Shqiptarët ruajtën gjuhën dhe zakonet autentike – Mbi të kaluarën e Ulqinit (8)

March 10, 2012   | Kulturë / Kultura

Nga Dr. Ruzhdi Ushaku
Sipas një burimi tjetër që na ka rënë në dorë, thuhet se në vitin 1469 qeveria e Venedikut i fali nipit të Skënderbeut një shtëpi në Ulqin. Meqë përmendet viti i saktë, nuk ka arsye të mos i besojmë këtij shënimi, edhe pse nuk dihet më shumë për këtë shtëpi dhe nipin e Skënderbeut. Për historinë e Ulqinit gjatë kësaj periudhe është me rëndësi të madhe edhe një dorëshkrim me titull Dulcigno secondo l’antica descrizione (Ulqini sipas një përshkrimi antik), shkruar nga një autor i panjohur, para se Ulqini të binte nën sundimin e turqve. Ky dorëshkrim ruhet në bibliotekën e Fretërve Françeskanë në Raguzë, nën nr. 410 (289) dhe, si duket, nuk është origjinali por kopje e mëvonshme nga ndonjë arkiv, për çka shkruan edhe P. Marin Sirdani në maj të vitit 1936 në revistën “Hylli i Dritës”. Autori i këtij dorëshkrimi për emrin e Ulqinit shënon edhe trajtat Cleninium, Collelilium dhe Colesis, të cilat nuk ndeshen në dokumente të tjera  të shkruara, kurse gjatë mesjetës, siç dihet, emrin e Ulqinit e ndeshim në variante të ndryshme si Licinium (v. 746), Ulcinium (1022), Dulcinium (1288), Dulcignum (1302), ndërsa në gravura të shekullit XVI-XVII së pari si DVLCIGNO e pastaj si DOLCIGNO, siç do të shihet edhe më poshtë në kuadër të paraqitjes vizuale të Ulqinit të asaj kohe. Për gjurmën e emrit Colesis pohon
P. Marin Sirdani, O.F.M. i cili, gjatë vizitës që ia bën këtij qyteti në vitin 1904, shkruan: “Kah mjesi i ledheve të kështjellit, në mur nalt, ishte shkrue me germa të mëdha tullash s’ardhuna, emni i kështjellit Colesis”’.

“Ka të ngjarë që emri i sotëm Kala, që përdoret rregullisht në shqipe për qytetin e vjetër, të jetë një modifikim a adaptim i mëvonshëm i emrit Colesis në atë Kala. Ky mendim yni mund të gjejë mbështetje në fragmente tjegullash të shkapërderdhura në mesin e të cilave dallohen germat C, I, S.”

Ka të ngjarë që emri i sotëm Kala, që përdoret rregullisht në shqipe për qytetin e vjetër, të jetë një modifikim a adaptim i mëvonshëm i këtij emir Colesis në atë Kala. Ky mendim yni mund të gjejë mbështetje në fragmente tjegullash të shkapërderdhura në mesin e të cilave dallohen germat C, I, S. Qyteti i Ulqinit (Dulcigno Citta), siç thuhet në këtë dorëshkrim, ishte i ndërtuar mbi një Kep, rrethuar me mure ashtu siç e kërkon pozita, mbi një shkëmb të gjallë i cili me honet e tjera krijon siguri për vetë kështjellën e qytetin. Në pjesën më të ulët të qytetit gjendet Pyrgu i Shën Mërisë, vend shumë i fortë (Torre della Madona luogo fortissimo) dhe Shën Deda (San Domenico), duke përfunduar mbi det në një vend të paafrueshëm. Ulqini ka rëndësi shumë të madhe e të çmueshme për zotërimin e Shqipërisë e cila është ende e banuar prej atyre popujve të vjetër e ende të panënshtruar mirë, që nuk u binden turqve deri në ditën e sotit (E’ancora Dulcigno di grandissima stima per rispetto di il Dominio di Albania la quale e habitata pur da quelli antichi popoli ancora non ben sottomessi, ne obedienti a Turchi sino il giorno presente). Qyteti i Ulqinit i ka 30 zjarre me mbi 1600 frymë, dhe në mesin e tyre 300 burra të zot për armë.

Banorët e tij janë të ndarë në bujarë, qytetarë e punëtorë (Nobili, Cittadini, lavoratori), dy shtresat e para, duke qenë së bashku ushtrojnë njësoj ato pakëz  zyre që i kanë, përveç pleqërisë (giudicatura) e cila është e rezervuar për bujarët; shtresa e tretë jeton duke punuar tokat; me mbjelljen e arave dhe me kultivimin e vreshtave e ullishtave. Veç këtyre përmenden edhe disa familje, të ardhura këtu nga Shkodra, Lezha e Durrësi e vende të tjera, si ato Bruni, Palmaleta e Bruti që merren kryesisht me tregti. Duke bërë fjalë për këtë qytet, autori i dorëshkrimit thekson se për shkak të mungesës së mullinjve në këtë regjion, qyteti heq keq për bukë, kurse për banorët e zakonet e tyre shkruan si vijon: Kanë këta shqiptarët  zakone barbare, flasin gjuhën shqipe që ndryshon krejtësisht nga ajo e Dalmacisë, por janë për t’u çmuar për besnikërinë e madhe ndaj princit të vet. Në mesin e tyre nuk ekzistojnë persekutime (përndjekje) ekstreme e urrejtje të brendshme, por megjithatë zemërohen shumë shpejt e janë të zëshëm kur flasin nëpër sheshe (…).  Në vazhdim autori i dorëshkrimit thekson se banorët e Ulqinit nuk I duan të huajt e i shikojnë me sy të keq, duke e lidhur këtë me legjendën mbi Jasonin e Medean, përkatësisht me themeluesit kolkidas të cilët, duke i ndjekur këta të fundit për t’iu hakmarrë për padrejtësi, u ndalën këtu dhe themeluan këtë qytet. Duke mbetur plot zemërim e mëri, urrenin jo vetëm Jasonin dhe argonautët, por të gjithë të huajt, (…) por është për t’u besuar, vazhdon autori, se kjo vjen nga natyra barbare e rrënjosur në shpirtin e tyre, si të prirur që mos të duhen shumë edhe mes vete (…). Sido që të jetë, pa marrë parasysh se a kishin shqiptarët e Ulqinit zakone barbare apo jo, ky mendim i autorit të dorëshkrimit pasqyron se edhe gjatë dominimit shekullor të Venedikut shqiptarët e kishin ruajtur gjuhën e tyre shqipe dhe zakonet autentike, që nuk pajtoheshin as me ato të Venedikut as me ato të të huajve të tjerë. Prej kishave që i kishte Ulqini, në këtë dorëshkrim përmenden ajo e Shën Markut, e Shën Dedës dhe katedralja. Në këtë të fundit (Chiesa Episcopale) gjendet, siç thuhet, figura e Ngjitjes së Zojës së Bekuar në qiell, për të cilën pohohet se është njëra nga ato që i pikturoi Shën Luka me dorë të vet, shumë e bukur, e gjallë e me zbukurime të pasura sa që mund të matet me më të bukurat, më të përshpirtshmet dhe më të pasurat figura që mund t’i ketë cilido qytet i njohur dhe i famshëm (E in Dulcigno nella Chiesa Episcopale una devotissima imagine della Beatissima Vergine, che figura l’ascensione sua in Cielo, la quale si dice esser una di quelle, che fece San Luca Evangelista di sua mano, la quale e bellissima et appresso e ornata di si riche gioe et che puo ugnaliarsi alle piu devote, alle piu belle et alle piu richi imagini che siano in qualsivoglia citta Nobile e famosa). Duke iu referuar vitit 1553, këtë figure e cek edhe Thalloçi (Thalloczy), si imago celebris, quae a s. Luca picta esse dicebatur (“figurë e famshme për të cilën thuhej se e kishte pikturuar Shën Luka” R.U.). Gravurat e shek. XVII me mbishkrimin DVLCIGNO (G. Rosaccio), dhe ajo DOLCIGNO (Coronelli), si duket e kanë ruajtur mjaft karakterin urbanistik të qytetit nga koha kur ky ishte nën Venedikun, dhe përkojnë me disa përshkrime që ndeshen në këtë dokument.

Koha Javore
YouTube Preview Image