Cungu: “Të angazhohemi që fëmijët të shoqërohen sa më shumë”

March 29, 2012   | Intervista / Intervju

Normalisht që edhe një numër i madh i shqiptarëve prej të gjitha trevave kalojnë pushimet në Komunën e Ulqinit, do të kemi rast ti njoftojmë edhe me disa aktivitete që i bëjmë kohën e fundit, dhe nëpërmes këtyre të përcjellim mesazhin tonë dhe ti ftojmë përsëri dhe në numër më të madh që të gjithë shqiptarët të kalojnë pushimet në Komunën e Ulqinit.

Intervistoi Shaban SINANI

Ditë më parë një delegacion e Turneut mbarëkombëtar ët futbollit për fëmijë në përbërje ideatori Naim Kërçuku, koordinatori për qytetin e Tetovës Muzafer Livoreka, koordinatori për Ulqin Hajrulla Hajdari dhe zëdhënësi i turneut së bashku me drejtorin e Sh.M.T, Abaz Abazi, qëndruan në qytetin e Ulqinit ku patën një takim me kryetarin e këtij qyteti z. Nazif Cungu, ku përfundimisht u soll vendimi që edicioni i 10-të jubilar i takimeve mbarëkombëtare të organizohet në këtë qytetit me moton “Ulqini 2012”. Me këtë rast zhvilluam intervistë me kryetarin e Ulqinit z. Nazif Cungu

Yllpress: Z. Kryetar në takimin me përfaqësuesit, të cilët janë edhe organizator të “Turneut mbarëkombëtar të futbollit për fëmijë”, u vendos që pikërisht Ulqini të jetë nikoqire e edicionit jubilar të dhjetë me radhë, që përputhet me festën e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.?

Nazif Cungu: Po ky është një jubile dhjetëvjeçar, kjo është bërë faktikisht një traditë dhe Komuna e Ulqinit do të jetë nikoqire në lidhje me “Turneun mbarëkombëtar”. Ky është rast që të gjithë së bashku të festojmë edhe 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ky do të jetë njëkohësisht edhe një moment ku fëmijët tanë prej të gjitha trevave shqiptare do të kontaktojnë, do të merren me sport dhe do të shoqërohen. Normalisht që edhe një numër i madh i shqiptarëve prej të gjitha trevave kalojnë pushimet në Komunën e Ulqinit, do të kemi rast ti njoftojmë edhe me disa aktivitete që i bëjmë kohën e fundit, dhe nëpërmes këtyre të përcjellim mesazhin tonë dhe ti ftojmë përsëri dhe në numër më të madh që të gjithë shqiptarët të kalojnë pushimet në Komunën e Ulqinit.

YllPress: Me sa jemi të njoftuar muaji maj është shpallur Muaji i Kulturës së Qytetit të Ulqinit. Na thoni s e për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë?

Nazif Cungu: Ne do të kemi manifestime të ndryshme kulturore, por edhe sportive. Do të kemi brenda qytetit, brenda Malit të Zi por edhe në nivel të rajonit. Kështu që do të ketë aktivitete të shumta sportive si në futboll, basketboll, hendboll, tenis, me një fjalë thënë në të gjitha lëmit, për atë arsye ne në kohë do të njoftojmë opinionin më të gjerë që të vinë në numër sa më të madh ta vizitojnë Ulqinin.

YllPress: Do të doja të potencoja edhe fjalët e ish kryetarit të Komunës së Tetovës, Murtezan Ismailit, i cili tha se “Fëmijët janë ata që na bashkojnë.” Atëherë cili është mesazhi juaj për këtë?

Nazif Cungu: Edhe unë do t’i bashkëngjitesha asaj fjalie. Ne të gjithë duhet të jemi në mënyrë maksimale të angazhuar që fëmijët të shoqërohen sa më shumë, që të merren me sport sa më shumë, dhe të zhvillojnë faktikisht ato aktivitete dhe shoqërimin mbarëkombëtar mes tyre. Kështu që të gjithë fëmijët do të jenë të mirëseardhur dhe besoj se do të kalojnë ditë të bukura në Ulqin.

YllPress: Meqë jemi në prag të sezoni turistik, dhe e dimë që Ulqini është një qytet ku shqiptarët janë pjesë e saj në ditët e verës, pra ku i kalojnë pushimet. Çka ju ofroni atyre që kanë ndërmend të kalojnë pushimet verore në këtë qytet bregdetar ?

Nazif Cungu: Shqiptarët e Maqedonisë tash e kanë pak më lehtë, dhe kanë mundësi edhe që të zgjedhin pasi kanë edhe bregdetin e Shqipërisë, por edhe të Ulqinit. Në fillim ne ishim komplementar, Ulqini dhe Shqipëria, për turistët shqiptar. Tash jemi bërë një çik konkurrent, edhe kemi një çik xhelozi, normalisht që përqeshim. Unë mendoj se të gjithë shqiptarët, prej të gjitha trevave duhet që pushimet t’i kalojnë në Ulqin, kemi bërë shumë përmirësime në nivel të infrastrukturës, kemi rregulluar infrastrukturën e përgjithshme në pikëpamje të rrugëve, të furnizimit me ujë të pijshëm, në pastërti, kështu që gjatë këtij viti do të ketë investime 4 milion euro, dhe të gjitha këto do të bëhen para sezonit turistik. Kështu që besoj se edhe kjo mund të jetë një ftesë për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë që të vazhdojnë me atë numër aq të madh përsëri të na vizitojnë.

YllPress: Këtu në Ulqin ka numër të madh të qytetarëve Tetovar që veprimtarinë e vetë e zhvillojnë këtu në Ulqin, si ëmbëltore apo edhe veprimtari tjera. Sa jeni i kënaqur me sjelljen e tyre dhe punën e tyre?

Nazif Cungu: Ne jemi shumë të kënaqur, edhe me thanë të drejtën si kryetar i Partisë së Forcës së Re Demokratike jena të kënaqur se kryesisht e kemi pasur edhe mbështetjen e tyre që janë me letërnjoftim të vendit, d.m.th që janë të regjistruar këtu. Kështu që kush ka dëshirë tjetër që të merret me afarizëm janë të mirëseardhur edhe për ndonjë investim të përbashkët që mund të bëjnë në Komunën e Ulqinit.

 

Yllpress