Alban Skënderaj: Me klip të ri, “Më prit atje”

March 10, 2012   | Lajmet / Vijesti

Alban Skënderaj është padyshim një nga këngëtarët më të mirë shqiptarë të viteve të fundit. Shumë këngë të tij janë bërë hite, por Albani nuk ndalet së sjelli sërish klipe dhe krijime të reja. Vetëm pas baladës “Mirësevjen në shpirtin tim”, ai do të sjellë një tjetër klip të këngës “Më prit atje”. Kjo do të jetë një këngë ndryshe sa i përket muzikës por edhe stilit. Klipi pothuajse ka mbaruar dhe shumë shpejt do të transmetohet në televizionet muzikore. “Më prit atje” është një këngë paksa ndryshe. Një miks midis një folku ndërkombëtar dhe muzikës moderne pop/rock. Është  më eksperimentale për mua, po nga ana tjetër është dhe shumë e thjeshtë dhe e dëgjueshme për veshin, madje besoj që mund të dëgjohet me rehati nga çdo moshë”, – thotë Albani për “Mapo”. Madje sipas tij, ndonjëherë në jetë njeriu duhet t’i thyejë rregullat dhe mos të ngelet përherë brenda kornizave, por të bëjë atë që shpirti i thotë. Veç projekteve të tij, Alban Skënderaj flet edhe për eksperiencën si pjesë e jurisë në “X-Factor”, për të cilën thotë se është një eksperiencë “që më rrit mua si artist por edhe si njeri. Është punë shumë e lodhshme, por ia vlen”. Jonida Hitoveizi Alban, kemi mësuar se pas “Mirësevjen në shpirtin tim” po përgatisni një klip të ri. Mund të na thoni diçka më shumë për këngën e re që pritet të dalë së shpejti? Është një këngë që është pjesë e albumit tim të fundit. Titullohet “Më prit atje” dhe është një këngë paksa ndryshe. Një miks midis një folku ndërkombëtar dhe muzikës moderne pop/rock. Është më eksperimentale për mua, po nga ana tjetër është dhe shumë e thjeshtë dhe e dëgjueshme për veshin, madje besoj që mund të dëgjohet me rehati nga çdo moshë. Teksti flet për jetën dhe ato momente kur mendojmë që ajo na ka vënë poshtë me marrëzitë dhe vështirësitë e saj. Duhet ta lëshojmë njëherë veten të mos ndjekim rregullat brenda kornizave, por të bëjmë njëherë atë që shpirti na thotë të bëjmë. A do të jetë po i njëjti Albani? Është i njëjti stil, apo keni provuar diçka më ndryshe, më me ritëm ndoshta? Kjo është një këngë me një ritëm të brendshëm e jo klasik, por në përgjithësi është një këngë shumë e lumtur e pozitive. Shpresoj të pëlqehet. Videoklipi do jetë shumë interesant, sepse sheh për protagonistë personazhe të tjerë, ndërsa unë jam totalisht dytësor dhe në shërbim të historisë së tyre. Alban duket se më shumë preferoni baladat. Përse? Ndoshta ato më vijnë më natyrshëm dhe kjo është një gjë që nuk e kam vendosur unë. Mua më pëlqejnë dhe shumë e shumë rryma dhe ritme të tjera. Besoj e kam treguar vazhdimisht këtë, por ndoshta baladat janë ato që godasin më shumë nga unë dhe jo vetëm. Ky është një fenomen që ndodh në të gjithë botën. “Mirësevjen në shpirtin tim” është një këngë gjithëpërfshirëse dhe sociale njëkohësisht. Diku ju thoni ‘Ti që ke një borxh për të larë”. Ju vetë, duke pasur parasysh edhe jetën jashtë shtetit, a jeni gjendur në situata të tilla? Nuk mund të them që më ka ndodhur në ekstreme, por çdo gjë që përmendet në këngë më ka ndodhur të paktën një herë në njëfarë mënyre dhe mua. Kuptohet që ai tekst nuk më përket vetëm mua, por të gjithë atyre që e dëgjojnë dhe gjejnë veten në atë këngë. Karriera juaj duket më tepër e fokusuar në Shqipëri. Ç’mund të na thoni për atë në Gjermani? Unë momentalisht jam i fokusuar në Shqipëri. Me këto angazhime konkrete që kam këtu nuk ia dal të përballoj edhe projekte të tjera që më vijnë nga jashtë shtetit. Kjo situatë do të zgjasë të paktën një vit, mendoj. Njëkohësisht me planet tuaja muzikore jeni edhe pjesë e jurisë së “X-Factor”. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju deri tani? Ka qenë një eksperiencë shumë pozitive. Diçka që më rrit dhe mua si artist por edhe si njeri. Është punë shumë e lodhshme, por ia vlen. Çfarë keni vënë re tek të rinjtë shqiptarë? Kam vënë re që janë shumë të talentuar, por gjithmonë edhe pak të kompleksuar të shpalosin talentin e tyre. Në këtë shou kemi parë edhe shumë personazhe që na kanë bërë për të qeshur. Sa e vështirë është t’i thuash dikujt të vërtetën…që s’ke pikë talenti p.sh? Besoj që është një nga gjërat më të sikletshme të këtij projekti. Unë jam munduar gjithmonë të jem i drejtë dhe i kujdesshëm, por edhe i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë kur është dashur. Ju si Alban çfarë doni t’u tregoni shqiptarëve në “X-Factor”? Thjesht të ndaj punën, eksperiencën dhe vizionin tim për muzikën. Të jap një kontribut sado të vogël për të rritur cilësinë e artistëve të ardhshëm dhe vetë tregut muzikor shqiptar. Pas “X-Factor” do të jeni në Shqipëri apo do të largoheni? Akoma nuk e kam vendosur, por besoj që po. Do të largohem. Do të ketë klipe të tjera nga Albani këtë verë? Po, do të ketë edhe tri klipe të tjera deri në fund të vitit besoj. Me Miriamin diçka së bashku? Jo diçka konkrete, por janë shumë projekte të përbashkëta në diskutim, kështu që diçka do të dalë patjetër.

MAPO

YouTube Preview Image