Vendstrehim i Helenës së Anzhuinëve – Mbi të kaluarën e Ulqinit (4)

February 11, 2012   | Kulturë / Kultura

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku

Ulqini kishte edhe peshkopatën (apo ipeshkvinë) e vet, por të varur nga peshkopata e Tivarit.

Prej vitit 1250 e deri në fund të shekullit XIV, në lokalitetin e Kalasë së sotme janë ndërtuar disa kisha, siç janë ajo e Zonjës së Bekuar, e Shën Jovanit (Gjonit) të Ulqinit, Shën Dominikut, etj.

Brenda kësaj periudhe, në këtë qytet ka jetuar dhe e ka mbajtur fronin nipi i Nemanjës, Gjorgji (1252) si “princeps Diocliae”, kurse prej vitit 1282-1309 këtu jetoi si vejushë Helena e Anzhuinëve, ndërsa motra e saj Maria prej vitit 1281 këtu jeton dhe njihet me atributin “domina Ulcinii”. Të dyja, si duket, gjetën në këtë qytet qetësinë dhe vendstrehimin e këndshëm. Ato këtu ndërtuan edhe manastirin françeskan (v. 1288), që mbeti gjurmë e mirënjohjes, e kohës dhe e jetës së tyre në këtë qytet. Për këtë dhe kisha të tjera të ndërtuara në këtë qytet dëshmojnë gërmadhat e zbuluara me pjesë ose fragmente të mureve, portaleve e rozetave dhe elemente të tjera dekorative të cilat ndeshen edhe në shtëpitë a pallatet luksoze të personaliteteve në zë që atëbotë jetonin në këtë qytet si bujarë, princë, kapedanë e tregtarë të njohur.

Lidhur me këtë në “Lovcenski odjek” 2-3, autori L. Bullatoviq (Lj. Bulatovic), duke bërë fjalë për statutet e Ulqinit shkruan se në vitin 1280 përmendet si knjaz i Ulqinit venedikasi Marcus Pollanus (Marko Pollo). Në një dokument nga viti 1331, midis tjerash shënohet se shumë fshatarë nga rrethi i Ulqinit ngritën krye kundër feudalëve, të cilëvë ua dogjën edhe kështjellat.

Nga viti 1332, vlen të veçohet një fragment marrë nga Directorium ad Passagium faciendum të klerikut francez Guillellmus Adae-Brocardus, atëbotë kryepeshkop i Tivarit i cili, midis tjerash, shkruan:

Latini habent sex civitates cum suis episcopis: prima Antibarum, archiepiscopalem; deinde Chatarensem, Dulcedinensem, Suacinensem, Scutarenensem et Drivascensem, quas quidem soli Latini inhabitant; populus vero earum sunt Albanenses in tota ipsarum diocesi extra muros. Sunt eciam Albanensium quatuor civitatetes (…). Et licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in usu et in omnibus suis libris.

Pra, duke theksuar parapakisht praninë e dy popujve siç janë arbërit dhe latinët (sunt ibi due naciones, una videlicet Albanensium et alia Latinorum), që i përkasin kishës romake, shkruan se latinët kanë gjashtë qytete me peshkopët e tyre: së pari arqipeshkvi i Tivarit; pastaj ata të Kotorrit, Ulqinit, Shasit, Shkodrës dhe Drishtit, të banuar vetëm nga latinët; vërtet popullata e tyre është arbëreshe në të gjitha dioqezat e tyre jashtë mureve. Janë edhe katër qytete  shqiptare / Pulti i Sipërm dhe i Poshtëm, Sabati apo Dioqeza e Sapës dhe Albania apo Dioqeza e Durrësit/ (…). Dhe sado që arbërit kanë një gjuhë krejt të ndryshme prej latinishtes, megjithatë në librat e tyre përdorin shkronjat latine. Pra një dëshmi shumë e rëndësishme se shqiptarët atëbotë kishin edhe libra të botuar, të cilat mjerisht ende nuk janë gjetur deri më sot, me shpresë se diku dikur do të zbulohet ndonjë prej tyre.

Ka shënime se gjatë shekullit XIV Buna dhe Drini kanë qenë të lundrueshëm, ku pjesërisht i lejohej lundrimi ndonjë brigantine raguziane, kurse venedikasit bëjnë me dije se askush nuk mund të ngriste në brigjet e Bunës ndonjë objekt apo vendbanim i cili do të pengonte lundrimin nëpër këtë lumë.

Ndikimi i Venedikut në fund të këtij shekulli, përkatësisht pas Paqes së Torinos (1381), pasqyrohet edhe në emigrimin e shumë ulqinakëve, gjë që ilustrohet edhe nga disa shënime të bartura në faqet e internetit si vijon:
“(…) Pasi që luftrat dhe epidemitë sollën zvogëlimin dhe mungesën e fuqisë punëtore, pushteti i Venedikut vendosi të privilegjonte emigrimin e shqiptarëve katolikë duke u mundësuar në vitin 1388 kalimin e lehtë të detit Adriatik me anijet venedikase. Të interesuarit mbi moshën 10- vjeçare paguanin gjashtë dukatë për të kaluar detin, u sigurohej punë për katër vite (…). Numri më i madh i emigrantëve ulqinakë kanë punuar si zejtarë, berberë, hotelierë dhe bukëpjekës. Ata që e dinin gjuhën sllave kanë punuar edhe si përkthyes
(…).

Për ulqinakët thuhet se kanë vendbanuar në rrethinën e Kështjellit, në parohinë e Shën Marisë Farmeza, në mes të portit Skiavonia dhe fushës së Shën Filipit dhe Gjakomit, pranë emigrantëve grekë e sllavenë, të quajtur Lagja ballkanike e Venedikut.

Me invadimin e Turqisë, numri i ulqinakëve u rrit pasi iknin me shumicë për të shpëtuar nga zullumi (…). Në Venedik emigrantët themeluan shoqatën e vet, shkollat “Shën Saveri” dhe “Shën Gali” në vitin 1442 (…)”.

Se lundrimi zhvillohej pa pengesa me mjete të cakuara lundrimi, dëshmon e dhëna se në vitin 1407, Republika e Venedikut dërgon një brigantinë në Shkodër për të marrë një misionar të vetin. Sa i takon lundrimit të mëtutjeshëm në Bunë, edhe gjeografi turk Haxhi Kllafa (shek. XVII) pohon se anije të vogla nga deti lundrojnë nëpër Bunë duke bartur mallra, kurse ishte i njohur porti i Shën Gjergjit si treg i kripës në kohën kur në Liqenin e Shkodrës kishte edhe skele.

Koha Javore