Ali Salaj, kryetar i ri i “Art Club”-it të Ulqinit

March 17, 2012   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini zgjodhi në Kuvendin e saj zgjedhor, të mbajtur të premten, kryetar të ri gazetarin dhe kritikun e filmit Ali Salaj. Ai është kryeredaktor i gazetës “Koha javore” dhe korrespondent i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe për Malin e Zi.

Pjesëmarrësit e Kuvendit vlerësuan kontributin dhe rezultatet e arritura nga kryetari i deritashëm, mr. Haxhi Shabani, sidomos në fushën e botimeve.

Kryetari i ri i “Art Club”-it premtoi se përkundër vështirësive financiare si rezultat i krizës ekonomike globale, do të bëhen përpjekje që përpos veprimtarive tradicionale të zgjerohet aktiviteti i kësaj shoqate edhe në fusha të tjera të kulturës.

“Art Club” është themeluar në vitin 1990 nga një grup i krijuesve dhe intelektualëve të dalluar të Ulqinit, me qëllim të promovimit të kulturës, artit, letërsisë dhe shkencës shqiptare në Mal të Zi. Kjo shoqatë është bashkëthemeluese e Panairit të Librit në Ulqin dhe organizatore e manifestimeve tradicionale “Kalimera Poetike” dhe “Kultura e shqiptarëve në Malin e Zi”, që vlerësohen ndër veprimtaritë më të mëdha kulturore për shqiptarët në Malin e Zi. Një vend të veçantë në punën e “Art Club”-it zë veprimtaria botuese, në kuadër të së cilës kjo shoqatë ka botuar rreth 80 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi, si dhe një numër revistash.

Ismet Kallaba

Lajme nga Ulqini

2