Bashkimi Evropian: Qeveria e Malit të Zi ta mbrojë Kriporen e Ulqinit

March 22, 2012   | Anketë / Anketa

Podgoricë – Këshilli për çështje kushtetuese dhe legjislacion i Parlamentit të Malit të Zi ka vlerësuar si kushtetues Propozimin e Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Planit Hapësinor të Malit të Zi deri në vitin 2020, me të cilin kërkohet ndryshimi i këtij plani në pjesën ku bëhet fjalë për zonën e Kripores së Ulqinit. Propozimi i Vendimit është përgatitur nga Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS), ndërsa atë e kanë firmosur deputetët Genci Nimanbegu, Mehmet Bardhi, Branko Radulloviq, Kemal Purishiq, Neven Goshoviq dhe Radojica Zhivkoviq. Kundër këtij vendimi kanë votuar vetëm anëtarët e Këshillit për çështje kushtetuese dhe legjislacion nga radha e PDS-së. Deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka thënë se qëllimi i destinimit të zonës së Kripores së Ulqinit është ndryshuar në mënyrë të çuditshme, pa shqyrtim publik, duke lejuar mundësinë e shndërrimit të saj në zonë turistike. “Ky është një përcaktim i çuditshëm që duhet të ndryshohet”, ka theksuar ai. Para disa ditësh edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Qeveria e Malit të Zi që të mbrojë Kriporen e Ulqinit. Komisari i Komisionit Evropian për mjedisin jetësor, Janez Potoçnik, i ka bërë thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të shqyrtojë nëse vendimet mbi ndryshimin e destinimit të Kripores së Ulqinit në zonë për zhvillimin e turizmit janë në përputhje me legjislacionin nacional dhe me obligimet që Mali i Zi ka ndaj BE-së. Nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpezëve kanë deklaruar se Potoçnik, duke reaguar në kërkesën e tyre, i ka rekomanduar Qeverisë së Malit të Zi që t’i kushtojë vëmendje kësaj çështjeje duke pasur parasysh se zona e Kripores gëzon tashmë status ndërkombëtar. Në letrën dërguar Qendrës, Potoçnik thekson ndër të tjera se Komisioni Evropian do të hulumtojë rastin e Kripores dhe do të bisedojë për këtë çështje me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi muajin e ardhshëm në Bruksel.

 (Kohapress)

YouTube Preview Image