Forca: Margjinalizimi i informimit shqip në Mal të Zi

March 14, 2012   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Kumtesë për opinion

Ulqin,14.03.2012

Nr.40/12

 

MARGJINALIZIMI I INFORMIMIT SHQIP NË MAL TË ZI

Së informimi në shqip në Mal të Zi, është në pozitë të pavolitshme dëshmon qasja subjektive nga strukturat udhëheqëse në televizionin publik  muajve të fundit. Kështu pas ndryshimeve kadrovike në strukturën udhëheqëse në RTMZ, pasojat  e para i përjetuan shqiptarët. Fillimisht u bë zvoglimi i numrit te të punësuarve në redaksinë shqipe ndërsa në sajë të shemës së re programore kemi zhvendosje të emisioneve në gjuhën shqipe në termine të reja kohore.

Kështu emisioni ditor i lajmeve  në televizion është zhvendosur në ora 15 ndërsa  emisioni javor “Mozaiku”  është   në ora 14.  Një veprim i tillë  dëshmon  se kemi të bëjmë me  margjinalizimin e emisioneve në shqip sepse terminet e reja  kohore  kanë shikueshmëri më të vogël të audiencës.Me një veprim të tillë ne nuk jemi befasuar sepse më parë emisioni javor “Mozaiku”  është zvogluar dy herë ku nga 60 minuta sa ishte fillimisht  e zvogluan në 45 e së fundi 30 minuta, pa konsultime të stafit të redaksisë në shqip por me imponime nga lart.

Veprimet e tilla  nuk janë në favor të profesionalizimit dhe demokratizimit të mediave  në gjuhën shqipe, por e kundërta janë  me qasje subjektive nga stafi drejtues i servisit publik.Ne vend që të shtohet minutazhi në gjuhën shqipe ndodhi e kundërta nga del se kjo medie nuk është në shërbim të qytetarëve por të strukturave të pushtetit, që është në kundërshtim flagrant me barazinë në fushën e informimit në një mjedis multinacional dhe multikulturor sikurse është Mali i Zi.

Nga ana tjetër gjendja nuk është më e mirë as me gazetën “Koha Javore”, sepse përveç problemeve financiare dhe kadrovike ende nuk dihet fati saj me rastin e privatizimit të ndërmarrjes “Pobjeda”.Si e vetmja medie e shkruar në shqip në Mal të Zi, e cila në muajin e kaluar bëri 10-vjet nga dalja e saj, ajo duhet të jetë nën kompetencat e Kuvendit të Malit të Zi, sepse ai është themeluesi i saj.Kjo gazetë si e vetmja medie e shkruar në shqip në Mal të Zi, meriton ta ketë të zgjidhur statusin e saj juridik e financiar si dhe të  forcohet me kuadra profesionale si kudo në botën e civilizuar.Ndërsa sa i përket selisë së saj mendojmë se duhet të kaloj në Ulqin, si qendra e shqiptarëve në Mal të Zi, ku do të kishte kushte optimale për punë.

Për të gjitha këto çështje është pritur reagimi nga Ministria e popujve pakicë, si pjesë e Qeverisë së Malit të Zi, por ata kanë hështur si më parë edhe tash çka del se me tepër janë marrë me çështjet e tyre personale se sa më mbrojtjen e të drejtave qytetare e nacionale të popujve pakicë në Mal të Zi, ku fusha e informimit luan një rol të rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike.

Në lidhje me çështjet përkatëse FORCA si parti parlamentare do të angazhohet vazhdimisht për të ndryshuar situata ekzistuese, e cila për ne është e pa pranueshme dhe si e tillë është kundër barazisë qytetare dhe nacionale në Mal të Zi.

Shërbimi për informim

4