Gara e “Dancing”, çfarë kanë sakrifikuar VIP-at për të fituar kupën

March 21, 2012   | Lajmet / Vijesti

Për disa prej tyre është ofertë që i ka bërë të vendosen para një dileme, ndërsa për disa të tjerë ka qenë një luks i vërtetë, që të mund të shfaqen në një sfidë kërcimi, mes personazhesh të njohura. Disa më shumë të njohur, e disa më pak në spektaklin “Dancing with the stars”, që do të nisë transmetimin në ekranin e “Vizion Plus”. Në këtë rast do të ketë nga ata që do kenë mundësi të shkëlqejnë më shumë se kurrë në jetë, apo të tjerë që të eklipsojnë famën e tyre.

Gjithçka varet nga përvetësimi i numrave të kërcimit nga java në javë dhe fati për të marrë sa më shumë pikë nga juria e përbërë nga Ilir Shaqiri, Iva Tiço dhe Alfred Kaçinari. Personazhet e njohura vihen të provojnë këtë reality show, ku kanë marrë parasysh që të shkëputen pothuaj nga jeta e tyre dhe angazhimet e përditshme. Por çfarë kanë sakrifikuar personazhet VIP të edicionit të ri, për të pranuar ofertën e producentes Olta Dulaku, ofertë që në fund të fundit do të ketë vetëm një fitues.

Elvana, Seldi, Afërdita, Adelina shtyjnë koncertet për fundjavë
Janë katër këngëtarë, që kanë një axhendë të mirë koncertesh, sidomos në diasporë. Ndaj, kanë qenë vërtet në dilemë nëse ia vlente të linin koncertet për garën e kërcimit. Elvana dhe Seldi janë dy këngëtarët që kanë axhenda vërtet të ngjeshura me koncerte, dhe pas tyre vijnë Afërdita dhe Adelina, të cilat tashmë kanë hyrë në tregun e muzikës edhe në Shqipëri. Në varësi të lojës do të shënohen dhe minuset e parave nga koncertet që s’do mund të shkojnë. Elvana, së bashku me Flori Mumajesin dhe Andy Gram, ndërsa Seldi pas ndarjes nga Sinan Hoxha duket se ka më shumë fat me koncertet, duke marrë gjithmonë e më shumë oferta. Ndërkohë që vajzat Afërdita dhe Adelina, pasi kanë investuar në Shqipëri për karrierën e tyre, duket se nuk kanë rrezikuar ndonjë gjë të madhe për të marrë pjesë në këtë garë.

Ornela Bregu, Anjeza, Zhaku,  Niada, Xhani Shqerra, shansi për t’u rishfaqur në ekran
Të katër vajzat duket se nuk kanë pasur asnjë dilemë për të pranuar këtë ofertë nga DWS, pasi për to mund të konsiderohet një rast i mirë për t’u shfaqur në ekran. Po ashtu dhe për modelin e këngëtarin e ardhur nga Italia, Xhani Shqerra. Ornela Bregu, e cila prej kohësh nuk është parë të shfaqet në ekran, duket se në këto momente do të shfaqet në dy ekrane paralelisht. Ndërkohë që luan te seriali “Një dado për babin” si e ftuar VIP në kanalin “T”, ajo do të garojë në kërcim me personazhet e tjera. Po ashtu për Anjeza Majën, pas largimit nga TV Klan, ky mund të konsiderohet një rikthim në ekran. Gjithashtu për Zhakun, e cila pas disa programeve të saj në televizion dhe klipeve të saj personalë, tashmë që merret me realizimin e klipeve në “Max Production” nuk po rrezikon asgjë, aq më tepër që ky është një spektakël plot ekzibicionizëm, që ajo di ta bëjë mirë. Dhe aktorja Niada Saliasi dhe këngëtari Xhani Shqerra kanë qenë e gatshëm për të pranuar një ofertë të tillë, që mund t’i bëjë më të famshëm, ajo një aktore e re në Shqipëri, ndërsa ai një model dhe këngëtar që vjen nga Italia.

Vedat Ademi dhe Dren Abazi braktisin koncertet “live”
Dy këngëtarët nga Kosova, tashmë të vendosur në Shqipëri, për hir të këtij show kanë hequr dorë nga koncertet “live”. Veçanërisht Vedat Ademi, i cili vitet e fundit është ndër më të kërkuarit në jetën e natës në Tiranë, ka vendosur ta konsiderojnë si një moment ndryshe në karrierën e tij, duke hequr dorë nga e kënduara “live”, veçanërisht të enjten, që është nata e spektaklit në “Vizion Plus”. Ndërsa Dren Abazi, i cili është shfaqur që pas pjesëmarrjes së tij në “Top Fest” në bashkëpunim me Anjeza Shahinin, e ka menduar këtë spektakël si një rast të mirë për më shumë publicitet për emrin e tij në Shqipëri.

Tan Imami dhe Bujar Kapexhiu, projektet jashtë garës
Dy aktorët marrin pjesë në këtë garë, duke lënë për pak projektet në jetën e tyre. Tan Imami, i cili ka qenë së fundi prezent në teatër, paralelisht po punon për një premierë në teatër, që pritet të shfaqet këto ditë. Ndërsa Bujar Kapexhiu mund të konsiderohet si personazh i njohur në garë, që ka ambicien më të madhe për t’i sfiduar të gjitha, siç bëri aktori Enver Petrovci ecicionin e kaluar. Ende nuk dihet se sa është vlera e trofeut të “Dancing with thë stars” këtë vit. Ami dhe Ermali janë prezantuesit e formatit, ndërsa çifti i balerinëve Enada dhe Gert Vaso janë koreoagrafët e produksionit. Pavarësisht pjesëmarrjes së disa meshkujve VIP, thuhet se gara këtë vit është mes femrave seksi, edhe për faktin se dy edicionet e kaluara janë fituar nga dy meshkuj, modeli Oni Pustina dhe aktori kosovar, Enver Petrovci.

BESARTA KADIU  PanoramaPlus
YouTube Preview Image