Vizita e Këshillit të Myftinisë të Shkodres,Bashkësis Islame të Ulqinit

February 26, 2012   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Paraditën e së shtunës, më 25 shkurt 2012, Këshilli i Myftinisë Shkodër ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame të Ulqinit. Vizitorët nga Shkodra janë pritur nga Kryeimami i Ulqinit, Rifat ef. Jusufi me bashkëpunëtorët e tij, si dhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Nazif Cungu.

Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë të zhvilluar në mes të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, Kryeimamit të Ulqinit, Rifat ef. Jusufi dhe Kryetarit të Komunës Ulqin, z. Nazif Cungu, është folur mbi rëndësinë që kanë takimet që afrojnë shqiptarët me njëri-tjetrin, aq më tepër kur janë besimtarë të një feje, që qëndron në themelet e kulturës dhe qytetërimit shqiptar.

Është diskutuar për mënyrat e shtimit të bashkëpunimit të ndërsjellët, afrimin e Shkodrës me Ulqinin edhe nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta fetare në raste të festave të shënuara dhe datave përkujtimore. Myftiu Imam Muhamed Sytari ka ftuar Kryeimamin e Ulqinit, Rifat ef. Jusufi, që të studiohet mundësia e binjakëzimit të dy institucioneve fetare në kuadër të këtij bashkëpunimi.

Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i ka dhuruar Kryetarit të Komunës Ulqin dhe Kryeimamit të tij, përmbledhjen e vitit 2011 të gazetës “Udha Islame”. Me këtë rast, ai ka ftuar teologët dhe studiuesit e fesë islame në Ulqin që të botojnë në këtë gazetë, e cila ka hyrë në 10 vjetorin e saj.

Më pas, Myftiu dhe antarët e Këshillit të Myftinisë Shkodër, kanë vizituar edhe Xhaminë e Marinarëve, që është në fazën e fundit në prag të inaugurimit të saj. Gjatë një interviste për Tv Teuta, Myftiu i Shkodrës ka shprehur kënaqësinë e tij për këtë vizitë në Ulqin dhe ka vlerësuar personalitetin e dijetarit të shquar Hafiz Ali Riza Ulqinaku, për të cilin ka thënë se: “Vepra e tij, “Mevludi”, është bërë pjesë e pandarë e aktiviteteve fetare dhe festave të ndryshme që kremtojnë muslimanët shqiptarë në çdo cep të botës”.

Një bashkëbisedim i ngrohtë dhe vëllazëror është zhvilluar në mes të pjesëtarëve të dy këshillave në mëngjesin e shtruar nga Kryeimami i Ulqinit për nder të vizitorëve nga Shkodra.

Kjo vizitë e parë e Këshillit të Myftinisë Shkodër në Bashkësinë Islame të Ulqinit, ka përfunduar me faljen e namazit të mesditës në xhaminë qendrore të Ulqinit.

Burimi: Myftinia Shkodër


YouTube Preview Image