Xhamia e “Merasë” në Ulqin nga I.Karamanaga

March 30, 2012   | Lajmet / Vijesti, Opinione

Derisa shikoj këtë fotografi të vjetër të xhamisë së »Merasë«, dhe tyrbet pranë saj, mendoj edhe për të kaluarën tonë, për kohët e vjetra, për të gjitha ato që e kanë bërë qytetin tonë aq tërheqës, posaçërisht për turistët e huaj. Viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XX, “turistët e vërtetë” të huaj filluan të zbulojnë, siç thonin ata atëherë, »Orientin në zemër të Mesdheut«. Ne me kënaqësi e pranuam këtë atribut, sepse kështu qyteti u bë i famshëm, e ne, duhet të pranojmë, kjo filloi të na sjellë devizat gjermane. Kjo e përmirësoi standardin e jetesës sonë. Ishte infuzion i vërtetë për ne dhe qytetin tonë. Regjimi komunist i asaj kohe, duhet pranuar, arriti që t’i njohë edhe »markat« dhe ata mysafirë, kështu që, pamarrë parasysh ideologjinë kapitaliste të tyre, lejoi hapjen e kufijve dhe liberalizoi shumë gjëra. Kjo ndërtoi një imazh të veçantë për vendin tonë jashtë vendit. Por, është fare e qartë se nuk mund të kuptonim se mysafirët nuk i tërhiqte vetëm deti dhe plazhet tona, dhe ata pak hotele që kishim atëherë, por, edhe një trashëgimi fantastike kulturore. Posaçërisht ajo orientale, tek ne në Ulqin.

Dua të parafrazoj një fjali të madhe, të një artisti dhe njeriu të madh gjerman, si edhe njëri ndër më të mëdhenjtë në historinë e njerëzisë, Johan Wolfgang von Göthe, i cili gjithmonë thoshte, se kurrë nuk mjafton të përsëritësh dhe »për këtë arsye gjithmonë përsëritni«, thoshte ai… Mu për këtë edhe unë po i kthehem asaj fjalie famoze, sepse ajo e bëri të njohur dhe krijoi imazh për qytetin tonë si «Orienti në një vend kaq të vogël, në zemër të Evropës«. Megjithatë, për shkak të atyre paragjykimeve ideologjike, dhe një arrogance të pakuptimtë, dhe do të thoja mendjeve të kufizuara, ata komunistët e fortë »të vegjël« sollën vendime të cilat ishin fatale për disa monumente kulturo-historike. Ato vendime ishin fatale për shumë monumente orientale të së kaluarës sonë; posaçërisht rrënohen dhe fshihen nga faqja e dheut xhamiat, varrezat kombëtare, krojet e vjetra dhe objektet tjera fetare islame. Vetëm për kujtesë, do të ishte mirë sikur dikush të fliste e të shkruante diçka për djegien e qëllimtë të të gjithë materialit arkivor të qytetit tonë në vitin 1954. E gjithë kjo bëhej nën pretekstin e qeverisjes, në të cilën, për fat të keq, uleshin edhe ata, prindërit e të cilëve ishin ose imamë të njohur të këtij qyteti ose xhematli të tyre. Nuk e di sa do të ishte me vend të përdoret fjala «inat« ndaj fesë dhe objekteve fetare, posaçërisht atyre islame, sepse këtu mbi 80% të banorëve janë myslimanë, por është e sigurt se edhe ashtu ishte. Sidoqoftë, pikërisht edhe për këtë, këto kuptime dhe këto qasje ishin shumë të theksuara, posaçërisht këtu, tek ne në Ulqin.
Argument i kuptimeve dhe i veprimeve të tilla të errëta, janë edhe rrënimi i plotë, e në disa raste edhe uzurpimi dhe shndërrimi i objekteve fetare në objekte me destinime të tjera.
Prej atyre mendje të errëta të asaj kohe, madje edhe sot ka mbetur ndonjë, fatkeqësisht në mes nesh, të adoptuar kushteve dhe politikave të reja. Duke mos zgjedhur mjete, vetëm për shkak të pozitave të tyre, punuan atëherë, e punojnë edhe sot, vetëm për interesa personale. Për fat të keq, atëherë kanë qenë pjesëmarrës të asaj politike të errët komuniste. Regjimi komunist, e fatkeqësisht edhe njerëzit që ishin personifikim i tyre, nuk mund të kuptonin se feja nuk mund të çrrënjoset me shkatërrimin dhe përdhosjen e objekteve fetare. Sigurisht që Zoti i Gjithfuqishëm nuk i ka dhënë aq urtësi dhe logjikë që ata ta kuptojnë këtë. Bile është mirë që kjo është kështu. Shembujt e luftërave të çmendura dhe gjakatare të viteve të nëntëdhjeta të shekullit që shkoi, janë dëshmi e vërtetë se me rrënimin dhe shkatërrimin e qëllimtë të objekteve dhe të monumenteve fetare dhe kulturore nuk mund të eklipsohet feja dhe besimi në Zotin, pa marrë parasysh të gjitha rrethanat. Por, për fat të keq, historia në këto troje është përsëritur në formën shumë më drastike. U shkatërrua një shtet shumë i madh, u shkatërruan qindra objekte fetare, por feja u bë gjithnjë e më e fortë, e edhe monumentet përsëri po rindërtohen bile në vendet dhe themelet ku ishin dikur.
Për shumë mysafirë vendës dhe të huaj, të cilët sot vijnë në tregun tonë të gjelbër, posaçërisht kur provojnë të gjejnë vend parkimi për automjetin e vet, duket pak si e çuditshme se parkingu te »Stacioni i vjetër i autobusëve« gati gjithmonë është i zbrazët. Atyre madje as nuk ua merr mendja se shumë ulqinakë hezitojnë të parkojnë automjetin në atë vend, edhepse ai është gati gjithmonë gjysmë i zbrazët dhe relativisht i lirë. Ulqinakët e dinë se në atë vend dikur ka qenë një xhami e bukur dhe se edhe sot e këtë ditë në këtë vend të shenjtë gjenden edhe tri tyrbe të njohura dhe varrezat. Nuk e di a është ky një nga shkaqet e shumta, por sidoqoftë ky vend edhe nuk u sjell shumë profit dhe fat të gjithë atyre që punojnë apo sillen atypari. Që nga fëmijëria, e edhe më vonë, e di se në atë vend shpesh janë ndërruar edhe pronarët edhe profesionet, por nuk e di se ata kanë patur një sukses të theksuar. Tani janë disa lokale apo dyqane. Vinin aty dikur edhe autobusët, sepse aty ishte i ndërtuar edhe stacioni i madh i autobusëve, por u rrënua nga tërmeti i vitit 1979. Nuk e di, tani shoh disa palma, por asgjë të veçantë. Vendi, të cilin komunistët ia morën me dhunë Bashkësisë islame, nuk mund t’i sjellë as profit as sukses dikuj personalisht e as ndonjë institucioni. Mendoj se edhe i njohuri Kapidan Lika Kacemi, apo Lika Ceni, i cili e dhuroi vendin dhe e ndërtoi xhaminë në vitin 1779, do të pajtohej me mua, se do të ishte mirë dhe e drejtë që Bashkësisë Islame t’i kthehet prona e saj. Unë nuk jam jurist, as gjykatës, por lexoj nga pak dhe e njoh nga pak ligjin mbi »restituim«, e edhe si germanist e di, po ashtu edhe si njeri i cili lexon dhe shkruan në disa gjuhë, se të gjithë e kemi për qëllim integrimin në Evropë, e në të nuk ka vend për rrënime dhe mosrespektim të fesë dhe të objekteve fetare.
Xhamia e »Merasë« i mbeti shumëkujt në kujtim, me siguri edhe për shkak të minares së sajtë drunjtë, por jam i sigurt se posaçërisht njerëzve i ka mbetur në kujtesë për shkak të rrethinës së saj si edhe objekteve përcjellëse. Paramendoni tri tyrbe, të cilat edhe sot ekzistojnë në afërsinë e vendit ku ishte xhamia, si dëshmitarë memecë të barbarizmit të tyre. Jam i bindur, se jo vetëm për shkak të paragjykimve, por edhe për shkak të frikës, këta trima të fortë megjithatë janë frikësuar, dhe besoj se për shkak të saj edhe nuk i kanë rrënuar tyrbet. Krahas territ që mbizotëroi në shpirtat dhe mendjet e tyre, frika, si kategori njerëzore, padyshim se do të ketë qenë i vetmi shkak pse nuk i hoqën varrezat as tyrbet. Nuk ka ndonjë sqarim tjetër! Kjo, ngase »nacionalizimi« i tyre shkoi aq larg, saqë të gjitha këto i zyrtarizuan edhe me disa dokumente. Dihen edhe numrat e Vendimeve mbi nacionalizimin dhe parcelat me metra katrorë, etj. Kanë punuar ata sipas ligjeve të veta, ndërsa për ligjet e Zotit nuk kanë menduar fort. Madje edhe u kanë mbushur mendjen disa njerëzve, e edhe besimtarëve, që të thonë se kemi mjaft xhamia. Por, ka patur edhe të tjerë, të cilët i kanë rezistuar asaj politike dhe barbarizmi.

Paramendoni, një ekskavator i madh para xhamisë së »Lamit«, dhe një imam trim, të cilit, me një respekt të veçantë dëshiroj t’ia përmendi emrin, Ibrahim-ef., i cili doli para ekskavatorit dhe tha: «Mund ta rrënoni xhaminë, por pasi të më mbytni mua«. Kështu nuk arritën ta rrënojnë atë xhami, ajo mbijetoi dhe sot me krenari qëndron dhe shërben për atë për çfarë edhe është ndërtuar, pikërisht falë këtij njeriu trim. Por, xhamia e »Merasë« nuk pati kësi imami, e as që pati kush ta mbrojë. Komunistët e shfrytëzuan momentin kur ajo ishte e mbyllur, për shkak të vjetërsisë së saj, dhe shumë shpejt prunë vendimin mbi nacionalizimin e saj. Është e pakuptimtë të »nacionalizohet« objekti fetar, pra xhamia dhe rrethi i saj dhe vendi të cilin dikush dikur ia ka dhuruar këtij qytet dhe Bashkësisë Islame. Kështu do të mbetet e shkruar se në atë vit, më 1968, u rrënua dhe u zhduk edhe një xhami, të cilën dikush e ndërtoi në lagjen e vet, që në të të kryhen ritet fetare dhe të falet namazi. Në vend që të rinovohet dhe të ruhet, erdh ekskavatori dhe ajo u zhduk, por mbet në kujtimet e njerëzve që ende janë gjallë dhe kujtohen kur janë falur në të. Përveç tyre, ekzistojnë edhe disa fotografi. Menjëherë pas kësaj, në këtë vend filloi të ndërtohet stacioni famoz i autobusëve, i cili u zhduk pas dhjetë viteve, nga tërmeti i fortë… Sot në vendin e kësaj xhamie gjenden disa lokale dhe parkingu, në të cilin, kryesisht, janë të parkuar automobilat që kërkojnë blerësit e rinj. Më nuk është xhamia, por ekziston shpresa se, me vullnetin e Zotit, ajo, sikurse edhe ajo në Ranë, përsëri do të ngritet, dhe se nga minarja e saj do të dëgjohet zëri i myezinit. Kurrë nuk dihet.

Tyrbet që gjenden në afërsi të saj, si edhe varrezat, janë vërejtje për të gjithë ata që do të duheshin të mendonin mbi kalueshmërinë e jetës së kësaj bote. Imamët e mëdhenj të cilët kanë pri në këtë xhami, hafëz Januz Llunji e në vonë Maliq Pulti, Said Bojku dhe Jakub Milla, si edhe shumë të tjerë, tek atëherë do të kishin gjetur prehjen e tyre të vërtetë. Nuk do të ishte mirë që me planet e reja urbanistike të mos mendohet edhe për xhaminë në themelet e saja. Bashkësia Islame Ulqin, si pjesë e Meshihatit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, do të duhej të ndërmarrë hapat në kthimin e pronës së vet. Ky, para së gjithash, është borxh ndaj njeriut, i cili ka dhënë mjetet e veta dhe ka ndërtuar xhaminë, por edhe ndaj të gjithë atyre që në të kanë falur namazin. Ky do të ishte një hap civilizues drejt Evropës, një hap drejt forcimit të bashkëjetesës në një mjedis multikonfesional, siç është kjo ynja këtu në Ulqin. Një hap i tillë do të përshëndetej nga të gjithë njerëzit qëllimmirë të të gjithë botës. Kjo do të ishte vetëm një dëshmi e rrugës së mirë të vendit tonë drejt integrimeve evropiane.

Ulqin, mars.2012.
Ismet KARAMANGA

1