Vesa Luma: E çmendur pas shpejtësisë iku në Ulqin

March 26, 2012   | Lajmet / Vijesti

E veshur me xhinse të grisura, bluzë të bardhë dhe atlete, është gati për të ikur në Ulqin. Në fakt këto kohë, për shkak të angazhimit në jurinë e “X Factor” e ka pasur të vështirë të jetë e pranishme në çdo koncert, por ia ka dalë. Dikur ka qenë vetë përballë jurisë, atëherë mori pjesë si konkurrente, për t’i vlerësuar zërin e saj si këngëtare. Ndërsa sot është në karrigen ku i duhet të vlerësojë e të jap sugjerime.

Në një bisedë më të, kuptuan se është shumë e ndjeshme dhe syri i saj mbushet me lotë sa herë i duhet të kujtojë e të flasë për veten dhe gjërat e bukura që e rrethojnë. Merr gjithçka me zemër dhe zor se e zhgënjen veten në këtë pikë. Për shkak të pjesëmarrjes në jurinë e spektaklit, jeton në Tiranë në një apartament me qira. Dëshira e saj për të blerë një shtëpi këtu është e kahershme, por jo në kryeqytet. Ëndrra e madhe e Vesës është Dhërmiu. Tregon se nuk ka verë që të mos kalojë disa ditë në rrezet e diellit në jug të Shqipërisë. Pikërisht nga aty, i ka premtuar vetes një banesë në këtë zonë, të cilën e vlerëson si përrallore. Ne kemi biseduar me Vesën për eksperiencën e saj në “X Factor”, për muzikën, për veten dhe familjen.

Vesa, sot jeni në jurinë e një spektakli ku vlerësohen talente të reja, dikur keni qenë vetë në rolin e këtyre të rinjve, a u rikthehen kujtime?

Në fillim kur më bënë ftesën e dija që do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Ndoshta pak më e madhe nga anëtarët e tjerë të jurisë, pasi konkurrentët kishin më shumë shpresë tek unë, pasi isha një nga personat që kisha dalë nga konkurrime të tilla. Konkurrentët, të cilët i vlerësoj unë janë mbi moshën 23 vjeç dhe e kam disi të vështirë që t’iu kërkoj llogari e të bëj tamam rolin e zyshës. Nga njëra anë kjo është një sfidë më e madhe për ta por edhe janë më të pjekur. Kam menduar që do të jem unë ajo që do të jap e do shpenzoj energji, por nga ana tjetër edhe unë po mësoj shumë. Çdo vit tendencat ndryshojnë dhe të rinjtë vijnë me një frymë të re. Ajo çka po përfitojë është se janë shumë më të lirë në paraqitje, në komunikim dhe sigurisht edhe në interpretim.

Në Shqipëri, gjithmonë e më shpesh po bëhen programe të tilla, por a kemi talente, për të investuar kaq shumë në këto talent-shou?

Edhe unë në fakt e kam menduar këtë gjë, dhe isha në dilemë vazhdimisht e thoja: Po tani çfarë do të nxjerrim! Por siç duket, shqiptarët, në përgjithësi janë të lindur dhe ajo çfarë kërkon në fakt “X Factor” është diçka tjetër. Përveç vokalit që duhet ta kesh patjetër, ky spektakël e kërkon këngëtarin në paketë. Jo vetëm zërin por të jesh edhe personazh më vete, si dhe të kesh një karakter të spikatur.

Është kjo një eksperiencë e mirë për ty ?

Është shumë eksperiencë e mirë, nuk ka kënaqësi më të madhe se të shohësh punën tënde në ngritje.

 Kishe dhënë ndonjëherë mësim më parë?

Jo, asnjëherë, e siç duket paskam pas shumë energji, të tilla. Kur kam qenë unë në fazën e këtyre të rinjve e nuk kemi pasur këto kushte, kishim gjithmonë diçka mangët, këta i kanë të gjitha.

Je xheloze për këtë gjë?

Nuk mund të them se jam xheloze, se atë energji që kam e kam dhënë. Po edhe unë po mësoj, aq sa po shpenzoj energji aq edhe po marr. Çdo konkurrent më frymëzon për vete.

Së fundi keni publikuar një këngë me Big Bastën, “Boom” si erdhi ky bashkëpunim?

Është një këngë që e kisha menduar prej kohës së bashku me Bigun, por tani që erdha në Tiranë, mundëm ta realizonim. Më vejnë mirë që është pëlqyer dhe këtë e ndjej kudo.

Prej shumë kohësh në Kosovë keni bërë moderatoren televizive. Ke hequr dorë nga televizioni?

Nuk dua të them që kam hequr dorë, por po e kompensoj me këtë eksperiencë që po kaloj këtu. X facotor ka të bëjë me muzikën dhe këngët, unë kam përfunduar shkollën për komunikim masiv dhe kjo është një shkollë ekstra për mua. Normalisht shkolla më ka dhënë shumë që të transmetoj të gjitha ato truket që të bëjë publikun për vete e të kem sukses. Por prezantimin e dua dhe kjo do të mbetet një fushë që unë përsëri do e bëjë por jo në këtë kohë, ndoshta pak më vonë.

Jeton në Shqipëri momentalisht?

Po jam në një shtëpi me qera.

Është përfolur sikur ke blerë një shtëpi në Dhërmi?

Kam pas tentativa por nuk e kam blerë ende. Vazhdon të jetë një nga dëshirat e mia por kam dëgjuar që është problem puna e pronave atje dhe ndaj kjo po zgjat pak sa.

Të pëlqen bregdeti?

Nuk e di, unë kur flas për Dhërmiun e kur shkoj në atë vend kam aq shumë pasion dhe jam aq shumë e lidhur më atë vend sa nuk mund ta shpjegoj dot. Kur kam shkuar për herë të parë në vitin 2004 dhe kam shkuar me çadra me shoqërinë pasi i kam qejf këto lloj aventurash e prej asaj kohe vit për vit shkoj atje.

Shpenzon shumë për veshje?

Harxhoj shumë sepse kam dëshirë të vishem. Është e pamundur të më shohësh një ditë të njëjtë me një ditë tjetër. Nuk jam e dhënë mbas firmatove shumë, por ka veshje nga më të lirat e deri tek më të shtrenjtat.

Si ndiheni “brenda” kopertinave, dhe a është jeta ashtu si në faqet e para të revistave?

Njeriu e përcjell veten e vet edhe në një kopertinë reviste apo në një fotografi. Nuk them që e kam jetën fushë me lule. Kam një pjesë timen që njerëzit nuk e dinë dhe nuk jam e gatshme ta shpalos, ajo është një anë e vuajtur e imja dhe e errët për të tjerët. Nuk mendojë se do shpalos ndonjëherë këtë pjesë. Është pjesë imja dhe jam me veten aty. Kur mërzitem nuk ka shanse të më shohë njeri.

Kur mërzitesh?

Nuk ndodh shpesh, por janë disa data, raste… Më shumë më ndodh që kur gëzohem dhe mërzitem, se atë lumturi që kam dua të ndaj me njerëzit që ndoshta nuk e kam dhe kjo më shkakton trishtim.  Po nga njëra anë, më mirë që nuk ka shkuar çdo gjë vaj  se kjo gjë më ka bërë të jem me këmbë në tokë.

Je tip i ndjeshëm?

Më shumë se ç’duhet. E urrej këtë gjë tek vetja por kështu jam. I marr gjërat me zemër.

Të ndodh të afeksionohesh shumë me një gjë dhe më pas të zhgënjehesh?

Me çdo gjë që dëshirojë të bëj mirë afeksionohem por i bëj përpjekjet e mia dhe kur nuk ia dal, nuk mërzitem se di që në të ardhmen do e bëj. Kur kam marrë përsipër një punë për ta bërë e kam bërë. I kam ambiciet e shëndosha.

Në Prishtinë, jeton me familjen?

Po, jetoj me mamin dhe me motrën.  Kam pas mundësi të jetoj dhe vetëm, por nuk kam dashur se jam shumë e lidhur me familjen. I mbështes, në një farë mënyrë unë jam ajo që mbaj familjen se motra studion, nëna është drejtoreshë në një çerdhe fëmijësh.  Do vazhdojë të jetojë me to, deri sa të krijoj dhe unë familjen dhe jetën time.

 Më the pak më parë që të pëlqejnë aventurat, cila është më e bukura që ke bërë?

Uff, një gjë të keqe që kam është se i jap makinës me shumë shpejtësi dhe kam filluar ta kuptojë që duhet ta ul shpejtësinë. I jap shpejtë makinës, sepse gjithmonë kam dëshirë të jem e përpiktë dhe e saktë në kohë. Kam bërë shumë gjëra, për shembull i kam rënë baterisë 2 vjet e gjysmë, kam shkuar në një vend ku janë mbledhur gjithë rreperet e Kosovës ku kanë sfiduar njëri tjetrin me hip hop dhe në aty kam marrë pjesë edhe unë. Dhe u prita shumë mirë.

Propozimi për të qën në jurinë e “X Factor” ishte e regjisores Vera Grabocka, si është ajo në raport me ju?

Është për t’u admiruar një njeri i tillë, e bën me aq pasion atë punë sa ma ka transmetuar edhe mua. Në asnjë moment ajo nuk ka ndërhyrë në punën tonë, as për konkurrentet e as për sjelljet tona. Është një grua që nuk fle, sa herë që dal nga provat ja shoh dritën ndezur. Më të vërtetë është për t’u admiruar një grua e tillë, kam marrë një shkollë të jashtëzakonshme tek ajo si person.

Entela Resuli Gazeta Shekulli

YouTube Preview Image