Lulëzimi i detarisë dhe kusarisë – Mbi të kaluarën e Ulqinit (10)

March 25, 2012   | Kulturë / Kultura

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku

Banorët e Ulqinit që nga shekulli XVII fillojnë ta pranojnë islamin, kështu që shumë shqiptarë të krishterë, duke kaluar në islamizëm, fitojnë edhe pozita të forta në tregti, detari. Nga kjo kohë ulqinakët fillojnë të dallohen si kusarë të famshëm që sulmonin anije të ndryshme nëpër Adriatik e Mesdhe dhe luftonin kundër anijeve të Republikës së Venedikut, të Bokës së Kotorrit dhe të vendeve të tjera të Dalmacisë. Qe se si e sheh Ulqinin e kësaj kohe udhëpërshkruesi turk Evlia Çelebia, në librin ku bën fjalë për Udhëtimin në Shqipëri më 1662:

Qyteti i Ulqinit

E pat themeluar një spanjoll. Më vonë, me një rast, në saje të dredhive e okupojnë venedikasit, por në vitin 883=1477/8 u detyruan t’ia dorëzonin çelësat e qytetit Ahmet Pashë Hercegovasit (ky pohim nuk është i saktë R.U.)… kurse vetë u tërhoqën në atdheun e tyre të pafat. Kështjella e qytetit gjendet në breg të detit Adriatik. Është e ndërtuar prej gurit të latuar dhe ka formën e gjashtëkëndëshit. Është ky një qytet i fortë. Frangjitë, bastionet dhe ledhet janë të forta. Ka gjithashtu edhe shumë mazgalla. Është i rrethuar me hendeqe dhe i furnizuar me të gjitha materialet e pajimet e nevojshme për luftë. Është qytet shumë i bukur. Në brendinë e kështjellës gjendet Xhamia e Mehmed-hanit. Të gjitha shtëpitë e garnizonit të qytetit janë të mbuluara me pllaka prej guri, dhe të gjitha janë të vogla. Aty, pastaj, gjenden hambaret e drithit, depotë e municionit dhe saranxhat. Ka disa topa të mëdhenj shumë të fuqishëm, të pamëshirshëm ndaj armikut. Dizdaraga rri rëndom para Portës së qytetit në vendin e quajtur tarraca. Këtë qytet e ruajnë, përveç garnizonit të qytetit, shtatëqind luftëtarë shqiptarë. Dhe ata që të gjithë janë djelmosha të vyer, trima, të guximshëm, burra të patrembshëm. Numri më i madh i ushtarëve të tyre janë fregataxhi. Meqë ky qytet gjendet në breg të detit, në gjirin e qytetit gjenden njëzet fregata. Këtu vijnë djelmosha trima shqiptarë nga kasabatë e tjera, futen në fregata dhe rrëmbejnë, plaçkisin dhe shkretërojnë bregdetin e armikut. Duke sjellë thesare të shumtë dhe robër të zgjedhur kthehen në Ulqin si ngadhnjyes dhe i japin sanxhak-begut të dhjetën e presë.

Kështu kur unë, i ngrati, isha në këtë qytet dhe derisa e vështroja, arritën nga Pulja shtatë fregata me prenë e luftës. Prej këtyre shtatë fregatave me pre, Jusufbegut i takuan nëntëdhjetë e njëmijë groshë të të dhjetës perandorake dhe shtatëmbëdhjetë robër. Nga kjo pre e luftës ky ia pagoi borxhin që ia kishte Melek Ahmet-pashës (…). Ky përshkrim i qytetit përkon mjaft me strukturën e përgjithshme të gravurave të Ulqinit nga kjo kohë dhe me të dhënat historiografike lidhur me Ulqinin e asaj kohe, si vatër luftarake e njohur për nga tregtia, detaria e kusaria.

Ndërkaq, pamja e Ulqinit do të ndryshojë në vazhdim sidomos pas tërmetit të vitit 1667, i cili i detyroi banorët e Kalasë për ndërtime të shtëpive jashtë mureve të saj. Edhe pse kusaria e Ulqinit përmendet që nga shekuIli XIV, legjendat kryesisht flasin për një kusari më tipike, me vendosjen në këtë qytet, siç thuhet, të 400 piratëve arabë, kryesisht algjerianë, që nga gjysma e dytë shekullit XVII, apo prej vitit 1669 (pas luftës kandike). Nga ato kohë (shek. XVII-XVIII), njihet një lulëzim i madh i detarisë dhe i kusarisë së Ulqinit; kusarët ulqinakë, në fillim me anije të vogla (fusta e tartana) e më vonë edhe me anije të mëdha (disa prej tyre ndërtoheshin edhe në kantierin e Ulqinit), sulmonin e plaçkitnin anije tregtare që lundronin nën flamuj të ndryshëm nëpër Adriatik. Në lidhje me këtë u trashëguan shumë gojëdhëna a legjenda, anekdota mbi kusarët e famshëm ulqinakë, siç ishin vëllezërit Karaminxhoja, Lika Ceni (Ali Kaceni), Uluzh Alia. Këtyre populli u këndoi edhe këngë që u ruajtën deri më sot. Nga koha e lulëzimit të kusarisë, Ulqini njihet edhe si treg i robërve dhe si vend i rrallë ku kusarët dhe detarët ulqinakë kanë sjellë zezakë si robër, për nevoja detare, si marinarë, peshkatarë, por edhe për punë të tjera në shtëpi. Gjurmët e tyre janë edhe sot në Ulqin; në jetën e familjeve zezake, në këngë e tregime, në onomastikë.

Familjet ulqinake detare, të cilat prestigjin e vet e kanë parë edhe për nga posedimi i zezakëve në shërbimin e tyre, kryesisht i kanë trajtuar zezakët si anëtarë të familjeve të veta, si njerëz të lire e jo si robër. Atyre u kanë dhënë çifliqe, mbiemrat e familjes, dhe u kanë mundësuar krijimin e familjeve, gjë që dëshmon për qëndrimin njerëzor të ulqinakëve ndaj zezakëve. Madje ka pasur edhe raste të martesave të përziera.

Kusaria e Ulqinit, megjithë ngjyrimet legjendare që mund t’i ketë marrë në rrjedhën e kohës, është në thelb një realitet që këtë qytet e ka karakterizuar që nga koha ilire, me të gjitha baticat e zbaticat e jetës gjatë kohës kur në të janë ndërruar sundues të ndryshëm, gjatë kohës së aspiratave të pushtuesve të huaj. Ulqini, megjithatë, e ka ruajtur vazhdimësinë e jetës detare dhe lulëzimi i detarisë në shekullin XVII-XVIII disi shkon krahas me lulëzimin e kusarisë, me një dallim që këtë të fundit Porta,duke qenë e rrezikuar edhe vetë nga kusarët e famshëm ulqinakë, pas Luftës së Moresë (1714-1718) filloi ta zhdukte.

Ulqini ka një traditë të lavdishme detare që nga kohët më të lashta, mirëpo  të dhënat historiografike flasin për një lulëzim të madh të detarisë ulqinake në shekullin XVII-XVIII e këtej. Detarët ulqinakë zhvillonin tregti me limanet e qendrat më të mëdha tregtare të Adriatikut dhe të Mesdheut. Transportonin drithë, kripë, lesh, duhan. Në shekullin XVII flota e Ulqinit, siç shkruan A. Baldaci (A. Baldacci), kishte rreth 500 anije me vela që lundronin deri në Mesdhe, kurse sa i takon kusarëve pohohet se në fillim të shekullit XVlI kishin një flotë me mbi 170 anije. Zhvillimi i hovshëm i detarisë dhe i kusarisë, në shekullin XVII e XVIII dhe më vonë, kushtëzoi edhe zhvillimin urban të qytetit i cili filloi të shpërthente prej bedeneve te Kalasë. Lindën lagje e mahalla të reja, me godina, sheshe,  hamame, kroje, xhami, tyrbe, që dallohen me karakterin urban oriental. Prej këtyre më të njohurat janë Xhamia e Pashës me hamam, Xhamia e Mazgjahut, Xhamia e Bregut, Tyrbja e Ranës për të cilën ekziston legjenda për dy shehitë të vrarë në luftë kundër Venedikut, pastaj tyrbja e Murat Dedit, e Pultit dhe e Resulbegëve, si e mëvonë.

Koha Javore