë lirisht si sot dhe ne do të mund të shijojmë vizitën e të dy palëve të qeverisë së Tiranës.

Ju Shkëlqesi, keni luajtur një rol kyç në rrëzimin e komunizmit, në nxjerrjen nga izolimi të Shqipërisë dhe në rivendosjen e komunikimit të shteteve fqinj ku jetojnë shqiptarët, prandaj në emër të të gjithë shqiptarëve të Malit të Zi dhe të diasporës unë ju falenderoj përzemërsisht dhe ju shpreh mirënjohjen më të thellë.

Ne patëm sot një bisedë frytdhënëse mbi sfidat dhe problemet që ne këtu ballafaqohemi. Ne biseduam gjithashtu për mundësitë që ekzistojnë për të lidhur me ngushtë komunitetin tonë me Republikën e Shqipërisë, për hapësirat që ekzistojnë për të nxitur bashkëpunimin në çdo sferë publike. Ne folëm për projekte konkrete infrastrukturore dhe kulturore. Kam kënaqësinë ti njoftoj qytetarët e Komunës së Ulqinit se z. Sali Berisha, ka treguar një interes të madh për problemet tona këtu dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të na ndihmuar dhe mbështetur.

Unë përfitova nga rasti për ta përgëzuar mysafirin tonë të shquar, për arritjet e mëdha të Shqipërisë në këto vite, si për shembull për hyrjen në NATO apo për projektin madhështor të Rrugës së Kombit. Ecja përpara e Shqipërisë, konsolidimi i ekonomisë dhe demokracisë së saj dhe lartësimi i imazhit të saj në arenën ndërkombëtare ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në pozitën e shqiptarëve brenda shtetit të Malit të Zi. Ne ndjekim me vëmendje çdo zhvillim politik që ndodh në Shqipëri dhe shpresojmë që vështirësitë të kalohen sa më shpejt dhe se jubileu shekullor i shpalljes së pavarësisë të stoliset me përfitimin e statusit të kandidatit nga Bashkimit Evropian. Përforcimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi na gëzon pamasë dhe paraqet një dëshmi tjetër që të dy këto shtete e kanë vendin natyrshëm në Bashkimin Evropian.

Zoti kryeministër ju falenderoj për këtë vizitë”.

Nga ana e tij kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti Kryetar i Komunës së Ulqinit,

Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht, për këtë pritje vëllazërore. T’ju përgëzoj ju zoti Kryetar për gjithë përpjekjet dhe projektet e mëdha, ambiciet e shkëlqyera pozitive, për zhvillimin e kësaj komune, njërin prej qyteteve më të lashta të kombit shqiptarë. Njërin prej perlave më të bukura turistike të Malit të Zi, por dhe të Rajonit, i njohur në Europë dhe më gjerë për bukuritë, mikpritjen dhe shërbimet e shkëlqyera që ju ofron turizmi.

Unë sot kam pasur një ditë vizite zyrtare, takimesh intensive, miqësore, me zyrtarët më të lartë të Malit të Zi, Kryeministrin Luksiç, Presidentin e vendit Filip Vujanoviç, me mikun tim të vjetër Milo Dukanoviç, Nënkryetarin e Parlamentit dhe duhet t’ju garantoj se në të gjitha këto takime është dëshmuar një vullnet i përbashkët, për të bërë gjithçka që të intensifikojmë marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Në këtë kontekst nuk ka dyshim, që në këtë përpjekje, turizmi dhe potenciali turistik i Ulqinit zë një vend të veçantë. Diskutuam sot me kryeministrin, për një aksion të përbashkët në Bunë, për thellimin e saj, në mënyrë që turistët të mund të organizojnë ture nga Ulqini, nga Tivari, nga Shkodra, në Bunë në liqen deri tek Vir Pazar, në mënyrë që pasuritë e mëdha të Ulqinit, Shkodrës dhe Rajonit, tu behën disponibël turistëve nga mbarë Bota.

Zoti kryetar,

Unë ju garantoj ju, se qeveria do të mbështesë fuqishme ,të gjitha përpjekjet tuaja për arsimimin, për edukimin, për zhvillimin e mëtejshëm të kulturës kombëtare në këtë qytet dhe në këto treva. Për restaurimin e monumenteve të kulturës, në shkollat e larta të vendit, studentët do të mund të përzgjedhin degët që duan dhe jam i bindur se në një të ardhme jo të largët, një infrastrukturë e re moderne do të lëshojë shtat, që do të njësojë pothuajse, do ti bëjë një ansambël të përbashkët turistik, Ulqinin, Velipojën, Shëngjinin.

Qeveria ka marrë dhe do të marrë porosi, ministrat përkatës, që krahas projektit të thellimit të Bunës, edhe të subvencionin fillimisht publik të Crocierave , në mënyrë që të kënaqim sa më shumë turistët, të bëjë projektet e urës tjetër, që do të lidhë Velipojën me anën tjetër të Bunës dhe me Ulqinin. Turistët plazhin mund ta bëjnë në Ulqin, kafen e pasdites mund ta shijojnë në Velipojë, ose dhe e kundërta.

Zoti kryetar.

Shqiptarët e Malit të Zi, kanë pasur një rol të veçantë, në historinë kombëtare të kombit shqiptarë. Ata kanë qenë me trimërinë, burrërinë, përpjekjet e tyre në pararojë, në krye të përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi dhe nuk është e rastit. Ismail Qemali, në Kuvendin e vetëm të shqiptarëve që ka marrë pjesë, është Kuvendi i shqiptarëve të Malit të Zi, por kjo është një histori e kohës së pavarësisë. Në rast se kthehemi në historinë moderne, ne jemi krenarë në rolin që kemi luajtur, në mbështetje të vendosur të pavarësisë të vendit ku jetoni, të pavarësisë së malit të Zi.

Ky vend, është një vend mik për ne, është një vend, që ne jemi të sigurtë, që do të ndërtojë një të ardhme të shkëlqyer, por kontributi juaj është një vlerë shumë e madhe, në miqësinë dhe bashkëpunimin që ne kemi sot me Malin e Zi. Ju, keni qenë një popullatë jo shumë numerike këtu vitet e fundit, por keni luajtur rol shumë më të rëndësishme sesa çfarë jeni në proporcion me popullatën, me votën tuaj , në momentin historik kur ky komb, ky vend, u bë i pavarur dhe ka mbajtur qëndrime të shkëlqyera ndaj Kosovës dhe ne jemi shumë mirënjohës, sepse vendimet e këtyre 10 viteve të fundit të qeverisë së Malit të Zi, kanë qene vendime të burrave guximtarë, trima dhe në interesin më të mirë të paqes dhe stabilitetit në Rajon. Ndaj edhe në këtë kontekst unë dua të shpreh, nderimin dhe vlerësimin tim më të madh për ju dhe dua të përshëndes nëpërmjet jush, të gjithë qytetarët e Ulqinit, të qytetit dhe fshatrave dhe tu siguroj se do të bëjmë gjithçka, që të këtë një bashkëpunim më intensiv ashtu siç e dëshironi, me Shkodrën, me Tiranën, me Shqipërinë.

Pyetje: Zoti Berisha a u bisedua sot me Podgoricën zyrtare, lidhur me avancimin e shqiptarëve në Mal të Zi. Pak ditë më parë në Parlamentin e Malit të Zi është miratuar një ligj i ashtuquajtur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, me një nen të posaçëm, ju kufizohet mënyra e përdorimit të simboleve dhe flamurit. Kanë reaguar i gjithë spektri politik shqiptare dhe deputetët shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi?

Kryeministri: Me miqtë diskutohet gjithçka me njeri –tjetrin dhe ju garantoj se ne kemi trajtuar të gjitha problemet sëbashku. Mendimi im miqësor është ky; në institucionet publike, çdo vend rregullon me ligj përdorimin e simboleve edhe vendet me te lira në Botë, e kanë rregullin e tyre. Për qytetarët, dua të jem shumë i sinqertë, në mënyrën më miqësore theksoj se, shteti nuk duhet të ketë asnjë lloj preokupimi dhe problemi me çfarë simbolesh preferojnë apo pëlqejnë ata. Individët janë individ, sektori publik është sektor publik dhe unë në Shqipëri, ju garantoj se po të kaloni, një shtëpi e shikoni me një flamur, sepse djali punon në atë vend dhe ka nxjerre fitimet që vjen dhe ndërton shtëpinë dhe një shtëpi tjetër ka një flamur tjetër, por në të gjitha rastet flamujt janë vetëm për të nderuar dhe ne duhet të nderojmë flamujt e njëri-tjetrit, sepse janë simbole të sakrificave të bëra për liri dhe dinjitet kombëtar në çdo vend.

Pyetje: Si e shikoni pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi?

Kryeministri: Shqipëria vlerëson realizimet e mëdha, që shqiptarët kanë arritur në një dialog konstruktiv me autoritetet e Malit të Z. Unë jam dëshmitar vetë i këtyre arritjeve. Gjatë këtyre 20 viteve unë kam ndjekur në mënyrë konstante këtë progres dhe shqiptarët në Mal të Zi, kanë meritën, sepse janë përpjekur për të gjetur dhe kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit me forcat e tjera politike dhe kanë shënuar rezultate të prekshme të pamohueshme. Së dyti, Mali i Zi, Shqipëria, kanë një projekt më madhor dhe ky është projekti Europian. Rendi Europian është një rend i bazuar në lirë dhe të drejtat e qytetarëve. Unë po vij nga Podgorica dhe u ndala në Tuz. Unë kam qenë atje 4 vjet më parë, mendimi për Komunën e Tuzit, është absolutisht i ndryshëm nga ai që ishte 4 vjet më parë. Pse kjo? Sepse edhe për Shqipërinë edhe për Malin e Zi dhe për çdo vend që aspiron në Bashkimin Europian, decentralizimi është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për konsolidimin e lirive dhe të drejtave, kështu që unë konsideroj se marrëdhëniet ndër etnike në Mal të Zi kanë njohur zhvillime qartësisht pozitive dhe i kanë realizuar këto zhvillime në mënyrën me të qytetëruar.

Pyetje: Kur shqiptarët nga Mali i Zi do ta kalojnë kufirin me letërnjoftim?

Kryeministri: Është çështje e burokratëve, por shpresoj që të mos zgjasë me shume se 5-6 javë sa të kalojë në parlament, është çështje rendi dite parlamenti, s’ka asnjë pengese tjetër.

Faleminderit.

26/01/2012

Burimi: Keshilli i Ministrave.al

Ndiqni Videon nga TV TEUTA

28