Masakra e Tivarit: Butka,vetëm e vërteta mund t’i shërojë plagët – Video

April 1, 2012   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Dje, në mbrëmjen e së shtunës, në ambientet e Qendrës për kulturë në Ulqin në organizimin e shoqatës ”ORA” dhe Qendrës për Kulturë të Ulqinit, historiani Uran Butka promovoi librin e tij “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”.

Të pranishëm në këtë përurim ishin një numër i madhë njerizish si dhe figura të njohura intelektuale. Promovimi u zhvillua mes personazheve të njohur të kultures dhe artit,spektaklit dhe politikës.

Rreth librit folën  Agron Tufa,Dr. Nail Draga, Doktori i njohur nga Ulqini, Ahmet Maraj,kurse moderatori I këtijë promovimi z. Ismet Kallaba foli për autorin e librit,ndërsa  nxënësja Flutur Mustafa recitoi poezinë “Masakra e Tivarit”.
Libri i historianit Uran Butka, “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” sjell një material të bollshëm arkivor. Janë kabllograme të dërguara nga krerët më të lartë të shtetit apo dëshmi të dëshmitarëve okularë, të cilët ndërtojnë pazëllin e shpërndarë në vite. Por përveç fakteve historike, nuk mungon edhe analiza e fakteve. Për gjithë të pranishmit në promovimin e të premtes ky libër, i realizuar me shumë profesionalizëm, hedh dritë mbi një nga ngjarjet më të shëmtuara të ndodhura gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

Libri “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” i historianit Uran Butka, përpiqet të zbardhë të vërtetën e asaj që ndodhi në vitin1945, ku rreth 2 947- 3 447 shqiptarë u vranë të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e Tivarit.

 

Intervistë

Zoti Butka, cili ka qenë motivi që ju shtyu të shkruani librin “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”?

Të them të vërtetën për këtë masakër, nga më të mëdhatë në Ballkan, për të cilën është heshtur qëllimisht afro 70 vjet, për të fshehur gjurmët e krimit.

Pse pikërisht tani? A mos jeni ndikuar nga politika?

Aspak. Në këtë studim por edhe në punimet e tjera me karakter historik, jam mbështetur tërësisht mbi dokumentet, duke bërë një interpretim shkencor, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika. Përndryshe do të ishte një dështim. Edhe personalisht, sikurse dihet,  jam larguar me kohë nga politika.

Sa kohë ju është dashur të mblidhni dokumentet, ta hulumtoni ngjarjen dhe ta shkruani këtë libër studimor?

Qysh në vitin 1995 shkrova sprovën e parë për këtë masakër dhe e botova tek libri “Ringjallje”, por studimi nuk ishte i plotë dhe i dokumentuar sa duhet. M’u deshën 16 vjet kërkimesh që të arrija tek ky botim i plotë, gjithsesi joshterues.

Libri juaj është bazuar mbi një mori dokumentesh, një pjesë e mirë e papublikuar më parë dhe e klasifikuar “tepër sekret”. Si ia dolët?

Botimi “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” është bazuar në dokumente të nxjerra nga arkivat e ish-Jugosllavisë (Arkivi historik i Beogradit), nga arkivi shtetëror i Maqedonisë, nga arkivi i Kosovës dhe nga arkivat e Shqipërisë, kryesisht nga Arkivi Qendror dhe ai i Ministrisë së Brendshme. Natyrisht, të gjitha dokumentet e hulumtuara mbanin shënimin “tepër sekret”, por që tashmë thuajse janë deklasifikuar. Përveç këtyre dokumenteve janë përdorur, pasi janë krahasuar dhe konfirmuar për vërtetësinë e tyre, edhe dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës, si dëshmitë tronditëse të Azem Hajdinit, Bajram Golës e të tjerë, që janë publikuar me kurajë qytetare e njerëzore qysh në regjimin politik të ish-Jugosllavisë. Gjithashtu, janë vjelë edhe dëshmitë e dhjetëra të mbijetuarve shqiptarë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri .

A mund të na thoni diçka për masakrën që ndodhi në Tivar?

Po. Masakra më e madhe ndodhi në  mesditën e datës 31 marsit  1945  në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur  kurthi, sipas një plani të parapërgatitur  për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta  kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi. Kasaphana  nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj  në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë.  Edhe nga  Kolonat e tjera  të marsit dhe të prillit 1945, me  rekrutë shqiptarë të mobilizuar në Kosovë dhe viset shqiptare të  Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës  dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën. Por, as Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇSH, as qeveria, as ministria e Jashtme e Shqipërisë, në krye të të cilave ishte Enver Hoxha, nuk reaguan as për vrasjen e dhjetëra shqiptarëve në bregun e lumit Buna, as për masakrimin e qindra shqiptarëve të tjerë në Tivar, por heshtën si bashkëfajtorë në krim, ndonëse sipas raportimeve të mësipërme, vrasjet ishin bërë “pa asnjë shkak, kanë bërë bujë dhe përshtypje shumë të keqe e dëmprurëse”.

Sa ishte numri i përgjithshëm i viktimave të masakrës?

Totali i shqiptarëve të asgjësuar nga të gjashtë kolonat me rekrutë shqiptarë prej 13.050 vetash,  gjatë muajit mars dhe prill 1945, kryesisht sipas burimeve ushtarake jugosllave, rezulton, së paku, në 2 543 vetë. Siç e kemi theksuar edhe më lart, të dhënat  që vijnë nga burimet e paplota ushtarake jugosllave, duhen marrë me rezervë, sepse përmasat e vërteta të krimit janë shumë më të mëdha.  Po të hulumtosh parashtresat, botimet dhe dëshmitë për këtë masakër të Azem Hajdinit, Bajram Golës, Nazif Selimit, Xhaferr Vokshit, si edhe të dëshmitarëve që mbetën gjallë dhe i publikuan dëshmitë e tyre, rezulton që numri i viktimave gjatë marshimit dhe në plojën e Tivarit, të jetë edhe më i madh. Përfundimisht, sipas burimeve  jugosllave dhe shqiptare  rezulton shuma prej  gjithsej  2 947 – 3 447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e Tivarit. Këto shifra nuk janë përfundimtare.

A mendoni se po të ishte zbardhur më parë kjo masakër, ndoshta edhe përgjegjësit do të ishin ndëshkuar?

Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është nxjerrë ndonjë përgjegjësi, apo ndëshkim, si në ish-Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri. Përkundrazi, shkaktarët janë shpërblyet me ndere dhe poste të rëndësishme. Bie fjala, ekzekutori Vladimir Roloviç, u  emërua ambasador i Jugosllavisë në Kroaci, ndërsa komandanti i Brigadës X malazeze Markoviç, që i masakroi shqiptarët në Tivar, u emërua kryetar i një rajoni në Mal të Zi.  Në Shqipëri, Enver Hoxha,veç të tjerash, edhe Hero i popullit shqiptar dhe hero i popujve të Jugosllavisë, ish-ministri i Brendshëm, Haxhi Lleshi që bashkëpunoi me jugosllavët për vrasjen e shqiptarëve në territorin e Shqipërisë, u bë president dhe Hero i Popullit, po ashtu edhe Shefqet Peçi, Hero i Popullit, Ramiz Alia, president dhe Hero i Popullit etj., dekorata që i mbajnë ligjërisht edhe sot!

A është ky libër njëherësh edhe një mesazh për shqiptarët dhe popujt e Ballkanit?

Po. E vërteta dhe vetëm e vërteta  mund t’i shërojë plagët që ende rrjedhin. Një popull nuk mund të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët. Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish, siç ka ndodhur në historinë e Ballkanit. Veçanërisht, krimet me përmasa, implikime dhe pasoja ndërkombëtare, siç ishte edhe Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar e gjykuar drejtësisht dhe  dënuar, të paktën, moralisht, që të mos mbeten  si  njollë e pashlyer, si  plagë e hapur dhe si  urrejtje vepruese, e ngulur thellë në ndërgjegjen e popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim, në një arsye më shumë për të qenë në mirëkuptim e bashkëpunim në rrugën e përbashkët drejt paqes dhe integrimit europian.

Foto nga Fadil Kovaci Facebook


YouTube Preview Image