Sinan Hoxha: Seç kam një energji të paparë…

February 1, 2012   | Lajmet / Vijesti

Takimi me Sinan Hoxhën është i vështirë deri në momentin që përballesh me të. Të duhet të bësh një telefonatë, e ke në Kosovë. Më pas një tjetër telefonatë, sërish në Kosovë. Në fund, kur vijon të këmbëngulësh, merr një përgjigje gjithë buzëqeshje: “Akoma s’u dorëzove?”.

Në momentin e takimit mund të ndihesh e qetë, pasi e qeshura e tij është ngjitëse. “Se mos m’i transformon fjalët që them e na dalin pastaj lloj-lloj iderash”, shprehet buzagaz, duke thumbuar kështu lajmet që bënë bujë për të në mediat e përditshme. E pastaj, si për t’iu përgjigjur vetë atij thumbi, vijon: “Megjithëse i falënderoj të gjithë ata që shkruajnë. Fundja në momentin që shkruajnë, thjesht tregojnë që jam i rëndësishëm e kjo më bën të ndihem mirë”.

Skena për të është gjithçka. Nuk ngurron të rrëfejë që nga ëndrrat e fëmijërisë e deri në atë që ndoshta edhe nuk del, “të ulet në Hënë”. Thotë se është zemërgjerë dhe është e vështirë të mërzitet. I pëlqen të jetën në qendër të vëmendjes, pavarësisht se kjo nënkupton që nuk është i lirë në gjithçka. Më poshtë një rrëfim i plotë i Sinan Hoxhës.

Sinan, duket se karriera juaj është në ditët e saj më të mira. Kujt ia dedikoni gjithë këtë sukses?

Padyshim familjes time, punës dhe përkushtimit tim dhe në mënyrë të veçantë publikut, i cili është shumë i rëndësishëm për mua.

Jeni shumë aktiv edhe në Kosovë. Si ndiheni me publikun atje?

Jam më shumë aktiv në diasporë, por edhe në Kosovë. Publiku i shqiptarëve në diasporë ka një kulturë të ndryshme nga publiku këtu, të të dëgjuarit muzikë “live” në diskoteka, ndërsa këtu është më shumë karaoke dhe “playback”. Kjo është çështje e menaxhimit.

Kishit një konflikt me policinë serbe, për shkak të xhaketës me shqiponjën dykrenare…

E kam të ndaluar të flas për këtë çështje nga avokati, sepse jam në gjyq.

Para pak kohësh nxorët në tregun muzikor një këngë të re me Seldin dhe Medën, e cila rezultoi shumë e suksesshme. Cilat janë planet tuaja më të afërta?

Përveç koncerteve në fillim të verës, do të realizoj një këngë të re dhe videoklip. Do të jetë një këngë solo pas shumë bashkëpunimeve që kam realizuar. Mendoj se është një këngë shumë e mirë, por do të jetë publiku që do ta vlerësojë. Klipi do të jetë ndryshe nga të gjitha klipet që kam realizuar. Seç kam një energji të paparë për të punuar (qesh).

Gjithë kohës në lëvizje. Ndiheni ndonjëherë i lodhur?

Është e lodhshme të udhëtosh me çanta nga një aeroport në tjetrin, nga një hotel në tjetrin, nga një shtet në tjetrin, nga një qytet në tjetrin… por gjithçka shpërblehet kur shoh që salla ku do të këndoj është plot, duartrokitjet e publikut dhe kështu kënaqësia e mund lodhjen.

Me cilët këngëtarë ju pëlqen të bashkëpunoni?

Kam kënduar me disa këngëtarë të njohur dhe të sukseshëm, por ëndrra ime është këndoj me legjendën mbarëshqiptare Sabri Fejzullahun, të cilin e kam si baba të dytë. Nuk i vjen më kombit një artist si ai, ka aftësi të jashtëzakonshme njerëzore edhe artistike. Është e vetmja dëshirë e imja.

Sa kohë qëndroni përpara pasqyrës?

Në jetën e përditshme aspak, para koncertit më shumë seç duhet. Sepse e vlerësoj publikun që kam përballë.

Shpenzoni shumë për veshjen?

Jo. Rrobat gjithmonë i blej në Tiranë pavarësisht se udhëtoj shumë. Rrobat që përdor në jetën e përditshme janë të thjeshta dhe të blera lirë, ndërsa në skenë rrobat që përdor janë të kushtueshme, kryesisht kostume klasike.

Vazhdimisht synoni të ndiheni mirë apo të dukeni mirë?

Dua të ndihem mirë, por është e rëndësishme që para publikut edhe të dukem mirë. Të ndihem mirë me veten dhe të tjerët të ndihen mirë me mua.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Nëna ime. Nuk e zëvendësoj me asnjë.

Çfarë vendi zë familja në jetën tënde?

Nëse familja ime nuk është mirë, as unë nuk jam mirë. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me familjen. Kërkoj ndjesë për modestinë, por do të dëshiroja që siç e kam unë marrëdhënien time me familjen ta kishte çdo shqiptar.

Keni deklaruar se në vitin 2012 do të martoheni…

Dua të ndodhë një gjë e tillë, e dëshiroj me gjithë zemër, por të shohim…

Do të krijoni një familje të madhe?

Do të jetë një familje e madhe numerike. I dua shumë fëmijët dhe dua të kem shumë fëmijë. Por këtë e ka dorë Zoti dhe gruaja ime e ardhshme (qesh)

Çfarë bën kur je shumë i mërzitur?

Ndodh shumë rrallë, aq rrallë sa nuk e di çfarë bëj.

Cilit personi i rrëfeni gjithçka?

Nëna ime.

Çfarë nuk fal Sinani?

Hipokrizinë, mosmirënjohjen, xhelozinë e tepruar, pabesinë, tradhtinë.

Çfarë të bën të ndihesh keq?

Kur shoh njerëz që nuk kanë lekë të hanë bukë, fëmijë të sëmurë, qeveritarët që nuk kujdesen për nevojat e qytetarëve. Edhe të pabesët më bëjnë të ndihem keq.

E gjeni kohën për veten?

Shumë pak kohë dhe kjo më ka bërë që edhe të anashkaloj martesën.

Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë përveç muzikës?

Më pëlqen hipizmi, është një ndër pasionet e mia.

Si është dita e Sinanit kur nuk ka asnjë koncert…

Hahahahaha… Mos ndill ters! Por ndodh shumë rrallë. Pa skenën do të vdisja. Asgjë nuk i zëvendëson emocionet e saj.

Cili është kujtimi më i bukur?

Dalja për herë të parë në skenë në Pallatin e Kongreseve, isha i vogël. Nuk do ta harroj kurrë atë moment.

Ju pëlqejnë kafshët?

Po, më pëlqejnë shumë.

Cila është kafsha për të cilën do të donit të kujdeseshit?

Kali. Kam pasur një kalë për të cilin kujdesesha, por që tani nuk e kam më dhe më mungon. Do doja të blija një kalë.

Kur ishit fëmijë, cila ishte loja e preferuar?

Me peta dhe kopaca, megjithëse edhe këto nuk i kam shijuar aq sa do të doja, sepse fëmijëria ime ishte e shkurtër. Kam filluar të punoj shumë herët, kur isha shumë i vogël. Jam rritur dhe pjekur para kohe dhe dikur nuk më ka pëlqyer kjo gjë, por tani e vlerësoj këtë fakt, sepse kam arritur të di vlerat e punës dhe përgjegjësitë e mia.

Nëse do të mund ta ndaloje kohën, kur do ta ndaloje?

Nuk e di. Sepse për një artist atëherë kur ai mendon se ka arritur majat, fillon rënia. Artisti kërkon gjithmonë më shumë. Kohën nuk do ta ndaloja, por do të doja të isha edhe një herë 20 vjeç.

Libri më i bukur që keni lexuar…

“Gjuetari i Balonave”

Do të donit të ishit politikan?

Jo, kurrë! Nuk më pëlqen, sepse thonë që politika është … unë nuk jam… dhe nuk më pëlqejnë njerëzit… (qesh me mungesat e fjalëve)

Ëndrra më e bukur që keni parë?

Pashë ëndërr sikur fluturoja dhe u ula në Hënë! Bën vaki edhe s’dalin (qesh)

Çfarë do t’u thoni atyre që ju kanë lënduar?

Asgjë. Në Kuran, thuhet: çfarëdo që të bësh në dynja, të kthehet mbrapsht. Zoti vonon, por nuk harron. Nuk do të lëndoj askënd edhe nëse më lëndon.

Si do ta përkufizoje veten me një fjalë?

Zemërgjerë.

Ku do të jeni më 14 shkurt?

Për Shën Valentin do të jem në Prishtinë në një diskotekë, ndërsa për pavarësinë e Kosovës do të jem në Zvicër.

Do të bëni dhuratë për Shën Valentin?

Jo, nuk do të bëj. Do doja shumë, por për momentin nuk kam kujt t’i bëj. Por kjo s’do të thotë që nuk pres dhurata (qesh).

U fol gjatë për një lidhje tuajën me Seldin. Si është e vërteta?

Nuk ka asgjë të vërtetë. E kam thënë, rithënë dhe do vazhdoj ta them. Shpifjet kanë arritur kulmin për mua. Me Seldin kemi lidhje gjaku, kjo është e vetmja e vërtetë.

Si janë marrëdhëniet tuaja?

Shumë të mira. Është njeri i mrekullueshëm dhe këngëtar i talentuar.

U përfol një zënkë mes jush…

Jo. Nuk është e vërtetë. Kemi pasur disa koncerte në vende të ndryshme, dhe jo bashkë. Kjo është normale, sepse në koncerte nuk ftohen gjithmonë dy këngëtarë. Është çështje menaxhimi.

Albina Hoxha
Gazeta Shekulli
YouTube Preview Image