Kryeministri Igor Llukshiq thotë se shqiptarët kanë mundësinë e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe alfabetit të tyre

March 22, 2012   | Anketë / Anketa

Podgoricë – Kryeministri i Malit të Zi, dr. Igor Llukshiq, ka thënë se në Mal të Zi ekzistojnë tregues të qartë dhe të dukshëm të realizimit të së drejtës së pjesëtarëve të bashkësisë nacionale shqiptare për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe alfabetit të tyre. Sipas tij, këto të drejta do të fuqizohen më tej me miratimin e Ligjit mbi gjuhën zyrtare dhe gjuhët në përdorim zyrtar. “Në procedurën administrative e cila zhvillohet në gjuhën zyrtare, pjesëtarëve të pakicës shqiptare iu lejohet përcjellja e procesit të procedurës nëpërmjet përkthyesit dhe ata munden, në qoftë se dëshirojnë, të fitojnë kopjen e aktvendimit, gjegjësisht përfundimeve në gjuhën shqipe në komunat në të cilat përbëjnë shumicën apo pjesë të konsiderueshme të popullsisë”, ka thënë kryeministri. Ai i ka bërë këto vlerësime gjatë orës së kryeministrit në Parlamentin e Malit të Zi duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të Klubit të Deputetëve Shqiptarë, Mehmet Bardhi. Deputeti Bardhi e ka pyetur kryeministrin Llukshiq se a ka planifikuar Qeveria e Malit të Zi, gjegjësisht ai si kryeministër, t’u sigurojë pjesëtarëve të popujve pakicë, konkretisht shqiptarëve, realizimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Malit të Zi, që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës dhe alfabetit të tyre në përdorim publik dhe zyrtar si dhe përfaqësimin proporcional në shërbimet publike dhe organet e pushtetit shtetëror dhe qe verisjes lokale. Në pyetjen e tij, Bardhi konstaton se këto të drejta deri tani kanë mbetur vetëm në letër, megjithëse janë pjesë e të drejtave themelore natyrore, të njeriut, historike, nacionale dhe të drejtave të arritura. Duke u përgjigjur në vërejtjen e Bardhit se ka pak përfaqësues shqiptarë në radhët e gjykatësve, Llukshiq për këtë iu ka vënë fajin edhe vetë shqiptarëve sepse, sipas tij, një numër i vogël i tyre konkurrojnë për gjykatës. “Me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit, dikush duhet të konkurrojë për gjykatës”, ka theksuar Llukshiq dhe ka shtuar se i inkurajon pjesëtarët e pakicës shqiptare që të konkurrojnë për gjykatës.

(Kohapress)