Zëvendëskryeministri Kuçi,vizitojë Komunën e Ulqinit – Foto

March 21, 2012   | Lajmet / Vijesti, Politika

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Mal të zi, ka vizituar Komunën e Ulqinit, me ç’rast ka takuar kryetarin e Komunës, Nazif Cungu, deputetët e partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, Vasil Sinishtaj, Genci Nimanbegu dhe Mehmet Zenka, ndërsa një takim të posaçëm e ka zhvilluar edhe me Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi, ku është takuar me kryetarin e Këshillit, Tahir Tahiri.

Zëvendëskryeministri Kuçi gjatë këtyre takimeve është njoftuar për së afërmi me zhvillimet politike në Mal të zi, përfaqësimin e shqiptarëve në këtë shtet si dhe nevojat e popullatës së atjeshme, për çka ka siguruar kryetarin Cungu dhe deputetët shqiptarë se do të kenë përkrahjen absolute të Prishtinës zyrtare drejt fuqizimit të rolit shtet formues të tyre dhe pjesëmarrjes demokratike të tyre në institucionet e Malit të Zi. Ai siguroi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i ndihmojë shqiptarët atje nëpërmjet disa mënyrave, siç është çështja e studimeve duke ruajtur kështu traditën e regjistrimit të studentëve shqiptarë të këtij vendi në Universitetet publike të Kosovës dhe lehtësimin e procedurave dhe vendosjes se tyre nëpër qendrat e banimit (konvikte).

Ndërsa kryetari Cungu dhe deputetët shqiptarë siguruan Zëvendëskryeministrin  Kuçi se shqiptarët do të ruajnë rolin e tyre konsolidues në drejtim të fuqizimit të identitetit dhe pjesëmarrjes aktive dhe qytetare në institucionet e këtij vendi dhe u pajtuan që kryetari Cungu t’i bëjë një vizitë shumë shpejt Kosovës ku do të ketë prioritetet turistike dhe ofertën investuesit potencial nga Kosova.

Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, mori pjesë në konferencën “Bashkë kundër diskriminimit”, e cila u mbajt në Budva,  nën patronatin e kryeministrit të Malit të Zi, Igor Llukshiç, ku në margjina të kësaj konference takoi edhe z. Rene Weingartner, Drejtorin e Drejtoratit për të Drejtat e Njeriut dhe Anti-diskriminim të Këshillit të Evropës, me të cilin biseduan rreth mbrojtjes dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe betejën e vazhdueshme për të mos pasur diskriminim në Kosovë, si një parakusht thelbësor për të rritur, fuqizuar aspiratën drejt rrugëtimit në këtë organizatë evropiane.

Foto nga Takim me zv/kryeministrin e Kosoves z. H. Kuqi ne zyren e KNSH – Tahir Tahiri Facebook

YouTube Preview Image