Letërr e hapur e shoqatës ”Ana e Malit” dërguar Ekzekutivit dhe Legjislativit te Komunes së Ulqinit

March 26, 2012   | Politika

New York,

25 Mars 2012,

I nderuar Kryetar i Komunës z. Cungu,

I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Mustafa,

Të nderuar Këshilltar të Kuvendit të Komunës së Ulqinit,

Sot para jush gjindet një Akt-Vendim për aprovimin e Planit Detal Urbanistik të Fushës së Ulqinit, fati i të cilit m’varet nga vota juaj si përfaqësues legjitim i popullit të Komunës së Ulqinit.

Mbas një analize detale profesionale të projektit urbanistik, përshkrimit teknik dhe arsyetueshmërisë, jemi të mendimi se plani në fjal është në kundërshtim me:

  • Kushtetutën e Malit të Zi,
  • Dokumentin e zhvillimit të Malit të Zi si shtet Ekologjik
  • Strategjinë Nacionale të Malit të Zi për Zhvillim të Qëndrueshëm
  • Strategjinë e Malit të Zi për zhvillimin e kapaciteteve turistike në bregdetin e Malit të Zi
  • Konventat ndërkombëtare për ruajtjen e pakicave

 

Ky Plan nuk është asgjë tjetër, përveç degradim i hapsirës urbane të Komunës së Ulqinit dhe një “Kolonizim Modern” i inicuar nga grupacionet e interesit. Ky kolonizim vetëm nga mënyra ndryshon prej Kolonizimit të Ulqinit nga Mbretëria Malazeze e Nikollës, që me shumë përpikmëri paraqitet në punimin historiko-shkencor të Mr. Riza Rexhës “Ulqini dhe Politika e Malit të Zi 1881-1912”, i cili testament duhet të merret parasysh çdoherë kur është në pytje zhvillimi shoqëror dhe kulturor i Ulqinit.

Planifikimet Hapsinore Urbane janë procese komplekse dhe multidisciplinare, por për hir të kohës do të ndalemi në arsyetimet që prekin principet fundamentale të zhvillimit të qëndrueshëm urban.

 

Arsyet “Pse JU duhet ti thoni – JO” Fushës së Ulqinit janë:

Aspekti Urbanistik

  • Për të kuptuar rëndësin e Planifikimit Hapsinor duhet të kuptohemi se

 

“Planifikimi Hapsinor ka për qëllim shpërndarjen e balancuar ekonomike në zhvillimin e një treve, që përndryshe do të ishte viktimë e Fuqisë së Tregut.”

  • Fusha e Ulqinit në të gjitha planifikimet urbane deri në vitin 2009 ka qenë Zonë e dedikuar për agrokulturë.
  • Në vitin 2009 nga Fakulteti i Ndërtimtarisë së Podgoricës me pëgjegjës kryesor Nikolla Drakiq, inxh. i arkitekturës, bëhet ndryshimi i Fushës së Ulqinit në zonë për banim dhe kapacitete turistike, edhe pse i njëjti arkitekt në Planin Hapsinor të Ulqinit në vitin 2006 të njëjtën hapsirë e ka dedikuar për agrokulturë. Ky veprim qartazi na jep të kuptojm se kemi të bëjmë me korrupcion të influencuar nga Grupe të Interesit

 

Aspekti i Zhvillimit të Qëndrueshëm

  • Duke marrë parasyshë rritjen globale të popullësisë dhe nevojës së ruatjes së ambientit dhe resurseve natyrore, që për çdo ditë e më tepër është aktuale, Mali i Zi ka përpiluar Strategjinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ky dokument nuk lejon urbanizime të hovëshme, por ato duhet të jenë graduale në raport me nevojat e popullatës lokale me qëllim që të ruhet ballanci natyror dhe shoqëror.
  • Në bazë të statistikave të cenzuseve të vitit 1991, 2003 dhe 2011 Ulqini ka stagnim në rritjen e popullësisë që demanton nevojën për një ekspansion urban

 

Aspekti i zhvillimit Turistik

  • Mali i Zi ka punuar strategjine për zhvillimin e turizmit në zonën bregdetare, ku primar është zhvillimi i turizmit hotelier.
  • Sipas kësaj strategjie në Ulqin deri në vitin 2020 duhet te ketë 36,000 shtretër në akomodimet hotelerike, ndërsa në sektorin privat duhet të ketë 15,000 shtretër.
  • Dihet se Ulqini gjatë sezonës së verës në sektorin privat akomodon mbi 100-130 mijë turist, numër që e tejkalon për 700%-900% kapacitetin e përcaktuar nga Qeveria e Malit të Zi, kurse Qeveria qëllimisht e anashkalon këtë realitet në mënyrë të vazhdueshme për të arsyetuar ndërtimin e kapaciteteve të reja,

 

Aspekti Financiar

  • Slogani se “Fusha e Ulqinit” do ti zgjedhë problemet ekonomike të Ulqinit nuk është real kur dihet se nuk ekziston një aparat administartiv funksional, i cili do të kishte mundësi të ballafaqohet me sfidat e një projekti kapital siç është Fusha e Ulqinit
  • · Pastaj janë shumë të paqarta vlera dhe mënyra e tjetërsimit të pronave për ndërtimin e infrastrukturës
  • Nuk ka një llogari, e cila do të dëshmonte në mënyr të qart leverdinë ekonomike

 

Aspekti Politik Kulturor

  • Ulqini ka identitet demografik, ai ështe qendër e Shqiptarëve në shtetin e Malit të Zi.
  • Shqiptarët duhet të kenë mundësin të ruajn përqindjen demografike, të kultivojnë gjuhën, kulturën dhe të ruajn identitetin e Qytetit Shqiptarë, i cili ka përjetu sundues në faza të ndryshme historike, ka ndryshu gjuhët zyrtare ndërkohëra, por popullata vendase me ndërgjegje dhe dashuri e ka ruajt gjuhën dhe identitetin shqiptar.

 

Të nderuar Këshilltar, realizimi i Planit Urbanistik “Fusha e Ulqinit” ku janë paraparë të ndërtohen objekte të karakterit banues në një afat kohor 5 vjeçar do të ndryshoj demografinë e zonës së qytetit 100%. Ky plan si i tillë nuk e arsyeton vehten as nga aspekti Urbanistik apo edhe ai i Strategjisë së Zhvillimit të Shtetit të Malit të Zi, i cili ka obligim kushtetues, dhe ndërkombëtar pasi Mali i Zi është nënshkrues i Konventave për mbrojtjen e pakicave etnike nga Asimilimi i Dhunshëm. Andaj nëse JU, shqiptarët e këtij Kuvendi e votoni një plan të këtill atëher ky veprim do të konsiderohet se Asimilimi është i Vullnetshëm, që pranohet nga e gjithë bota.

Duke ju uruar punë të mbar, shpresojm në vullnetin tuaj për të punuar në mbrojtjen e shqiptarëve në Ulqin dhe poashtu qartazi ti tregohet Qeverisë së Malit të Zi se jeni për Partneritet në Zhvillimin e Qëndrueshëm të Malit të Zi, e jo vegël e korrupcionit dhe politikës anti-shqiptare.

 

Me rrespekt,

Naser Çobaj – Inxh. i Arkitekturës

Kryetar i Shoqatës Shqiptaro Amerikane Ana e Malit

 

25