Genci Nimanbegu: Nuk do jemi në shërbim të pozitës dhe as opozitës

March 19, 2012   | Politika

Deputetët e partive shqiptare në Parlamentin malazez po hyjnë në negociata për ndryshimet kushtetuese me shumë çështje të pazgjedhura për shqiptarët në Mal të Zi, dhe  nuk do ti përkrahin ato ndryshime pa zgjedhjen e problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët. “Nuk do të kenë përkrahjen tonë si në referendumin e 2006, duke e lënë anash zgjedhjen e problemeve të shqiptarëve”, ka deklaruar deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu për gazetën Dan.

“Nuk do të jemi në shërbim të pozitës dhe as të opozitës në shantazhet e tyre, sepse i kemi parë parimet e tyre.

Papunësia e lartë, rajonet e pazhvilluara ku jetojnë shqiptarët, infrastruktura e prapambetur, problemi i diskriminimit të Komunës së Ulqinit përmes ligjit për të Mirat Detare, refuzimi i Malësisë të jetë Komunë e plotë, ligji diskriminues që ndalon përdorimin e simboleve kombëtare, emigrimi i të rinjve shqiptarë, janë vetëm disa forma të pabarazisë së shqiptarëve në Mal të Zi”, tha Nimabegu.

Ai shton, se mbas votimit për pavarësi në vitin 2006, u prit që problemet e shumta të shqiptarëve të nisin të zgjedhën, por ndodhi e kundërta.

“Çdo vonesë e mëtejshme në zgjedhjen e këtyre çështjeve është e dëmshme dhe jodemokratike”, thekson Nimanbegu. /Malesia.Org/

3