Hana Cakuli: Nga muzika në prezantim

March 25, 2012   | Lajmet / Vijesti

Këngëtarja e njohur, Hana Cakuli, ndan dashurinë me këngën, por edhe me profesionin tjetër, atë të prezantueses përmes emisionit ‘’Kubi ku zin’’. Të jesh këngëtare dhe prezantuese për të është emocion më shumë, pasi janë profesione që të mbajnë të lidhur me publikun. Por mos kujtoni se Hana dëshiron të bëjë vetëm kaq. Në këtë intervistë ajo zbulon edhe shumë gjëra të tjera…
Për çfarë studion Hana?
Jam duke përfunduar studimet për Menaxhim dhe Politika publike në Universitetin Amerikan në Kosovë.
Tashmë po tenton edhe televizionin, të shohim si prezantuese e emisionit ‘’Kubi ku zin’,’ e kishe menduar ndonjëherë këtë lloj pune?
Po e kisha menduar veten edhe si moderatore në televizion, unë kam eksperiencë edhe në këtë sferë nga udhëheqja në radio, moderimi në koncerte i eventeve të ndryshme në Ulqin e Prishtinë. Kisha edhe oferta të tjera gjatë kohës për televizion, por ‘’Kubi ku zin’’ më është dukur diçka tërheqëse dhe pranova menjëherë.
Tani që e provove, ku ndihesh më mirë në këngë apo prezantim?
Të dyja më pëlqejnë shumë dhe më bëjnë të ndihem vetvetja, por këndimi është ai që e dua më së shumti, është gjëja që e bëj me më dashuri dhe më me qejf se asnjë punë tjetër në këtë botë.
Çfarë mendimi ke për prezantuesit shqiptarë, i ndjek ata për të bërë krahasimin?
Mendoj se kemi prezentues shqiptarë shumë të aftë dhe unë ata të gjithë i marr si model. Adi Krasta, Ledion Liço, Arbana Osmani etj. Nuk bëj fort krahasime, sepse mendoj se secili moderator duhet të ketë mënyrën dhe stilin e vet të moderimit. Çfarë marr për model nga ata, është origjinaliteti që kanë në prezantim dhe prapë kjo më bën të jem origjinale në mënyrën time.
Nga reagimet e para, publiku të pëlqen më shumë si këngëtare apo si prezantuese?
Që të dyja janë ndjenja shumë të mira, një gjë që më pëlqen është se të dyja më japin mundësinë të udhëheq dhe të reflektoj një ndjenjë apo mendim. Dhe sa herë që publiku atë e kap dhe e pranon, për mua është fantastike. Por prapë këndimi më ka sjellë gjithnjë më afër me publikun.
A ka ndonjë gjë tjetër të cilën do të doje ta provoje përveç këngës e prezantimit?
Ka shumë gjëra që dua, më pëlqejnë dhe që i provoj pa drojë. Më pëlqen të sfidoj veten gjithnjë dhe nuk kam frikë të provoj sfera të reja të punës. Më pëlqen të punoj në zyrë, në terren, kudo e çfarëdo. Nëse më intereson, e provoj.

Panorama Plus

YouTube Preview Image
1