Mali i Zi: S’do lejojmë ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër

April 15, 2012   | Rajoni / Region

Drejtoresha e Agjencisë për mbrojtjen e ambientit në Mal të Zi, Daliborka Pejoviç ka vlerësuar se qytetarët e Malit të Zi duhet të vendosin për centralin bërthamor i cili planifikohet të ndërtohet nga shteti shqiptar në Shkodër. Pejoviç ka deklaruar për mediat malazeze se fqinjët nuk kanë respektuar dhe as që kanë vepruar sipas konventës ndërkombëtare ESPO, sipas të cilës shtetet pa këshillimin me fqinjët, nuk mund të bëjnë projekte të cilat ndikojnë në situatën ambientale rajonale.

Konventa ESPO bazohet që njoftimet koherente për ndikimin ndërkufitar, nëse shtetet në territorin e tyre realizojnë projekte të cilat mund të kenë ndikim të ndërmjetëm ose direkt në ambientin dhe natyrën që rrethon shtetet dhe rajonet e caktuara. Pejoviç u shpreh se për projektet e ndërtimit të centraleve bërthamore edhe Mali i Zi duhet të organizoj debate publike.

“Për një plan të tillë edhe ne do duhet të organizojmë debate publike por siç duket për momentin opinioni publik malazez nuk është i gatshëm të përkrah vendimin për mbrojtjen e centralit bërthamor në afërsi me ne. Përveç kësaj shteti jonë ka ndaluar edhe qarkullimin e materialeve bërthamore, vetëm në raste kur kemi të bëjmë me kërkimet shkencore dhe hulumtuese”, shprehet Daliborka Pejoviç.
Edhe pse kryeministri shqiptar Sali Berisha gjatë qëndrimit të tij në Mal të Zi, u shpreh se për një kohë të pa caktuar janë shtyrë planet për ndërtimin e centralit bërthamor, Pejoviç mendon se deklaratat e autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar tregojnë qartë se nuk janë tërhequr nga shfrytëzimi i energjisë bërthamore.

“Me siguri nga pjekuria e qytetarëve në Shqipëri dhe në Mal të Zi duhet që në mënyrë më bindëse të hulumtojnë para se të marrin vendime të tilla”, paralajmëron ajo. Drejtoresha Pejoviç shprehet se Shqiptarët kanë kohë që kanë punuar në studimin e fizibilitetit, me qëllim që të shohin se sa do jetë kostoja e ndërtimit të centralit bërthamor, duke studiuar edhe mënyrën e zgjidhjes së problemeve që kanë momentalisht duke bërë që në momentin e zbatimit të planeve të fillonin sa më shpejt.

“Është e vërtet që ato janë ndaluar pas Fukushimes sepse pas incidentit është kërkuar nga të gjithë një studim ndryshe dhe qasje krejt tjetër në këtë fushë” sqaron Pejoviç.

Berisha gjatë vizitës në Mal të Zi në muajin janar është shprehur se “energjia bërthamore është më e pastra dhe më e sigurta”, por që projekti është në pritje. “Siç dihet ajo zonë është e njohur për lëvizjet tektonike. Projektin e kemi lënë mënjanë deri sa shkenca nuk e thotë fjalën e vet duke zgjidhur të gjitha dyshimet”, ka thënë Berisha.

Centrali bërthamor, i cili planifikohet të ndërtohet do jetë larg Podgoricës në vijë ajrore prej rreth 50 km dhe do të ndikonte në një rrezik të mundshëm të gjithë rajonin. Fillimisht për këtë central është folur në prill të vitit 2009 ku kryeministri Berisha ka përmendur mundësinë e ngritjes së tij. Menjëherë pas kësaj ka reaguar shoqëria civile pa dallim, e cila e ka kundërshtuar këtë ide. Që atëherë për centralin bërthamor në Shkodër nuk është folur, ndërsa sipas drejtuesve të institucioneve qendrore kjo është një çështje që i përket qeverisë dhe organeve të larta të shtetit dhe jo atyre.

Bota Sot