Adelina Ismajli: Eksplozivin në koncert ma vuri këngëtarja e lidhur me politikën – Video

January 28, 2012   | Lajmet / Vijesti

Ka preferuar që të flasë hapur dhe pa asnjë ekuivok në një program televiziv në Kosovë, duke pohuar me gojën e saj disa të vërteta tronditëse. Adelina Ismajli është këngëtarja për të cilën flitet gjithmonë, edhe kur nuk sjell diçka të re në muzikë. Madje, lajmet jashtë muzikës mbi të shpesh kanë qenë edhe më atraktive. Ja çfarë deklaron ajo në këtë emision.

Ti je një rugoviste e deklaruar, pse ke qenë kaq e zjarrtë në këtë aspekt?
Kam mësuar shumë nga Ibrahim Rugova, por vetëm diçka nuk e mësova dot prej tij,  gjuhën e paqes. Kam folur shpesh në mënyrë primitive për t’u kuptuar. Gjuha e dhunës është e përdorur më së shumti te ne. Nëse dikush nuk di vetëm këtë gjuhë, unë nuk mund të kaloj gjithë jetën time duke i shpjeguar atij që ti nuk e ke mirë. Prandaj, e kam shprehur edhe në këngë se unë si rugoviste di me kthy faqen tjetër, kështu që mos  më detyroni. Faktikisht më kanë detyruar.
Kaq e apasionuar mbas LDK-së, a do të përfshihesh në politikë?
Nuk mendoj se do futem ndonjëherë në politikë, LDK më ka tërhequr thjesht si ideologji. Politika është lavirja më e madhe dhe gjithmonë kthehet kundër atij që është lart. Jemi dëshmitarë se çfarë po ndodh kohëve të fundit, njerëz që kemi menduar se janë të palëkundur, po lëkunden dhe shumë shpejt.
Për gjuhën tënde të drejtpërdrejtë ti ke paguar edhe një farë kostoje, madje ke pasur edhe alarme për bomba në koncertët e tua. Na trego diçka më shumë.
Mund të them se ato kanë qenë gjëja më e vogël që më ka ndodhur. Dhe ka pasur tri arsye: e para se unë dola hapur dhe me një farë agresiviteti duke thënë se jam rugoviane, e dyta se popullariteti im u rrit aq shumë, sa edhe unë vetë nuk po e përballoja dot; Dhe e treta, nëse shkruan në një titull gazete që Adelinës iu vu bombë në koncert, askush nuk do lexojë në atë gazetë se shteti ka vjedhur 70 milionë euro tender, pra tërhiqet vemendja nga problemet e vërteta. Dhe ky nuk është mendimi im, por ma kanë thënë njerëz që merren me mediat. Pra, mediat më kanë përdorur për të mbuluar lajme të tjera. Të jesh femër e fuqishme në Kosovë është e pakonceptueshme, nuk mund të jesh edhe e talentuar, edhe e bukur, edhe e mençur, prandaj duhen shpikur teori konspirative. Nëse kam pasur presione prej politikanëve, atëherë kam patur trefish prej kolegëve, të cilët kanë shfrytëzuar rastin. Më pas, këto presione janë ndërthurur me njëri-tjetrin, sa edhe sot nuk jam e qartë se si ka funksionuar.
Na rrëfe një rast.
Po shkoja në një koncert rreth pesë vite më parë dhe më erdhi një SMS nga një numër i verifikueshëm, më tha mos shko se do pëndohesh. Më pas kur e verifikuam, ishte numri i një këngëtareje e lidhur me pushtetin. Dhe ne gjetëm më pas të vendosur eksploziv tek vendi i koncertit. Nuk më ka pëlqyer të flas për këto gjëra që të mos bëj viktimën, por ka shumë si këto raste. Jam e bindur se gjithçka do dalë, madje kanë filluar të dalin. I keni dhe në youtube se kush ka qenë dashnore e kujt, kur jam akuzuar unë, po hapen dosjet, kështu që tani marr guxim të flas se gjërat po dalin. Por mund të them se gjithkush në rastin tim do ishte dorëzuar. Unë, falë Zotit, nuk e kam bërë. Kam edhe fatin e madh që Vali i merr me sportivitet të gjitha këto situata dhe kjo më ka ndihmuar shumë.

PanoramaPlus
YouTube Preview Image